Socialistët kanë ndezur zyrtarisht motorët e fushatës elektorale për zgjedhjet vendore të 9-majit të 2027-ës.
“Nga sot ne nisim këtë fushatë me 3 drejtime, deri në dhjetor konsolidojmë strukturat, deri në mars punë në terren dhe më pas fushata zgjedhore i fitores historike”, tha Manastirliu.
Drejtuesja politike e Bashkisë së Tiranës, Ogerta Manastirliu prezantoi në Asamble, strukturën e re të organizimit të PS në Tiranë në funksion të zgjedhjeve vendore të ardhshme.
“Organizimi i ri do të ketë 5 nivele përgjegjësie, me 19 deputetë dhe ministra, të ndarë në 27 njësitë zgjedhore të Tiranës, ku janë edhe 3 fshatra. 34 blloqe do të jenë formë organizimi për praninë besnike në territor, 30 koordinator zonal dhe 420 të deleguar dhe gjithë skuadrën tonë socialiste të Tiranës. Kjo është skuadra jonë që është gati të nisë rrugëtimin për fitoren e radhës për Bashkinë e Tiranës”, tha Manastirliu.
Kjo strukturë e re organizimi tha Manastirliu duhet të garantojë që bashkia të rifitohet dhe të dalë nga “kriza e drejtimit” ku ndodhet aktualisht.
“Ka një krizë në drejtimin e punëve të Tiranës. Por PS-ja di ta kthejë krizën në mundësi. Ndaj ka vetëm vend për punë, as për demotivim apo çorientim. Na duhet 10 herë më shumë punë se në zgjedhjet e fundit për t’i fituar. Këtu është qeveria dhe gjithë bashkia duhet të bëjë detyrën”, tha Manastirliu.
Për herë të parë si bashkëdrejtues të socialistëve të kryeqytetit, morën fjalën në Asamble Albana Koçiu dhe Ervin Demo.
“Përgjegjësinë e ndaj me Ervinin dhe të dy së bashku do të japim besën për të qenë me çdo socialist të vërtetë, për t’i dëgjuar në çdo hall... ne me organizatat tona socialiste do të bëjmë të mundur të mos lëmë jashtë askënd që ka një ide për të përmirësuar qytetin”, tha Koçiu.
“Sot askush prej nesh këtu nuk flet nga pozita e një drejtuesi që ka përgjigje për gjithçka. Ne kemi ardhur me bindjen se duhet të dëgjojmë më shumë njëri-tjetrin dhe të ndërtojmë ura më të forta komunikimi. Tirana është shtëpia e të gjithëve”, tha Demo.
Zgjedhjet vendore 2027 për socialistët vijnë me një tjetër risi, sa i takon përzgjedhjes së këshilltarëve bashkiak. Përmes një portali, qytetarët mund të aplikojnë deri më 15 janar 2027, për të qenë pjesë e PS-së në këshillat bashkiakë.
“Kemi 10 aplikime, duam 20 të përzgjedhur deri në mars, në shkurt do te ketë intervista, më pas do të ketë sfida për ata, dhe më pas ballafaqimi publik... zgjedhim më të mirët mes të mirëve...Një pjesë zgjidhen nga aplikimet pjesa tjetër nga PS”, tha Vëngu.
Më pak se 6 muaj para ditës së votimit, ajo që mbetet të shihet është dhe emri me të cilin socialistët do të kërkojnë të përsërisin fitoren e katërt radhazi në kryeqytet, në një situatë jo fort të qetë, me protestat nga njëra anë dhe një beteje të brendshme me kryebashkiakun Erion Veliaj nga qelia.
Drejtuesja politike e PS Tiranë dhe njëherësh zv.kryeministrja Albana Koçiu, kërkoi bashkim në rrugëtimin drejt zgjedhjeve të 9 majit. Ajo tha se çdokush e ka derën e hapur për të ndarë shqetësime e sugjerime, por theksin e vendosi te afrimi i grave në parti dhe fuqizimin e zërit të tyre.
Javën e ardhshme, Koçiu tha se do të nisë një kalendar intensiv takimesh në terren për përgatitjen e PS Tiranë.
“Të dashur miq, kjo është përshëndetja ime e parë në fakt në cilësinë e bashkëkryetares së Tiranës dhe për hir të së vërtetës do dua që me të gjithë ju të ndaj peshën e përgjegjësisë për besimin e dhënë dhe për angazhimin që do duhet të kemi së bashku të gjithë kështu si një skuadër e madhe për fitoren e majtë për zgjedhjet e pushtetit vendor për bashkinë e Tiranës. Përgjegjësinë e ndaj në fakt së bashku me Ervinin dhe të dy së bashku do të japim besën për të qenë në çdo organizatë socialiste, me çdo socialist të vërtetë, por dhe me ata që janë mërzitur nga ne për t'i dëgjuar në çdo hall, në çdo shqetësim dhe për të lidhur sërish besën për të qenë të pranishëm, për të dëgjuar jo vetëm shqetësimet, por dhe sugjerimet e tyre.
Ashtu siç edhe kryetari, kryeministri Rama e tha, ne duhet të ndryshojmë mënyrën e organizimit të Partisë Socialiste në territor. Do ta bëjmë këtë bashkë duke qenë prezent derë më derë, duke përfshirë çdo komunitet, çdo shtresë, sepse Partia Socialiste është një derë e hapur për të gjithë. Nisma që do të prezantojmë pak më vonë në fakt edhe e dëshmon këtë. Dera e hapur është për këdo që mendon që ka një zë në komunitet, që mendon se përfaqëson më së miri komunitetin e tij, ka dëshirë të jetë aktiv në politikat publike. E për këtë qëllim ne me organizatat tona socialiste do bëjmë të mundur që të mos lëmë askënd i cili ka një mendim, një sugjerim të vlefshëm për të përmirësuar qytetin tonë. Ndërkohë nga ana tjetër nuk do të lija pa përmendur këtu dhe forcën e jashtëzakonshme të grave socialiste. Kudo ku unë kam patur eksperiencën time si drejtuese politike në njësinë 11 në Laprakë, në njësinë 6 në Kombinat, kam vënë re një energji të jashtëzakonshme të grave. Gratë në Partinë Socialiste kanë qenë gjithmonë të mirëpritura. Kjo falë edhe vizionit të kryetarit Edi Rama për t'i hapur dyert jo vetëm në organizimet e partisë, por në qeverisje, në vendimmarrje, në politika publike. Do vazhdojmë ta bëjmë këtë së bashku. Do vazhdojmë t'i fuqizojmë gratë, të dëgjojmë zërin e tyre. Gratë janë të domosdoshme për të vendosur atë ekuilibrin në organizatat tona. Për këtë qëllim ne do duhet që bashkarisht të vijojmë dhe të afrojmë sa më shumë gra intelektualesh, shtëpiake, ato të cilat përkujdesen çdo ditë për familjen e tyre, sepse me zërin e tyre, me përgjegjësinë dhe me vetëmohimin dhe sakrificën, jam e sigurt që do të na japin një vlerë të shtuar akoma më shumë. Ne sot kemi një organizim në fakt partiak me bashkëkryetarë, një grua, një burrë. Do të vijojmë ta bëjmë këtë.
Por ndërkohë nga ana tjetër do të doja që edhe brenda qelizave të Partisë Socialiste të vijonim të afronim gratë, të afronim të rinjtë, të dëgjojmë zërat e tyre, sepse mendoj kështu ne do të fuqizojmë akoma më shumë atë dimensionin e organizatave tona për t'i bërë të mundura që t'i kemi më pranë nevojave, halleve, shqetësimeve të qytetarëve të Tiranës. Nga java që vjen do të nisim në fakt një kalendar intensiv takimesh. Nuk do të jemi në zyra, do të jemi në terren, ashtu siç e thashë, derë më derë. Do na duheni ju të gjithë bashkë, do na duhen drejtuesit politikë, do na duhen deputetët. Tirana për hir të së vërtetës ka ekipin më të mirë të organizimit edhe për faktin që është Tirana e 1 milion banorëve, e shumë komuniteteve. Kështu që jam e bindur që të gjithë së bashku do bëjmë më të mirën maksimumin së bashku me Ogertën, së bashku me Ervinin për Tiranën 2030. Shumë faleminderit. Suksese të gjithëve!”, tha Koçiu.
Kandidatët për këshilltarë bashkiakë mund të aplikojnë deri më 15 janar. Pirro Vëngu tha se deri më tani janë paraqitur 10 aplikime dhe synimi është për 20 të përzgjedhur deri në mars.
Gara do të zhvillohet me intervista, sfida e ballafaqim publik.
“Kandidatët për këshilltarë afat aplikimi deri në 15 janar, më pas intervistat dhe debati publik. Kemi 10 aplikime, duam 20 të përzgjedhur deri në mars, në shkurt do te ketë intervista, më pas do të ketë sfida për ata, dhe më pas ballafaqimi publik. Një pjesë do të zgjidhen nga aplikimet, pjesa tjetër nga PS”, tha Vëngu.
Drejtuesi politik i PS për Tiranën, Ervin Demo, foli në Asamblenë e PS për rëndësinë e dixhitalizimit të organizatave, duke kërkuar që secila të ketë praninë e saj online dhe të pasqyrojë aktivitetin politik e komunitar të çdo lagjeje.
Ai tha se Tirana është shtëpia e të gjithëve dhe se besimi ndërtohet çdo ditë, përmes komunikimit të hapur, respektit dhe përgjegjësisë.
”Dixhitalizimi dhe nevoja që organizata socialiste të ketë prezencën e saj në organizatën që komunikon çdo ditë. Duam që çdo organizatë të ketë praninë e saj online dhe një hapësirë ku pasqyrohet aktiviteti politik dhe jeta komunitare e çdo lagjeje. Prania fizike dhe dixhitale duhet të jenë të dyja, por besimi ndërtohet pranë njerëzve. Tirana është qyteti ku bashkohet e gjithë Shqipëria. Tirana është shtëpia e të gjithëve, organizimi ynë duhet të pasqyrojë këtë realitet. Kjo përgjegjësi duhet të na bëjë të jemi skuadër ku përgjegjësia ndahet së bashku. Rëndësi ka të kemi besim për të folur hapur, për të korrigjuar atë që nuk funksionon. Kjo detyrë është një marrëdhënie besimi që duhet ta ndërtojmë dhe forcojmë çdo ditë. Kjo është fryma që duhet ta nisim së bashku, me respekt, besim për njëri-tjetrin dhe besim për Tiranën. Një Tiranë ku të gjithë ne në PS e përdorim këtë mundësi të artë të Shqipërisë europiane për ta çuar Shqipërinë përpara", tha Demo.









