Burri vrau gruan e më pas veten në Divjakë, zemërthyer i biri Leonardi tregon si e largoi i ati para krimit: Kur vajta në shtëpi, dera ishte mbyllur! Nga dritarja pashë mamanë të larë në gjak

Hekuran Rrasa 58 vjeç vrau bashkëshorten e tij Fëllënxa Rrasa 45 vjeçe, me çifte gjahu, e më pas qëlloi dhe veten. Stafi i “Pa Gjurmë” mbërriti pranë familjes, aty ku tashmë ka mbetur vetëm djali 21-vjeçar, Leonardi. Policia i mshon faktit se arsyeja e këtij krimi ka qenë gjendja e keqe ekonomike në të cilën ndodhej familja, kushtet e së cilës shihen qartë nga pamjet e siguruara nga Report Tv. Një varfëri ekstreme, mure që ishin gati të copëtoheshin nga lagështira. Tavani i çarë që fuste brenda çdo gjë që binte jashtë.

Brahim Rrasa, një prej vëllezërve të të ndjerit Hekuran Rrasa tregoi se si ndodhi gjithçka pasditen e kobshme të 18 shtatorit. Ai ndodhej në shtëpinë e tij kur rreth orës 17:00 u dëgjua në krismë, e dy minuta më pas një tjetër. I shqetësuar njoftoi vëllain dhe më pas Leonardin për të parë se mos diçka e keqe kishte ndodhur në shtëpinë e tij.

“Unë ndodhesha në shtëpinë time, kisha miq, kur dëgjuam një krismë, ishte krismë e keqe, e mbyllur dhe ma ndjeu zemra diçka të keqe. Pak minuta më pas u dëgjua një krismë tjetër njëlloj si e para. Mora në telefon vëllain se nuk ia kisha numrin Leonardit dhe ai i tha që të vinte të shihte në shtëpi. Djali kishte shkuar për kafe dhe erdhi, i gjeti prindërit të vrarë”, tregoi Brahimi.

Sipas tij, arsyeja kyçe se pse ndodhi ky krim makabër, ka qenë për shkak të kushteve të rënduara psikologjike që ka pasur Hekurani në ato momente, që vijnë si pasojë e varfërisë ekstreme në këtë familje.

“Unë nuk di gjë me saktësi, pasi vëllai im nuk më kishte shprehur asgjë, vetëm ata të dy e dinë të vërtetën. Por unë mendoj se për shkak të ekonomisë së dobët ka ndodhur gjithçka. Ata kishin pasur grindje më parë, jo ndonjë gjë kushedi se çfarë, si çdo familje, dhe për këtë arsye, për ekonominë, derisa arriti deri këtu. Ai mori veten në qaf, dhe bijën e botës. Djalin e la jetim”, shtoi Brahimi, i cili na vuri në dispozicion edhe disa fotografi familjare të vëllait të tij të ndjerë, Hekuranit. Ato momente të kaluara në harmoni me familjen, të cilat do t'i ruajnë gjithnjë si kujtime më të bukura. 

Hekuran  Rrasa

Hekuran  Rrasa në moshë të re

Hekuran Rrasa me nipin

I pikëlluar dhe në gjendje jo të mire ishte Leonardi. Kur kishte hyrë në shtëpi derën e dhomës ku kishte ndodhur krimi e pati gjetur të mbyllur nga brenda dhe nuk mund të hynte. Nga dritarja pa se brenda ishte bërë masakër.

“Unë isha në kafe, erdha se më morën në telefon dhe i gjeta brenda të dy të vdekur. Dera ishte mbyllur nga brenda dhe nuk hyja dot. Më mirë që nuk hyra se po ta shihja të gjithë do kisha vdekur. Pashë nga dritarja, vetëm nënën e vdekur se babai ishte mbështetur te dera dhe s’e shihja dot. Pastaj erdhi xhaxhai, policia…”, u shpreh Leonardi me lot në sy dhe frymën që i mbahej nga ankthi.

Dhoma ku ndodhi vrasja e dyfishtë ishte e mbyllur nga jashtë me kyç, pasi askush nuk guxon të futet brenda.

“Aty është lemeri”, tha Brahimi.

Leonardi shtoi se prindërit e tij kishin pasur konflikte të vogla, por megjithatë e kishte parë të atin të shqetësuar ditët e fundit, madje as në punë nuk kishte shkuar. Leonardi e kishte pikasur këtë shqetësim, por nuk mendoi kurrë se do ndodhte gjëma.

“Babi punonte ku të kishte mundësi, ndërsa nëna merrej me punë fshati. Nuk shkoja as në shkollë se nuk ishim të aftë. Nuk ushtronte dhunë, por kishin konflikte të vogla. Policia asnjëherë nuk ka ardhur në shtëpinë tonë. Unë atë ditë kisha vënë re që ishte i shqetësuar, nuk ndihej mirë e pashë, por nuk ma mori mendja që do vriste mamin dhe veten. Nuk më kishte thënë gjë për ndonjë problem, nuk më tregonte. Më tha ik bli paketë cigare, më largoi dhe ndodhi kjo. Tani unë s’kam njeri, kam mbetur vetëm, çfarë të bëj? Dua ndihmë se jam në mes të katër rrugëve”, përfundoi Leonardi, tepër i tronditur nga ana emocionale dhe mendore.

Xhaxhai i tij Brahimi tha se me sa kishte mundësi do e ndihmonte djalin, por janë institucionet ato që duhet të mendojnë më shumë për këtë djalosh të ri që ka mbetur jetim, i papunë dhe në kushte mizerable jetese.

 

Emisioni i plotë

O.D.//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë