Teksa kanë mbetur edhe dy orë nga përfundimi i orarit zyrtarë të procesit të votimit në 5 bashki në vend, në Berat, Mat, Tepelenë dhe Cërrik dhe Vlorë, pjesëmarrja deri më tani është e ulët. 

Moti me shi dhe temperaturat e ulëta, duket se ka ndikuar në mospjesmarrjen e votuesve në këto zgjedhje.

Tepelena dhe Vlora ku janë duke u mbajtur zgjedhjet janë përfshirë, pasditen e sotme nga rebeshe shiu duke vështirësuar edhe qarkullimin e mjeteve në rrugët e qytetit dhe duke bërë që votuesit të mos dalin për të votuar. 

Ndërkohë, drejtuesja politike e Qarkut Gjirokastër, Mirela Kumbaro, ka bërë një deklaratë për mediat ku ka folur lidhur me pjesëmarrjen e qytetarëve në zgjedhjet e pjesshme që po mbahen në 5 bashki.

Në një prononcim për mediat Kumbaro tha se deri më tani në Tepelenë ka patur pjesëmarrje të kënaqshme dhe më të mirë krahasuar me të njëjtin orar të zgjedhjeve të majit me 3110 votues deri tani.

Ajo theksoi se moti me shi është pengesë për qytetarët, pasi vështirëson lëvizjen e tyre.

"Çdo gjë ka rrjedhur normalisht, nuk kemi pasur probleme. Le të themi se duke pasur parasysh edhe kohën, që për ne shiu është bereqet, por ndoshta e vështirëson pak lëvizjen e njerëzve. Ecuria e pjesëmarrjes ka qenë mjaft e mirë krahasuar me të njëjtin orar në të njëjtën kohë me zgjedhjet e 11 majit 2025 apo zgjedhjet e tjera vendore të 2023.", tha Kumbaro.


Lajmi kryesor:

Zgjedhjet në 5 bashki, shqiptarët braktisin procesin! Pjesëmarrja në minimumin historik, votuan 18.45% e zgjedhësve