Zëvendëskryeministri i Kosovës në Shtëpinë e Bardhë: Serbia s’është e gatshme për normalizim të marrëdhënieve

Besnik Bislimi në Shtëpinë e Bardhë me Michael Carpenter

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, gjatë një takimi në Shtëpinë e Bardhë me drejtorin për Evropën në Këshillin e Sigurisë Kombëtare amerikane, ambasadorin Michael Carpenter, tha se Serbia nuk është e gatshme për normalizim të raporteve me Kosovën.

Bislimi tha se tregues për këtë mosgatishmëri të Serbisë për normalizim dhe fqinjësi të mirë është sulmi i 29 nëntorit në Varragë të Zveçanit, ndaj kanalit të Ibër Lepencit.

Ky kanal furnizon me ujë nga Liqeni i Ujmanit gjithë veriun e Kosovës, rajonet e Mitrovicës, Prishtinën me rrethinë, si dhe Korporatën Energjetike të Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj.

Për këtë sulm, që Kosova e konsideron terrorist dhe i cili është dënuar ashpër nga Shtetet e Bashkuara, Prishtina e bën fajtor Beogradin. Por, Serbia ka mohuar përfshirjen dhe ka thënë se do ta hetojë këtë rast.

“Ai [Bislimi] theksoi dhe nevojën që akti i agresionit i Banjskës i shtatorit të vitit të kaluar si dhe sulmi i fundit në Ibër-Lepenc të ndëshkohen me masa konkrete, në mënyrë që të parandalohet që Serbia të përsërisë sulme të përmasave të tilla që minojnë sigurinë e vendit dhe të rajonit”, u tha në njoftimin e Qeverisë së Kosovës.

Kosova po ashtu fajëson Serbinë për sulmin e 24 shtatorit të vitit të kaluar në Banjskë të Zveçanit, kundër Policisë së Kosovës. Një grup serbësh të armatosur sulmuan Policinë duke vrarë një rreshter. Gjatë këmbimit të zjarrit u vranë edhe tre sulmues.

Serbia mohon akuzat për përfshirje në këtë sulm, përgjegjësinë për të cilin e ka marrë Millan Radoiçiq.

Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit – në aktakuzën e ngritur nga autoritetet në Kosovë për Banjskën, konsiderohet si organizatori dhe udhëheqësi i sulmit. Kosova kërkon që Serbia ta ekstradojë atë.

Në takimin në Shtëpinë e Bardhë, Bislimi - i cili njëherësh është edhe kryenegociator i Kosovës në procesin e dialogut - tha se Kosova vazhdon të mbetet konstruktive dhe e angazhuar në dialogun për normalizim të raporteve që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian dhe që mbështetet nga SHBA-ja.

Ai po ashtu ka folur për zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve.

Kjo marrëveshje u arrit vitin e kaluar. Palët nuk e nënshkruan atë për shkak të kundërshtimit të Serbisë. Por, BE-ja thotë se pavarësisht se nuk është nënshkruar, marrëveshja është e obligueshme për palët dhe ka thënë se Kosova dhe Serbia ende s’kanë nisur zbatimin e saj.

Marrëveshja prej 11 nenesh, ndër tjerash parasheh një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, që Serbia të mos bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, dhe kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut./ REL

K.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 10 Janar, 11:51

    A duhet të çojë SPAK Berishën përpara Gjykatës për masakrën e 21 janarit?



×

Lajmi i fundit

I shpallur në kërkim ndërkombëtar, arrestohet 34-vjeçari në Britani! GJKKO i kishte vënë masën 'Arrest në burg' për grup të strukturuar kriminal (EMRI)

I shpallur në kërkim ndërkombëtar, arrestohet 34-vjeçari në Britani! GJKKO i kishte vënë masën 'Arrest në burg' për grup të strukturuar kriminal (EMRI)