Në prag të nisjes së përgatitjeve për zgjedhjet vendore të vitit 2027, me një hartë të re të bashkive në tryezë, kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi ftoi të premten në një takim përfaqësuesit e partive politike për të diskutuar zgjerimin e teknologjisë në zgjedhje, votimin dhe numërim elektronik
Temë, për të cilën PD është e prerë se nuk ofron garanci për sigurinë e votës, ndaj këtë të hënë Sali Berisha u përgjigj publikisht dukë thënë se selia blu është kundër votimit dhe numërimit elektronik, qoftë edhe në një bashki të vetme.
“Asnjë bashki nuk pranojmë ne numërim elektronik, në mënyrë të prerë. Partia Demokratike nuk pranon! Numërimi elektronik është manipuluar në mënyrë të turpshme. Në numërimin elektronik është implikuar direkt dhe shërbimi informativ kombëtar, narko-shërbimi informativ tani. Janë krijuar servera paralelë, ka pasur probleme të mëdha, ne nuk pranojmë asgjë të manipulueshme më në procesin zgjedhor”, tha Berisha.
Ndryshe nga PD, socialistët kërkojnë që votimi dhe numërimi elektronik të shtrihet edhe përtej bashkive ku u implementua në zgjedhjet e shkuara. E kontaktuar nga Report Tv përfaqësuesja ligjore e PS në KQZ, Elena Xhina, tha se së shpejti do t’i dërgojë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve listën me bashkitë që shumica sugjeron të zgjerohet votimi elektronik, të cilin ndryshe nga opozita e shohin si garanci shtesë për votën.
“Modernizimi i procesit zgjedhor nuk është thjesht çështje teknologjie, por një investim në cilësinë e demokracisë dhe në forcimin e besimit te institucionet”, shkroi në Facebook.
Ndërkohë sipas KQZ, në tryezën e diskutimit, edhe të gjitha partitë e tjera të vogla, ishin dakord për zgjerimin e votës elektronike.
Zgjedhjet vendore, do të mbahen në pranverën e vitit 2027, ndërsa data duhet të dekretohet nga presidenti Bajram Begaj pas konsultimit me partitë politike brenda afatit që i përcakton ligji, 6 nëntorit.











Komente
Komento