Bernardino González Vázquez do të jetë drejtori i ri i Departamentit të Arbitrave në FSHF. Spanjolli i cili ka patur një karrierë të suksesshme, duke arbitruar në La Liga, por edhe në kompeticionet evropiane, zëvendëson Sokol Jarecin, i cili vitet e fundit ka patur përplasje me drejtuesit e klubeve shqiptare. Përveçse ish-arbitër, Bernardinho Vazquez ka mbajtur edhe rolin e drejtuesit në federatën spanjolle, ndërsa në FSHF do të jetë kryetar i Komitetit të Arbitrimit dhe do të drejtojë Komisionin e Dizenjimit, Komisionin e Vlerësimit dhe Komisionin e Vëzhgimit.
“Erdha këtu për të vendosu eksperiencën time në dispozicion të arbitrave shqiptarë. Mesazhi im për arbitrat shqiptarë është shumë i thjeshtë: unë do të jem njëri prej jush dhe do të bëj më të mirën që ju të rriteni, të përmirësoheni dhe të zhvilloheni. Mund t’ju premtoj dy gjëra: do të punoj fort dhe do të jap gjithçka për të krijuar besueshmëri,”-u shpreh Bernardino González Vázquez, drejtor i departamentit të arbitrimit.
Në prezantimin e tij Vazkuez bëri të qartë se ka ardhur në Shqipëri me një rekomandim të veçante nga UEFA dhe më konkretisht nga shefi i gjyqtarëve Roberto Roseti.
“Arbitrimi është një nga shtyllat më të rëndësishme të futbollit. Një kampionat cilësor kërkon jo vetëm lojtarë dhe trajnerë të mirë, por edhe arbitra të përgatitur, të pavarur, profesionalë dhe të aftë për të përballuar presionin e niveleve të larta të konkurrimit,”-tha Geri Çipi, zv/president i FSHF-së.
Këtë të premte është hedhur edhe shorti për sezonin e ri të Kategorisë së Parë në futbollin shqiptar, që nis më 5 shtator 2026 dhe përfundon me 2 maj 2027. Që në javën e parë ra në sy supersfida mes Besës dhe Flamurtarit, dy skuadrave të cilat këtë cilat rivalizojnë për t’u ngjitur në elitë.









Komente
Komento