Zbardhet e plotë dinamika që hedh dritë mbi operacionin policor në malin e Bodesë, ku mbeti i vrarë efektivi i Policisë së Shtetit, Enea Mekolli dhe u plagos kolegu i tij, Edison Adri. Sipas Prokurorisë, plani operacional për kapjen e Violand Braçellarit u hartua pas kallëzimit të një 32-vjeçari, i cili kishte disa ditë që punonte si çoban te bagëtitë e 43-vjeçarit. Ai i tha policisë se u dhunua dhe kanos me qytë arme nga Braçellari, ndërsa tregoi vendin ku qëndronte, pranë stallave të bagëtive dhe dispononte një armë automatike edhe një armë gjahu.
Mëngjesin e 4 qershorit, rreth orës 07:00, forcat e Policisë së Korçës, sipas planit operacional, u afruan pranë stallave dhe nisën rrethimin e disa ndërtesave në zonë. Sipas dosjes, pa përfunduar rrethimi, Violand Braçellari hapi zjarr drejt policisë. Nga të shtënat mbeti i vrarë Enea Mekolli, ndërsa u plagos Edison Adri. Pas shkëmbimit të zjarrit, Braçellari tentoi të largohej me vrap poshtë stallave, por i plagosur u kap disa metra larg. Pranë vendit ku u neutralizua u gjet një armë automatike pa fishekë, me qytë dhe bajonetë të vendosur. Nga vendi i ngjarjes u sekuestruan gjithashtu dy gëzhoja të kalibrit 7.62 mm dhe u morën mostra biologjike për ekspertim.
Gjatë kontrollit të zonës, pranë dy stallave me mur tulle u gjet një bluzë e bardhë me mëngë të shkurtra, e grisur dhe me njolla gjaku. Në distanca të ndryshme u zbuluan edhe disa gëzhoja të tjera të armëve automatike, ndërsa pranë stallës së dytë u gjetën gëzhoja të tjera të njëjta. Nga këqyrja e vendit të ngjarjes rezulton se trupi i pajetë i efektivit Enea Mekolli ndodhej rreth 8 metra larg murit të stallës së fundit. Ai kishte plagë në kokë, qafë, vesh, gjoks dhe këmbë, të gjitha nga armë zjarri. Mekolli ishte i veshur me uniformë policie dhe jelek antiplumb, i cili kishte dëmtime në pjesën e gjoksit dhe në shiritat e supeve. Një nga elementët më domethënës të dosjes është fakti se pranë trupit të Mekollit u gjet arma automatike e shërbimit me një krehër prej 30 fishekësh, ku 29 ndodheshin ende në karikator dhe një fishek ishte në folenë e armës. Sipas grupit hetimor, kjo tregon se efektivi nuk kishte arritur të qëllonte asnjë plumb gjatë sulmit.
Hetuesit konstatuan se dritarja anësore e stallës së parë ishte e hapur dhe rrjeta metalike e shqyer, çka tregon se autori doli nga ajo pjesë e godinës. Në të gjithë itinerarin, nga dritarja e deri në vendin ku u kap Braçellari, u gjetën shumë gëzhoja që dyshohet se u qëlluan nga e njëjta armë. Prapa stallës së parë, ku qëndronin policët, u sekuestruan dhjetëra gëzhoja të tjera. Përballë derës hyrëse të stallës u gjet edhe arma e efektivit të plagosur Edison Adri. Në të ndodheshin ende 23 fishekë në krehër dhe një tjetër në fole, çka tregon se prej saj është kryer qitje. Pranë u gjet një fragment predhe, dhe pak metra më larg jeleku antiplumb dhe radioja e tij, të dyja të mbuluara me njolla gjaku.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.
Komente








Po pse ishte pa mbrojtje dhe kush e organizoi ooeracionin???
PërgjigjuPlaka bushtër e ëma e kriminelit është bashkpuntore në krim përse nuk e arrestoni .
Përgjigju