Madrid/17,mars/ATSH/Disa ekspertë mjeko-ligjorë në Spanjë kanë zbuluar një varr qindravjeçar, për të cilin  ata besojnë se i përket shkrimtarit të njohur spanjoll, Miguel de Servantes.
Gati 400 vjet pas vdekjes së tij, shkencëtarët besojnë se kanë gjetur eshtrat e Servantesit, gruas së tij dhe të afërmve të tjerë që janë varrosur në Madrid.
Sipas hulumtuesve identifikimi dhe ndarja e eshtrave të tij do të jetë një proces i vështirë për shkak të dëmtimeve të mëdha që kanë pësuar nga faktori kohë.
Autori i Don Kishotit u varros në vitin 1616 dhe kisha në të cilën iu dha atij lamtumira e fundit u rindërtua disa vite më parë.
Eshtrat e njeriut që njihet si "Princi i Shkronjave" u zhvendosën në fund të shekullit të 17-të në një kishë të re.
"Fundi i tij ishte ajo e një njeriu të varfër. Një veteran lufte që mori me vete vetëm plagët e tij të betejës", tha Pedro Corral, kreu i artit, sportit dhe turizmit në Madrid.