Juristi i ditëve të para të demokracisë thotë se Berisha po përdor dosjet e ish të përndjekurve dhe e akuzon si njeriun që në 1992, së bashku me disa eksponentë të PD-së nuk donin të hapeshin dosjet. “Mbase ai donte të fitonte kohë për të zhdukur implikimet e tij dhe bashkëpunëtorëve të tij...Nuk duhet të lihen në harresë akuzat e Hysen Shoshorit"- thotë Zef Brozi i cili prej 1995 banon në Amerikë, ku u largua pas shkarkimit të tij nga Berisha, (atehere president), kercenimeve te shumta dhe ndjekjes së SHIK-ut.
Zef Brozi jep perceptimin e tij për partinë e re të Bamir Topin, e cila "duhet të ruhet nga shantazhet" dhe rolin që Berisha mund të lozë për ta shkatërruar.
Në intervistën e publikuar sot do të lexoni dhe cfarë mendon Zef Brozi për Edi Ramën, ku gaboi ai, për Gazmend Oketën e Kreshnik Spahiun. Cili është roli i ndërkombëtarëve në ecjen përpara të Shqipërisë, dhe a ka shpresë që vendi ynë të bëhet nga Shqiptarët.
PJESA E DYTE E INTERVISTES
Në raport me atë që ju keni vuajtur e hequr dje, çfarë ka ndryshuar sot?
Disa gjëra kanë ndryshuar. Sot gjyqësori ka një mbrojtje kushtetuese të fortë dhe as që mund të flitet për heqjen e gjyqtarëve siç bëhej në vitet '94-'95. Por edhe pse kanë këto garanci kushtetuese, gjyqësori përsëri i nënshtrohet pushtetit dhe Berishës. I pandryshuar në dhunimin që i bën institucioneve, prokurorisë dhe gjykatave, është Sali Berisha. Sulmet që ai i bën Prokurores së Përgjithshme Ina Rama, janë jo vetëm të dënueshme ligjërisht, por edhe shumë vulgare e denigruese dhe synojnë paralizimin e hetimeve të korrupsionit dhe krimeve të tij e klanit të tij kriminal në pushtet dhe mafias së lidhur me pushtetin. Sa më shumë të tolerohet Berisha, sa më shumë të zgjatet koha e marrjes së tij si të pandehur, aq më rreziqe i kanosen Shqipërisë.
Si jurist si e konsideroni sistemin e drejtësisë sot? Çfarë duhet të ndryshojë në të dhe pse të gjitha perceptimet tona na bëjnë të mendojmë se ky sistem nuk bëhet?
Faktet dëshmojnë se besimi i popullit në institucionet e drejtësisë është në nivelin më të ulët të këtyre 20 viteve dhe ky është matësi më i mirë. Por unë jam i bindur se në gjykata e prokurori, ka edhe gjyqtarë e prokurorë të ndershëm e të përkushtuar. Për fat të keq, ata nuk evidentohen, nuk stimulohen, nuk vlerësohen. Edhe ata në opinion përbalten si të gjithë gjyqtarët e prokurorët që thuhet se janë të korruptuar dhe që dhunojnë ligjin duke vendosur sipas urdhërave të Berishës dhe mafias në pushtet. Bashkohem me mendimin se Shqipërisë i duhet një reformë e thellë në gjyqësor, në Prokurori, dhe në administratën publike. Gjëja e parë që duhet të bëhet dhe pa të cilën nuk do ketë kurrë drejtësi, është që në këto institucione të mos ketë gjyqtarë e prokurorë militantë partish dhe zbatues urdhërash, por misionarë të përkushtuar të drejtësisë, gjyqtarë e prokurorë që jo vetëm të jenë të përgatitur profesionalisht, por më kryesorja drejtësinë ta kenë në zemër, në shpirt dhe në mendje e sjellje; gjyqtarë e prokurorë që zbatojnë me korrektësi kushtetutën, ligjet dhe vendosin në mënyrë të ndershme, pa ndikime nga presione e ndërhyrje të pushtetit, të miqve, të të afërmëve, dhe pa u tunduar nga paratë që mund t'u ofrohen. Në Gjykatën e Lartë dhe në të gjitha gjykatat e tjera duhet të zgjidhen juristët më të mirë dhe që gëzojnë reputacion në popull. Seleksionimi dhe kushtet për të qenë gjyqtar duhet të bazohen në kritere të forta profesionale e morale dhe kandidatëve t'u bëhet hetim i gjithanshëm dhe transparent. Por reforma në drejtësi ka shumë aspekte dhe patjetër duhet të përfshijë edhe rritjen e pagave që duhet të jenë dinjitoze, rritjen e buxhetit për gjykatat, krijimi i kushteve të nevojshme të punës dhe gjykimit që të rrisë transparencën e seancave gjyqësore. Mendoj se shumë çështje për të cilat ka interes publik, sidomos kur gjykohen qeveritarë, zyrtarë e politikanë të lartë, duhet të transmetohen direkt në televizion. Duhet të rritet prania e medias, shtypit dhe publikut në sallat e gjyqeve. Duhet që të parashikohen edhe ndëshkime më të forta e të zbatueshme për gjyqtarë e prokurorë që zvarrisin çështjet, që qëllimisht vonojnë edhe hetimet, që shkelin afatet, që ndikohen nga faktorë të pandershëm në marrjen e vendimeve të paligjshme etj. Pavarësi e gjykatave nuk do të thotë se gjyqtarët janë të lirë të dhunojnë ligjin të mbrojnë krimin e korrupsionin, apo ta zvarrisin gjykimin, dhe të vonojnë tej afateve arsyetimin dhe publikimin e vendimit. Ka edhe një kusht tjetër që në Shqipëri do jetë e vështirë të bëhet realitet: Politika dhe pushtetet e tjera t'a ndihmojnë gjyqsorin, por jo ta diktojnë, bëjnë presion a dhunojnë atë.
Cili është qëndrimi dhe reagimi juaj për gjyqin Meta-Prifti?
Njëlloj si qëndrimi i institucioneve amerikane dhe europiane. Më vjen keq që Meta, ish-student i Dhjetorit të 1990-ës, që gëzoi simpatinë time edhe me grevën unikale të urisë në Parlament për një kauzë të drejtë, dhe që në fushatën elektorale të 2009-ës ia kushtoi premtimeve se do ta largonte qeverinë e korruptuar të Sali Berishës, doli kundër premtimeve që i bëri elektoratit dhe u bë faktori përcaktues për një mandat të dytë të qeverisë së korruptuar të Sali Berishës, anëtar i së cilës u bë edhe vetë. Nëse i ka mbetur ndonjë grimcë nga idealet e 1990-ës, le ta rrëzoje sa më parë qeverinë e diktatorit Berisha dhe të kërkojë edhe vënien e tij para drejtësisë. Kështu do i bënte një të mirë të madhe Shqipërisë dhe mbase do riparonte sadopak reputacionin e tij. Ndërsa Gjykata e Lartë në çështjet ndaj pushtetarëve të lartë po dëshmon të tatëpjetën e saj dhe të Shqipërisë.
Çfarë ndjesie ju la vendimi i fundit që u dha për gjyqin maratonë të Gërdecit?
Si ish Kryetar i Gjykatës së Kasacionit (Gjykatës së Lartë) që luftova me përkushtim për ndërtimin e një gjyqësori të pavarur dhe të ndershëm, e kam të vështirë të flas me atë lirshmëri kundër gjyqësorit ashtu si gjithë të tjerët dhe institucionet ndërkombëtare shprehen. Ndjej dhimbje të madhe që gjyqësori nuk është në rolin që i takon. Gërdeci është turpi tjetër i drejtësisë në Shqipëri. Në fakt, fajtorët dhe shkaktarët e vërtetë të tragjedisë së Gërdecit, Sali Berisha dhe ministrat e tij dhe të afërmit e tyre të përfshirë në këtë korrupsion, akoma nuk janë përgjigjur para drejtësisë. Gërdeci është krim i qeverisë ndaj prokuroria duhet të fillojë sa më parë hetimet e reja në këtë drejtim. Shqiptarët, dhe sëpari prokurorët e gjyqtarët, duhet të lexojnë me vëmendje edhe mesazhin që dha përsëri miku i madh i shqiptarëve dhe i së vërtetës, ish-ambasadori Amerikan John Uithers.
Sa kontribut keni pasur ju në ata që janë konsideruar "juristët e plepave" apo "shkolla e plepave"? E kam fjalën këtu për juristët që u bënë të tillë vetëm me 6 muaj shkollë?
Po kam edhe unë kontributin tim si deputet, se kam votuar pro. Në fakt qëllimi ishte që t'u jepej mundësia ish-të persektuarve politike dhe fëmijëve e te afërmëve të tyre që të kontribonin në sistemin e drejtësisë. Pasi të bënin këtë kurs ata do të punonin si ndihmësgjyqtarë dhe në administratën gjyqësore, pastaj të vazhdonin edhe Fakultetin e Drejtësisë me korrespondencë. Nuk ishte qëllimi që të bëhen gjyqtarë me kurse disa mujore. Unë kam qenë edhe anëtar komisioni në provimin e këtyre kursanteve në të Drejtën Penale. Aty kam konstatuar se shumë nga kursantët kishin mbaruar një fakultet, kishte dhe nga ata që për motive politike u ishte privuar vajtja në shkollë të lartë. Disa prej këtyre kursantëve ishin përgatitur për provim me shumë seriozitet dhe dolën me rezultate shumë të mira.
Gabimi u bë më pas nga KLD, që shkeli edhe ligjin edhe kushtet për t'u emëruar gjyqtar, sepse filloi t'i emërojë disa kursantë si gjyqtarë e drejtues gjykatash (edhe pse këta nuk kishin mbaruar akoma Fakultetin e Drejtësisë) pasi kursantët konsideroheshin militantë dhe besnikë të PD.
Eshtë rihapur në Shqipëri debati për dosjet. Kemi 20 vjet që flasim per to. A mendoni se duhet të hapen, apo mendoni se ka ardhur koha të zhduken perfundimisht?
Unë mendoj se dosjet duhej të ishin hapur që më 1992-in kur u diskutua një çështje e tillë dhe unë isha deputet. Shumë vetë ishim që të hapeshin dosjet. Por në fakt ai që nuk donte realisht hapjen e dosjeve në atë kohë ishte vetë Sali Berisha. Mbase ai donte të fitonte kohë për të zhdukur implikimet e tij dhe bashkëpunëtorëve të tij. Unë mendoja se mbase për ata që kishin vuajtur në burgjet komuniste për motive politike të bëhej një trajtim i veçantë për dosjet. Mjaft kishin përjetuar tmerret e diktaturës dhe ne duhej t'ua shtonim dhimbjet që ishin pasoja të asaj kohe. Më kujtohet se kur u ngritën disa zëra në Parlament për hapjen e dosjve, disa deputetë të PD të nxitur e urdhëruar nga Berisha filluan një fushatë të turpshme, denigruese, kundër të persekutuarve politike. U arrit deri aty sa të akuzoheshin me emër dhe me pseudonime edhe disa deputetë të PD që kishin bërë dekada në burgjet e diktaturës për krime politike. Dukej qartë që disa në PD, me presidentin në krye, donin ta shtynin sa më shumë, mbase në pafundësi, hapjen e dosjve, prandaj e përdorën sulmin ndaj ish-të persekutuarve si mjet kërcënimi ndaj tyre dhe deputetëve të tjerë.
Berisha ka bërë shantazhe ndaj kundërshtarëve dhe opozitës me gogolin e dosjeve. Ndërsa atyre që u kishte dosjet, por i mbante në detyra të larta në qeveri, në Presidencë, në institucione të larta përfshirë edhe gjykatat, i thërriste, ua kujtonte sa herë donte t'i kërcenonte dhe i bënte skllevër të tij, pra vegla të bindura të tij, që nuk ndaleshin para asnjë shkeljeje dhe krimi për të bërë atë që u thoshte Berisha. Të njëjtën gjë po mundohet të bëjë edhe sot. Jam tmerruar nga djallëzia që tregoi Berisha edhe para disa ditësh kur tha se ish-të persekutuarit politikë që janë me dosje nuk do të marrin shpërblim. Si mund ta toleroni ju, të përvuajturit e diktaturës këtë shantazh të Berishës mbi ju? Po ne të tjerët, si mund të heshtim? Si mund të humbasë si një zë në shkretëtirë, denoncimi që ish i burgosuri politik Hysen Shoshori i bëri Sali Berishës që në gjyqin e tij, kishte dëshmuar e kërkuar dënimin me vdekje (me varje)?
Si mund të lihet akoma ky persekutor në krye të qeverisë dhe të PD-së? Pra dosjen e vet le ta ketë zhdukur Berisha, se për të ka dëshmitarë të gjallë si Hysen Shoshori, apo edhe ish-oficerë të Sigurimit, apo edhe tej kufijve që kanë fakte për të dhe të tjerë si ai. Pra sot, së pari, duhet marrë vendimi për këtë dosje të gjallë e jo në letër, për Berishën, duke e larguar nga qeverisja dhe politika qoftë edhe vetëm për këtë shkak. Ashtu bëri ai ligjin e lustracionit me 1995 dhe në bazë të atij ligji vetë Berisha duhej ta pësonte. Ashtu siç e pësoi ish-Kreu i Gjykatës Kushtetuese. Kush nuk beson Shoshorin, le ta mbështesë diktatorin Berisha. Po ata deputetë që edhe vetë mund të kenë vuajtur në internime a vërtetë nuk e besojnë Shoshorin dhe po vazhdojnë të mbështesin Berishën?
Dua t'ju pyes për persona të veçantë: është folur prej kohësh për partinë e re që do të krijojë Bamir Topi. Cili është mendimi juaj? A mendoni se do të tërheqë elektoratin e djathtë?
Meqënëse i nderuari President Topi, është akoma president, nuk mund të parashikoj se si do jetë partia që ai do krijojë. Le t'ia lëmë kohës dhe fakteve të flasin vetë. Por kam dëgjuar që shumë ish-të burgosur politik, ish-pronarë që akoma mbetën ish-a, dhe shumë demokratë që janë demokratë me ideale të pastra dhe të jo të pjesës së korrupsionit të pushtetit, kanë përshtypje të mira dhe po i japin që tani mbështetje partisë që pritet të krijohet së shpejti. Kjo është një shenjë e mirë për partinë e re dhe për Shqipërinë. Uroj që Sali Berisha të mos arrijë ta uzurpojë, apo shkatërrojë këtë parti siç ka bërë me shumë parti të tjera.
Nga sa keni parë derimë tani, si ju është dukur lëvizja e deputetit Gazmend Oketa? Tërheqja e tij nga grupi parlamentar i PD dhe akuza se mbledhjet e grupit të PD janë kthyer si mbledhjet e politbyrosë së kohës së Hoxhës?
Me aq sa e njoh deputetin Oketa, kam respekt për qëndrimet e tij. Mbase ai edhe mund të mos mbahej mend për detyrat që ka pasur deri më sot, por me aktin që bëri duke u distancuar nga qeverisja e korruptuar dhe neodiktatoriale, ai do të mbahet mend për mirë për shumë kohë. Të guxosh dhe të distancohesh nga e keqja që e ka mbërthyer dhe asfiksuar PD-në dhe qeverisjen e saj, është një akt qytetar dhe atdhetar i të gjithë demokratëve të ndershëm, është një kontribut që jepet për pastrimin e politikës shqiptare. Vlerësoj shumë si aktin e Oketës, ashtu edhe të ish-deputetit të PD, Aleksandër Biberaj.
Ata ishin pjesa më idealiste e PD në këto vite, ishin demokratë me shpirt dhe mbartës të idealeve studentore. Në pamundësi për t'a ndryshuar PD e zaptuar nga Berisha, ata bënë shumë mirë të largohen prej tiranit dhe t'i shërbejnë vendit duke krijuar një forcë të re politike.
Cila është konsiderata juaj për lëvizjen e Aleances Kuq e Zi dhe Kreshnik Spahiun. Ka shumë zëra që thonë se sistemi i drejtësisë është në këtë gjendje, për shkak të dyshesh Topi-Spahiu që në fakt drejtonin një organ të lartë vendimmarrës siç është KLD?
E shoh me simpati Aleancën Kuq e Zi edhe për faktin se ajo ka bashkuar rreth vetes mijëra të rinj, brenda e jashtë Shqipërisë. Dhe unë mbështes si gjithnjë brezin e ri. Kauza e Kuq e Zi është e veçantë, është frymëzuese, sikur u kujton shqiptarëve disa vlera të tyre të venitura deri më sot, si patriotizmin dhe mospajtimin me të keqen. Kreshnik Spahiun e njoh që kur ishte student dhe ka qenë pjestar i Lëvizjes Studentore dhe në grevën e urisë të studentëve. Fushata që PD e PS kanë filluar kundër Aleancës Kuq e Zi, është shprehje e tendencave të këtyre partive për të mbajtur monopolin e politikës shqiptare. Ndërsa për sistemin e drejtësisë, konsumuam shumë gjëra më parë për gjendjen dhe mënyrën sesi duhet të ndryshojë.
Sa kohë keni që nuk flisni dhe komunikoni me Sali Berishën? Në fillimet e demokracisë keni qenë një ndër bashkëpunëtoret e tij kryesorë. A mendoni se ka ndryshuar në reforma dhe politikbërje?
Po, nga viti 1991 e deri nga mesi i vitit 1994 kam pasur marrëdhënie korrekte me Berishën. Si jurist që isha kam qenë në grupet e punës së PD për reformën ligjore. Në marrëdhëniet korrekte ka ndikuar edhe fakti se unë asnjëherë, as Berishës, askujt tjetër në PD apo kujtdo qoftë nuk i kam kërkuar poste, pra nuk kisha asnjë ambicie për pushtet se nuk më pëlqente të meresha as me politikë, as me administratë e burokraci, por doja të qëndroja aty ku isha pedagog dhe avokat. Edhe deputet, edhe Kryetar Kasacioni më kanë propozuar pa kërkesën apo dëshirën time dhe për këtë mund të dëshmojë edhe vetë Berisha, edhe Selami.
Nuk kam folur me Berishën mbase që nga vjeshta e 1994. Saktësisht nuk më kujtohet. Edhe pse unë isha i gatshëm të bashkëbisedoja me Berishën dhe drejtuesit e institucioneve të tjera, për mbarëvajtjen e punës dhe misionit të përbashkët që mendoja se kishim, Berisha dukej se nuk guxonte të ballafaqohej sy më sy me mua dhe as që të diskutonim për gjithçka na shqetësonte nëpër institucione. I kam telefonuar dy-tri herë gjatë asaj periudhe dhe i kam kërkuar takim dhe ai kurrë nuk më thoshte JO, por më thoshte se do më njoftonte vetë. Por ai njoftim nuk u bë kurrë. Një herë më kujtohet që më vjen në zyrë miku im, Azem Hajdari.
-Pse nuk e takon Berishën që të diskutoni e zgjidhni çështjet që ju ngrini,- më pyet Azemi.
-Unë mendoj se demokracinë dhe shtetin ligjior mund ta ndërtojmë jo me luftë e kundërvënie, por vetëm kur institucionet bashkëpunojnë dhe nuk ndërhyjnë në kompetencat e njëri-tjetrit. I kam kërkuar takim Berishës, por ai duket se nuk don të më takojë- ia ktheva.
-Nuk është e mundur, tha Azemi. Po ta marr unë tani në telefon dhe ti them se Zefi don të takojë, mbase të shkojmë edhe bashkë, a vjen?
-Padyshim po, merre në telefon dhe ke për të parë se do të thotë se është i zënë, por do më njoftojë vetë për takimin.
Dhe Azemi i bie direkt telefonit të Berishës dhe ai i përgjigjet. -Jam me Zefin në zyrë dhe dua të takohemi me ty, ose po të duash të vijë vetëm Zefi. Përgjigja ishte ashtu siç ia pata thënë më parë unë Azemit.
Në Shtator 1995 kur Gjykata e Kasacionit ishte e rrethuar me forca të shumta policie e shikas që Berisha i kishte dërguar për të terrorizuar këtë institucion në prag të rigjykimit të Nanos, i kam kërkuar zyrtarisht dhe publikisht Berishës, Meksit e Arbnorit që të bënim një debat direkt televiziv për të diskutuar problemet mes tre pushteteve dhe si të zgjidhim mosmarrëveshjet dhe publiku le të na gjykonte. Berisha dhe asnjë tjetër nuk patën as kurajon, as vullnetin të ballafaqoheshim. Nëse Berisha vjen ndonjëherë në Amerikë në ndonjë seance dëgjimi në Kongresin Amerikan, do kem kënaqesinë të debatoj me të në emër të së vërtetës dhe për të ligat që i ka bërë Shqipërisë.
Padyshim do të doja një konsideratë tuajën për Edi Ramën. A mund të jetë ai kryeministri i ardhshëm i shqiptarëve? Apo duhet ta shohin shqiptarët me të njëjtën ndjenjë frike, siç shohin çdo politikan në vend?
Meqënëse unë nuk jam anëtar i ndonjë partie në Shqipëri, jap krejt lirshëm dhe pa asnjë paragjykim përshtypjet e mia për politikanët dhe drejtuesit e partive aty. Me sa di unë, Edi Rama, ndryshe nga Sali Berisha, nuk ka qenë as anëtar, as sekretar i Partisë Komuniste. Edhe roli i Edi Ramës në Lëvizjen Studentore dhe përmbysjen e komunizmit është i pamohueshëm. Me sa jam në dijeni, Edi Rama u rizgjodh kryetar i PS përmes votës së anëtarëve të PS, një mënyrë demokratike që PD e Berishës, trembet t'a aplikojë. Rama si kryetar bashkie, ka dëshmuar aftësi drejtuese dhe administrative dhe ka bërë jo pak për Tiranën edhe pse në vitet 2005-2009 qeveria e sabotoi dhe pengoi me çdo mjet punën e tij. Si politikan, mendoj se Rama bëri gabime të mëdha disa vite më parë në kompromisin me Berishën për Kodin Zgjedhor dhe ndryshimet në Kushtetutë. Nuk bëri atë që duhej bërë pas tragjedisë së Gërdecit kur në fakt opozita duhej ta rrëzonte qeverinë e inkrimuar në këtë tragjedi. Por mendoj se pjekuria politike e Edi Ramës ka ardhur në ngjitje. PS e drejtuar nga Edi Rama ka meritën e madhe se i ka rezistuar përpjekjes së dyshes komuniste Berisha-Nano për copëzimin dhe shkatërrimin e PS. Gjithashtu opozita me në krye Edi Ramën dhe drejtues të partive të tjera të koalicionit me PS në vitet 2009-2011 ringjallen frymën e protestave masive popullore, mjaft të qeta e të civilizuara. Unë nuk pajtohem as me ata shqiptarë, as me disa ndërkombëtarë që protestën e 21 Janarit 2011 e quajtën si një protestë të dhunshme të papranueshme në një shoqëri demokratike. Kjo është lemeruese kur përdoret për justifikimin e vrasjeve të katër dëshmorëve të demokracisë në atë pasdite të zezë. Në Amerikë dhe në vende të tjera të demokracisë perëndimore protestat ka pasur raste që kanë qenë shumë herë më të dhunshme, madje duke pushtuar edhe instiutcionet shtetërore e djegur e shkatërruar jo makinë në rrugë si bënë disa demonstrues në Shqipëri, por godina publike e shtetërore. Por asnjë qytetar nuk u vra në ato vende. As u qëllua me armë zjarri mbi protestuesit siç bëri Sali Berisha. Vetëm ndërkombëtarët e korruptuar nga Berisha mund ta mbrojnë a përpiqen të justifikojnë krimin shtetëror të 21 Janarit.
Sot Edi Rama dhe PS janë para një prove të madhe: nëse ata do bashkohen me Berishën për të mos ndryshuar sistemin e sotëm zgjedhor dhe për të mos ndërtuar një administratë zgjedhore jopartiake, pra nëse PS-PD do bëjnë përsëri kompromisin e madh të turpit në dëm të Shqipërisë siç bënë në kodin e mëparshëm elektoral, atëherë unë do jem ndër të parët që do denoncoj edhe neodiktaturën mikse PD- PS që mund të lindë më pas.
Tani Edi Ramës nuk i falet të bjerë përsëri në kurthet, në intrigat apo në prehërin e diktaturës Berishiane. Nëse ai e bën këtë kjo do shënonte edhe të tatëpjetën e tij si lider i PS.
PS dhe opozita duhet të përgatiten seriozisht për të mos e lejuar Berishën dhe qeverinë e tij të manipulojë dhe fallsifikojë edhe zgjedhjet e 2013-ës. Mos u tregoni naïve dhe të thoni se ndërkombëtarët nuk do ta lejojnë më Berishën të bëjë edhe një masakër tjetër elektorale. As të mendoni se klani mafioz në pushtet nuk i ka filluar ende këto përgatitje.
Si i konsideroni vizitat e Spahiut dhe Ramës në SHBA këto kohët e fundit? Do të thotë se ka një mbështetje ndryshe të amerikaneve për këto figura politike ne vend?
Mendoj se miku i madh i shqiptarëve, Amerika, nuk mund të pranojë e toleroje vrasjet e 21 Janarit 2011, tragjedinë e Gërdecit dhe korrupsionin marramendës të qeverisë së sotme. Prandaj çdo përpjekje që drejtues e forca politike bëjnë drejt ndërtimit të një shteti ligjor e demokratik gëzojnë mbështetjen amerikane. Mbase sot edhe Rama, edhe Spahiu, dhe uroj e shpresoj se edhe Biberaj, Oketa e Topi, shihen si mundësi e shpresë për një politikë ndryshe dhe për ndërtimin e një Shqipërie demokratike e të begatë.
Dhe pyetja e fundit zoti Brozi, a bëhet Shqipëria me shqiptarë, apo duhet të rikthehemi pas dhe të kuptojmë drejt fjalët e Konicës?
Unë e kam pasur dhe e kam bindje se Shqipërinë mund ta ndërtojnë vetë shqiptarët, ose më saktë, Shqipëria nuk mund të ndërtohet nga të huajt për shqiptarët. Shqipërinë e kanë shkatërruar politikanët dhe pushtetarët. Prandaj shqiptarët duhet ta ruajnë vendin e tyre edhe nga shkatërrime të tjera që po i bëjnë qeveritarët e tyre të korruptuar. Natyrisht që nuk them se mbështetja e ndërkombëtarëve nuk luan njëfarë roli. Në imigracion shumë shqiptarë janë të suksesshëm dhe dallohen si punëtorë të mirë e sakrifikues. Ne si popull duhet të jemi më shumë reagues dhe kundërshtues ndaj qeverisjeve të këqia e të korruptuara, tipare këto të një shoqërie të civilizuar dhe shtetformuese. Besoj se Shqipëria ka shumë kushte të nevojshme për një jetë më të mirë, për një Shqipëri më të zhvilluar, por i mungon një Qeverisje e Ndershme dhe guximi për të rrezuar tiraninë e sotme. Pra ne shqiptarët duhet të kemi më shumë kurajo, më shumë shpresë e besim dhe as të mos e mendojmë se të tjerët do na e bëjnë të gatshme një Shqipëri siç e duam dhe ëndërrojme ne.
Ju faleminderit zoti Brozi për mendimet që ndatë për situatën e sotme në Shqipëri, në Shqiptarja.com...
Edhe unë, në fund të intervistës dua t'ju falenderoj ju Anila dhe gazetën Shqiptarja.com që më dhatë mundësinë të bashkëbisedojmë për një mori aq të gjerë çështjesh. Falenderoj edhe ata lexues që do kenë durimin të lexojnë intervistën time aq të gjatë.
Fund, Mars 2012
( Në numrin e djeshëm Zef Brozi komentoi për emocionet e lëvizjes së dhjetorit dhe pse mendon se studentët e sotëm duhet të bëjnë “lëvizjen pranverore”. Raportet e tij me Sali Berishën nga viti 1991 deri në vitin 1994 dhe përndjekja e persekutimi, deri në akuzën që i bën Berishës për eleminim fizik në vitin 1995, nga ku më pas u detyrua që të marrë azilin politik në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Zef Brozi jep përshtypjen e tij për parinë e Tiranës dhe thotë se mbi kryeministrin aktual rëndojnë krime për të cilat ai duhet të japë llogari. Pjesen e pare te intervistes mund ta lexoni ketu
http://www.shqiptarja.com/news.php?IDNotizia=74319&IDCategoria=1)
(sg/shqiptarja.com)