Zgjedhje ose jo/ PS nis fushatën në
terren për pjesëmarrje në referendum

Zgjedhje ose jo/ PS nis fushatën në<br />terren për pjesëmarrje në referendum
TIRANË - Partia Socialiste ka nisur punën me strukturat e saj për të siguruar pjesëmarrjen e anëtarëve të partisë në referendumin e 9 prillit. Deputetët e kësaj partie, kanë nisur takimet me drejtuesit lokalë, duke synuar që në referendum të marrin pjesë jo më pak anëtarë se sa morën në zgjedhjen e delegatëve për në Kongres. Synimi i PS është që të mos ulen nën këtë përqindje pjesëmarrjeje, për të mos dhënë një argument shtesë për rivalin e Ramës, Ben Blushi. “Sot në takim me shtabin drejtues të PS Peqin, për fillimin e përgatitjeve për Referendumin e datës 9 Prill”-shkruan Anastas Angjeli.

Po ashtu edhe deputetë të tjerë, në qarqe të ndryshme, janë duke punuar për votimin pas dy javëve. "Kur partia Socialiste është në qeveri dhe kryetari i saj është kryeministër a konsiderohet i rinovuar automatikisht mandati i kryetarit"? Kjo është pyetja të cilës do të duhet t'i përgjigjen me "Po" ose "Jo" anëtarët e PS.  Kongresi i PS vendosi tre ditë më parë që interpretimin e mandatit të Edi Ramës t’ia jepte vetë anëtarësia e PS, përmes një referendumi. Partia Socialiste do të thërrasë 94 mijë anëtarët e saj në një referendum në datën 9 prill.

Kongresi i Partisë Socialiste ka miratuar propozimin e kryetarit të PS, Edi Rama, për mbajtjen e një referendumi për çështjen e mandatit të tij në krye të PS.  Për të shuar debatin e brendshëm në PS, tha Rama, ai i drejtohet Kongresit që të miratojë propozimin e tij për referendumin.  “Është anëtarësia që duhet ta ndajë këtë muhabet të stisur. Janë ata që duhet të thonë me votën e tyre nëse duhet të vazhdojmë duke konfirmuar mandatin mbi bazën e statutit të ri. Nëse ata nuk do ta konfirmojnë mandatin mbi bazën e statuti, sigurisht që bujrum, të bëjmë zgjedhje në parti, të bëjmë një muaj punë që nuk është puna jonë sot. Kam kundra shumë nga kolegët, për arsye tërësisht të kundërta me arsyet e kolegëve që thonë se këtu po bëhet hataja, por do t’ju lutesha që të mos e kalojmë këtë moment, duke e mbyllur me një votë tiranike në këtë Kongres.

T’u japim mundësi të gjithëve dhe marrim përgjigjen jo nga lart, por nga poshtë, nga të gjithë socialistët", ka thënë Rama. Ben Blushi kundërshtoi dhe njëherë tjetër propozimin e kryetarit të PS, Edi Rama, për referendumin. Sipas tij, kjo është një përpjekje e kreut të PS, për t’i ikur zgjedhjeve. “Referendumi nuk bëhet për njerëz. Zgjedhjet bëhen për njerëz. Ne sapo e votuam statutin që s’ka fuqi prapavepruese.

Çfarë do të thotë referendum? Që të zëvendësojë zgjedhjet? Ja ku po ia them në sy, referendumi bëhet në bazë anëtarësie dhe votojnë, pyetja është pikëpyetje e madhe, votojnë këta, çfarë ndryshimi ka që mblidhen 100 mijë vetë, votojnë një pyetje dhe nuk votojnë dy njerëz?Prandaj, e konsideroj antistatutor, të paarsyeshëm, të papranueshëm, e konsideroj një hile për t’i ikur garës brenda PS. Ka 3 vjet që ndodh kjo. Se kush është stërshumica dhe pakica, ka vetëm një mundësi verifikimi, të bëjmë zgjedhje", u shpreh Blushi.

Ndërhyrja e tij, pas miratimit të statutit të ri të PS, u prit me kundërshti nga delegatët e pranishëm në Kongres. Kundër referendumit u shprehën dhe anëtarë të tjerë të PS, përveç kritikëve. Gjatë diskutimit në Kongres, kreu i grupit të punës për hartimin e ndryshimeve statutore, Fatmir Xhafaj, tha se miratimi i statutit të ri ka mbyllur çdo diskutim tjetër.

"Duhet hequr dorë nga ideja e referendumit. Statutin o e keni votuar, o s’e keni votuar. Nga sot, përgjigjen e ka dhënë Kongresi. Nga dita e sotme, të gjitha strukturat e PS, zgjidhen me këtë statut. S’ka tjetër diskutim, këtu mbarojnë diskutimet. Kongresi duhet t’i bëjë qejfin statutit që e miratoi", u shpreh Xhafaj. Në fund, Kongresi miratoi me vetëm 6 vota kundër referendumin, ku u evidentua vota kundër e Fatmir Xhafajt, Alket Hysenit, Maqo Lakrorit, Ben Blushit dhe Petrit Agos.

Ankesa në KGS
Mimoza Hafizi kundër pyetjes së referendumit në PS
Mimoza Hafizi ka shprehur një tjetër rezervë lidhur me vendimmarrjen brenda Partisë Socialiste. Për të, pyetja e formuluar për tu drejtuar socialistëve në referendumin e 9 prillit, nuk është e vlefshme, pasi ajo nuk është miratuar nga Kongresi, i cili ka autoritetin për ta bërë këtë. Në këto kushte, Hafizi i ka dërguar një kërkesë Komisionit të Garancive Statutore në PS, për interpretim të neneve 45 dhe 72 të projekt statutit të miratuar në Kongresin e PS ku kërkon shpalljen si të pavlefshëm vendimin e Ruçit.

“Kërkoj deklarimin si absolutisht të pavlefshëm të çdo vendimi që në formë dhe në përmbajtje nuk përputhet me vendimin që miratoi Kongresit i PS, për zhvillimin e referendumit të datës 09.04.2016. Nëpërmjet mediave online jemi vënë në dijeni se është zbardhur një vendim Nr..., datë 19.03.016, i Kongresit të PS mbajtur më datë 19.03.2016, nënshkruar nga Z. Gramoz Ruçi, për zhvillimin e referendumit të datës 09.04.2016, me anëtarësinë e partisë, -me çështje që ushtrohet në Referendum “Kur Partia Socialiste është në qeveri dhe Kryetari i saj është i zgjedhur Kryeministër: A konsiderohet i rinovuar automatikisht mandati i Kryetarit?” -me formë të referendumit “vendimmarrës”, -me pjesëmarrje në referendum “anëtarët e Partisë Socialiste”-shprehet Hafizi, e cila argumenton se Kongresi i PS, edhe pse vendosi se do të mbahet një referendum, nuk miratoi: - formulimin e pyetjes specifike të shtruar për referendum, si në variantin e vendimit të nënshkruar nga z. Gramoz Ruçi -formën e referendumit; -rregullin e pjesëmarrjes.

Për këtë arsye ajo kërkon: “Konstatimin si absolutisht të pavlefshëm të Vendimit të zbardhur Nr..., datë 19.03.016, të Kongresit të PS datë 19.03.2016 nënshkruar nga Z. Gramoz Ruçi për zhvillimin e referendumit të datës 09.04.2016, si një vendim që në formë dhe në përmbajtje nuk përputhet me vendimin që miratoi Kongresi në këtë datë, për zhvillimin e këtij referendumi”-thekson Hafizi. Në mbyllje të kërkesës së saj, deputetja e Shkodrës kërkon që kërkesa e saj të shqyrtohet përpara mbajtjes së referendumit në 9 prill.

Interpretimi i KGS: Vendimet e Kongresit prevalojnë
Sipas Kodit të Zgjedhjeve të Partisë Socialiste, një referendum në radhët e kësaj force nuk mund të zhvillohet deri në 2 muaj pas Kongresit, afat i cili skadon pikërisht në 19 maj, ndërsa referendumi për mandatin e kryetarit të kësaj force zhvillohet në 9 prill. Në nenin 56 të këtij kodi sanksionohet që Referendumi në parti nuk mund të zhvillohet: a. Dy muaj para dhe dy muaj pas Kongresit të Partisë. b. Një muaj para fillimit të fushatës për zgjedhjet në parti. c. Një muaj para fillimit të fushatës për zgjedhjet parlamentare dhe organet e qeverisjes vendore.

Por sipas Komisionit të Garancive Statutore, Vendimi i Kongresit është një nga aktet më të larta në hierarkinë e normave partiake, kurse Kodi i Zgjedhjeve është i miratuar me vendim nga Asambleja Kombëtare, si i tillë është një normë inferiore në hierarkinë e normave partiake. Në këtë mënyrë vendimi i Kongresit prevalon.

Zgjedhjet
Komisioni i Garancive Statutore ende pa kryetar
Aktualisht, Komisioni i Garancive Statutore pranë Partisë Socialiste, e njohur si gjykata e normave të partisë, është pa kryetar. Kongresi zgjodhi në 19 mars 9 anëtarë të rinj të këtij komisioni, mes të cilëve është rizgjedhur edhe kreu i mëparshëm i këtij komisioni, Alket Hyseni. Në mbledhjen më të parë të tij, komisioni do të konstituohet, duke zgjedhur kryetarin e ri të tij, nënkryetarin dhe sekretarin. Burime nga selia rozë bëjnë me dije do të jetë përsëri Hyseni që do të rikonfirmohet në krye të këtij organi.

Aktualisht, deri mbrëmjen e djeshme ky komision nuk ishte mbledhur, teksa burime pranë tij, thanë se ende nuk kanë vendosur se kur do të shqyrtojnë kërkesën më të fundit të deputetes socialiste, Mimoza Hafizi. Më herët komisioni ka shqyrtuar një tjetër kërkesë të një grupi deputetësh, që kërkonin shqyrtim të mandatit të Edi Ramës në krye të PS-së. Komisioni i Garancive Statutore pranë Partisë Socialiste është shprehur mbi kërkesën e 12 socialistëve, kryesuar nga Arta Dade e Mimoza Hafizi lidhur me interpretimin e çështjes së zgjedhjes së kryetarit të partisë.

Në përgjigjen drejtuar kërkuesve, Komisioni shprehet se çështja e kryetarit është kompetencë e Kongresit, dhe ky i fundit do të vendoste për këtë çështje. Nënshkrues të kësaj letre ishin deputetët Ben Blushi, Arta Dade, Mimoza Hafizi, dhe Namik Kopliku, ish-presidenti Rexhep Meidani, si dhe figura të njohura me kontribute ndër vite, si Ndre Legisi, Petrit Ago, Mark Nikolli, Marko Bello, Tritan Kalo, Suzana Hakrama dhe Maqo Lakrori.


Redaksia Online
(E.Ç./Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?



×

Lajmi i fundit

Një letër për studentin e gazetarisë në kohën e marrëzisë

Një letër për studentin e gazetarisë në kohën e marrëzisë