Zbardhet vendimi i paprecedentë i Agron Zhukrit që i dorëzoi PD-në Berishës: Depozitimi i firmave në zyrën e Palokës është i ligjshëm edhe pse nuk bazohet në statut

Report Tv ka siguruar dhe zbardhur vendimin e shumëdebatuar të gjyqtarit Agron Zhukri, i cili në 25 mars të 2022, i dha selinë dhe vulën e Partisë Demokratike Sali Berishës, duke konfirmuar Kuvendin 11 dhjetorit, bashkë statutin e ri të partisë dhe vendimmarrjet e tjera, të cilat shkarkonin Lulzim Bashën dhe lidershipin e tij, duke e kaluar partinë në duart e Berishës.

Referuar përmbajtjes së vendimit dhe procedurave të ndjekura për mbledhjen e Kuvendit të 11 dhjetorit në raport me statutin e PD-së, vendimi i gjyqtarit Agron Zhukri është i paprecedentë, paradoksal dhe arbitrar. Zhukri justifikon dhe legjitimon dy momente tërësisht të paligjshme: Dorëzimin e firmave të delegatëve në zyrën e Edi Palokës dhe drejtimin e një Kuvendit të 11 dhjetorit nga një komision me anëtarë që duhet të propozoheshin nga Lulzim Basha sipas statutit, por që i propozoi Berisha dhe Paloka.

Duke legjitimuar të gjithë procedurën e ndjekur nga Berisha për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar të PD-së, gjyqtari Zhukri shkruan në vendim se “rezulton nga materialet e depozituara në dosje, se një grup deputetësh dhe politikanësh të tjerë të Partisë Demokratike, në datën 10 Nëntor 2021 kanë depozituar në zyrën e Kryetarit të Këshillit Kombëtar të PD më shumë se 4200 formularë kërkesash të delegatëve të Kuvendit  Kombëtar të Partisë Demokratike, për mbajtjen e Kuvendit Kombëtar të PDSH në datën 11.12.2021 në orën 11.00”.

Zhukri ka shqyrtuar dhe justifikuar këtë hap të rëndësishëm procedural, por pa cituar bazën ligjore, pasi në asnjë pikë të statutit të PD-së dhe në asnjë rregullore të brendshme, nuk parashikohet që firmat e mbledhura të delegatëve duhet të depozitohen në zyrën Edi Palokës, që në atë kohë ishte kryetar i Këshillit Kombëtar.

Vetë gjyqtari Zhukri thotë se në asnjë pikë të statutit të tij PD-së nuk parashikohet se ku duhet të depozitohen firmat. Por, me këtë logjikë juridike, gjyqtari Zhukri arsyeton se Berisha dhe grupi i tij mund t’i depozitonin ku të donin firmat, përfshirë edhe në zyrën e Edi Palokës. Sipas tij, ky veprim, edhe pa asnjë bazë statusore, është i ligjshëm. Pra ai thotë se mundon parashikimi ligjor për organin ku duhet të depozitohen firmat e delegatëve, por arsyeton se dorëzimi i firmave tek Edi Paloka është e ligjshme! Çuditërisht ky arsyetim paradoksal përputhet me retorikën e Sali Berishës, për të justifikuar mbledhjen e Kuvendit jashtë parashikimeve statusore.

“Statuti i PDSH në asnjë dispozitë të tij, nuk parashikon organin të cilit kërkuesit e mbledhjes së Kuvendit Kombëtar, duhet t’i drejtojnë kërkesën për mbledhjen e tij, në rastet kur mbledhja e Kuvendit kërkohet nga anëtarësia. Për sa më sipër, edhe në këtë aspekt, formalizimi i këtyre kërkesave dhe përcjellja e tyre pranë Kryetarit të Këshillit Kombëtar, organ ky i cili në bazë të nenit 44 të statutit përcaktohet si organi më i lartë i cili drejton veprimtarinë politike të partisë në periudhën midis dy Kuvendeve, është në vlerësim të gjykatës i ligjshëm dhe i pa kontestueshëm”, thuhet në vendim.

Në vijim, gjyqtari Agron Zhukri del në një konkluzion që tejkalon kompetencat e tij, pasi merr përsipër ligjshmërinë dhe autenticitetin e firmave të 4200 delegatëve, verifikimi i të cilëve është jashtë mundësive dhe tagrave të gjyqtarit.

“Për sa më sipër, Gjykata arrin në përfundimin se Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike është thirrur në mënyrë të ligjshme nga një numër anëtarësh/delegatësh më i madh se ¼ e numrit të përgjithshëm të anëtarëve të tij”, thuhet në vendim.

Me interes paraqitet se si ka vlerësuar gjyqtari Zhukri momentin e dytë që e bën të pavlefshëm, sipas Lulzim Bashës, Kuvendin e 11 dhjetorit. Bëhet fjalë për parashikimin të paragrafin e dytë të nenit 43 të Statutit të PD, ku thuhet se Kuvendi i PD-së, që thirret nga 1/4 e delegatëve, drejtohet nga një komision me 5 anëtarë, të cilës propozohen nga kryetari i partisë, në rastin konkret nga Lulzim Basha.

Kuvendi i 11 dhjetorit është mbledhur në shkelje të kësaj pike të statutit, pasi anëtarët e komisionit drejtues nuk janë caktuar nga Lulzim Basha, por nga Berisha, në mënyrë arbitrare.

Po si e arsyeton këtë moment gjyqtari Agron Zhukri, bashkëshortja e të cilit ka qenë sekretare personale e Sali Berishës. Sipas gjyqtarit Zhukri, vërtetë kjo e drejtë i takon Bashës, por nëse Basha nuk e ushtron këtë përgjegjësi, komisionin mund të ngrejë kush të dojë dhe si të dojë, pa bazë ligjore.

“Fjalia e fundit e paragrafit të dytë të nenit 43 të Statutit të PDSH, parashikon se “Punimet e Kuvendit drejtohen nga një Komision i përbërë nga 5 anëtarë, i cili zgjidhet në fillim të punimeve të tij, me propozim të Kryetarit të Partisë”. Gjykata e vlerëson këtë parashikim jo si një të drejtë por si një përgjegjësi e cila i ngarkohet Kryetarit të partisë,, për të propozuar një Komision i cili pasi aprovohet nga Kuvendi drejton punimet e këtij të fundit. Mosushtrimi i kësaj përgjegjësie, në vlerësimin e gjykatës, nuk pengon organin më të lartë drejtues të PDSH, Kuvendin Kombëtar, në ushtrimin e sovranitetit të tij dhe në emërimin e një Komisioni me 5 anëtarë që drejtojnë punimet e Kuvendit... Në kushtet e konstatimit të mosushtrimit të kësaj përgjegjësie statutore nëpërmjet mungesës së një përgjigje shkresore si dhe  të mospjesëmarrjes së Kryetarit të PDSH në mbledhjen e Kuvendit Kombëtar të datës 11.12.2021, Kuvendi Kombëtar  me propozim të Kryetarit të Këshillit Kombëtar të PDSH z. Edi Paloka, i cili çeli edhe Kuvendin, miratoi me votim të hapur dhe me shumicë votash, në prani të më shumë se gjysmës së numrit të përgjithshëm të anëtarëve të tij një Komision të drejtimit të punimeve të tij të përbërë nga 5 anëtarë, si dhe një sekretariat teknik, sipas përbërjes së reflektuar në proces-verbalin e punimeve të Kuvendit Kombëtar dhe akteve të tjera të dala prej tij”, arsyeton Agron Zhukri.

Ashtu si në dorëzimin e formave, edhe këtë hap të rëndësishëm procedural, Zhukri e konsideron si të ligjshëm, edhe pse pa asnjë bazë statutore. Më tej, Zhurki legjitimon verifikimin delegatëve pjesëmarrës si dhe të votimit të vendimeve në Kuvendin e PD-së, duke ngritur lart dorën.

“Për sa më sipër gjykata vlerëson se procedurat e ndjekura për propozimin dhe miratimin e vendimeve të Kuvendit Kombëtar të PDSH të datës 11.12.2021, janë në përputhje të plotë me parashikimet statutore ne fuqi në momentin e miratimit të tyre, dhe praktika dokumentare shoqëruese e këtyre vendimmarrjeve është e plotë dhe e pakontestueshme.  Vendimet e marra në Kuvendin Kombëtar të PDSH të datës 11.12.2021 janë vendime të marra në përputhje të plotë me tagrin dhe kompetencat statutore të Kuvendit Kombëtar të PDSH, si organi më i lartë vendimmarrës i kësaj force politike dhe si të tilla ato duhet të regjistrohen në regjistrin e partive politike”, thuhet në vendim.

I.K/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • daniel: 07/04/2022 10:09

    Kesaj i thone TI VARESH UJKUT MELCITE NE QAFE... Ky shoferi qe u be gjyqetar dhe gruaja e tije ish sekretare e Sali non grates do te gjykonte ndryshe.... Problemi eshte me i thelle.... Kush ja dha per gjykim ketij plere... shorti.!!! Ketu duket qarte qe shortet jane formal dhe korupsioni ne gjykata eshte skandaloz.... Ketu fillon problemi gjyqetaret i marin ceshtjet si te duan shortet jane mashtrim... Kur do i shohim ne burg keta plera.... Gjykatat jane te qelbura....

    Përgjigju
  • Ethan: 06/04/2022 15:02

    E kuptoni qe kjo qe ka bo Zhukri si shofer-gjyqtar,vendimi,eshte per librin guines.Eshte shume e gjate dhe lodhshme per Zhukrin,lere pastaj çfare llogjike ka vendimi.Bravo Gon Zhukri,i justifikon plepat,di me shkrujt.

    Përgjigju
  • TA RRAS LALA: 06/04/2022 13:40

    Po çfar faj ka Agron Zhukri Saliu e bëri gjykatës me 7 klas shkoll e Agroni ja shpërbleu nderin. Fajtori kryesor është Edi Rama me çfar të drejte mban në drejtësi njerëz analfabet. Sa vite ka që e ka Edi Rama qeverin ? Pse si hoqi kta me ligj hiqeshin jan pa arsim e pa arsimin e duhur i pushonte me lig. Po Edi si Sala do mjergull me kta analfabet se ujku mjergull do që të haj rehat. Mjer ky popull çpo heq me kta politikan.

    Përgjigju
  • rrumpalli: 06/04/2022 11:35

    pse ca prisnit ju ta rrezonte?! Ne ka njeri me faj ne gjithe kete mesele eshte petrit ceno i partise i cili ne shkelje te ligjit nuk pranoi doreheqjen e Agron Zhukrit.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Mbledhja e qeverisë, 275 mijë familje dhe individë përfitojnë nga 15 mijë lekë shpërblim për fundvitin

Mbledhja e qeverisë, 275 mijë familje dhe individë përfitojnë nga 15 mijë lekë shpërblim për fundvitin