Brenda datës 4 dhjetor… Ky është afati i fundit që ka përcaktuar Sali Berisha për përmbylljen e primareve, ku do të përzgjidhen kandidatët për kryetar bashkie, të cilët do të marrin pjesë në zgjedhjet vendore 2023. Afatin e bëri të ditur gjatë ditës së sotme në mbledhjen e Kryesisë, bëjnë me dije për gazetaren e Report Tv Danjela Maloku. Të parat që do të mbajnë primaret, do të jenë Tirana, Elbasani dhe Durrësi ndërsa kandidatët kanë vetëm 2 javë kohë për të bërë fushatë.
Deri më 6 nëntor do të kryhen negociatat me aleatët dhe evidentimin e kandidaturave. Nga data 6 nëntor deri më 13 Këshilli Kombëtar filtron kandidaturat dhe dalin emrat zyrtare.
Por më shumë sesa primaret, Berishën e shqetësojnë përgatitjet e Edi Ramës për zgjedhjet vendore, teksa ditën e sotme, gjatë mbledhjes së kryesisë tha se po përgatitet për kasaphanë zgjedhore. Paralel me primaret për zgjedhjen e kandidatëve, Berisha ka paralajmëruar se do të rikthehen protestat e fuqishme.
Ky vendim i sotëm i Berishës vjen në një kohë kur 2 grupet e PD kanë zhvilluar takimin e parë për bashkimin e demokratëve. Berisha ka theksuar se nuk bën kompromis për primaret ndërsa PD dhe Rithemelimi po zhvillojnë bisedime për bashkimin e demokratëve. Ish kryeministri zgjodhi të mos komentojë takimin e parë të negociatorëve Paloka-Bardhi për bashkimin e PD por duket se nuk ka humbur kohë për të caktuar afatin e fundit për përmbylljen e primareve.
Për herë të parë, sot dy palët në Partinë Demokratike u ulën për 90 minuta për të gjetur dakordësinë që në zgjedhjet vendore 2023 të dalin me një kandidat. Edi Paloka i grupit Berisha tha se ka vullnet për bashkim, ndërsa takim konstruktiv e quajti disa orë më vonë edhe negociatori i grupit Alibeaj, Gazment Bardhi. Por ai apelon që kampi tjetër të mos vijojë procese të njëashme për të zgjedhur kandidatin.