TIRANË- Hetimet 18-mujore në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, të finalizuara me vendimin për sekuestrimin e pasurive të Ylli Ndoqit, i kamufluar me emrin Xhemail Pasmaçiu, i dënuar dhe nën hetim për trafik ndërkombëtar droge, kanë nxjerrë në pah lidhjet e tij me bosin ndërkombëtar të drogës, turkun Abdulselam Turgut Yunus. Sipas dosjes së SPAK, turku dhe Ndroqi janë arrestuar në flagrancë në Turqi me heroinë. Abdulselam Turgut personifikon një nga skandalet më flagrante të drejtësisë shqiptare, me protagonist Gjin Gjonin, i cili ia mbathi nga drejtësia sapo iu ngushtua laku i Vetingut.

Bosi i ndërkombëtar i drogës, i skeduar edhe për terrorizëm, u arrestua në vitin 2011 në Rinas, për llogari të drejtësisë gjermane, pasi akuzohej se kishte trafikuar një sasi prej 1 tonësh heroinë në vitin 2009. Shtetasi turk, Abdulselam Turgut, ishte në kërkim në atë kohë edhe nga pesë shtete të Europës. Prokuroria kërkoj që të mbahej në burg. Kjo kërkesë u pranua nga Gjykata e Tiranës. Avokati e ankimoi vendimin, duke kërkuar lirimin e tij. Gjykata e Apelit, e kryesuar nga Gjin Gjoni vendosi që shtetasi turk të lihet në “arrest shtëpie”, duke e detyruar që të qëndrojë në një banesë të marrë me qira nga ai në një pallat tek Kthesa e Kamzës. Pas pak ditësh nga vendimi i Gjykatës së Apelit, është urdhëruar thirrja e Abdulselam Turgutit në Prokurorinë e Tiranës për të vazhduar me procedurat e ekstradimit për në Gjermani, por shtetasi turk nuk është gjetur më në adresën që kishte gjykata. Abdulselam Turguti përfitoi nga ky vendim i Gjykatës së Apelit, me kryesues Gjin Gjonin, për t’u arratisur nga Shqipëria me identitet tjetër.

1596626631_ylli.jpg

Ylli Ndroqi dhe Abdulselam Turgut

Emri Abdulselam Turgut doli sërish në pah në tetor të vitit 2019, tashmë në lidhje si pjesë e një celule terroriste, e cila po përgatiste sulm terrorist. Drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu në deklaratën e tij në 23 tetor të vitit 2019, u shpreh se “TURGUT ka gjithashtu lidhje të vjetra me krimin e organizuar në Shqipëri”.

Ndërkaq, në njoftimin e SPAK e të datës 3 gusht 2020, për konfiskimin e 26 pasurive të Ylli Ndroqit, thuhet se “Në datë 02.09.1998 nga ekipet e sektorit kundër narkotikëve të Drejtorisë së Policisë së Stambollit Turqi, pas kryerjes së hetimeve proaktive dy mujore, në kuadër të operacionit të policisë ″ESAS″, për trafik ndërkombëtar lëndësh narkotike, janë sekuestruar 30.5 kg lëndë narkotike heroinë dhe janë arrestuar në flagrancë shtetasit 7 shtetas mes tyre turku Abdulselam Turgut Yunus dhe Ylli Ndroqi, i paraqitur me emrin Xhemail Pasmaçiu.

Siç duket, Ylli Ndroqi dhe Abdulselam Yunus janë bërë ortakë në biznesin e drogës prej më shumë se dy dekadave më parë, ndërsa ranë në rrjetën e drejtësisë turke. Pavarësisht arrestimit dhe dënimit, Ylli Ndroqi nuk i është ndarë trafikut të drogës. Në njoftimin e SPAK të 3 gushtit 2020, thuhet se “Zyra Qëndrore Kombëtare Interpol ka përcjellë të dhëna për aktivitetin kriminal të shtetasit Ylli Ndroqi (alias Xhemail Pasmaçiu), të siguruara nga Interpol Roma/Itali. Autoritetet italaine kanë konfirmuar se në vitin 2004 shtetasi Ylli Ndroqi (alias Xhemail Pasmaciu), është referuar tek Autoritetet Gjyqësore në përfundim të operacionit ″BAKLLAVA″, si organizator i trafikut të drogës për llogari të një grupi kriminal, i përbërë kryesisht nga shtetas shqiptarë”.

Sipas dosjes së SPAK, Ylli Ndroqi u arrestua më datë 17 shkurt të 2015 bazuar në urdhër arrestin e lëshuar në vitin 2006 nga Prokuroria e Milanos, si organizator i trafikut të drogës, ndërsa mbetet mister se si Ndroqi doli nga qelia. Gjatë këtyre viteve, Ylli Ndroqi ka vepruar i patrazuar në Shqipëri. Ai hyri në tregun mediatik, duke u ekspozuar në publik si President i Ora Neës. Ylli Ndroqi ishte Konsull nderi i Meksikës, paraqitej si biznesmen i suksesshëm, ndërsa bashkëshortja e tij, ishte konsulle e Kosovës në Vlorë.

Ndroqi ndryshoi edhe emrin, nga Xhemail Pasmaçiu në Ylli Ndroqi. Çuditërisht, në regjistrimin e gjendjes civile, në fletën e ndryshimit të gjeneraliteteve, është hedhur bojë, për të fshehur gjurmët e identitetit të mëparshëm. Pas administrimit të gjurmëve të gishtave, sipas dosjes së SPAK, Ylli Ndroqi ishte Xhemail Pasmaçiu.