Zgjedhjet, edhe PPE kundër
kushtit të PD për votim elektronik

Zgjedhjet, edhe PPE kundër<br />kushtit të PD për votim elektronik
Partia Popullore Evropiane ka miratuar një rezolutë, me anë të së cilës kërkon zgjedhje të lira dhe të ndershme në Shqipëri. Miratimi i rezolutës është njoftuar dje nga kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në rrjetin social Facebook.

Sipas Bashës, rezoluta bën thirrje për Reformë Zgjedhore, por nuk përmendet askund votimin elektronik, i shndërruar në kushtin kryesor të Partisë Demokratike për zgjedhjet e 18 Qershorit.

Ndonëse njihet për mbështetjen e pakursyer ndaj Partisë Demokratike, Partia Popullore Evropiane duket se nuk mbështet propozimin për numërim dhe votim elektronik gati 5 muaj para zgjedhjeve të 2017.

Siç duket, pavarësisht lobimit të demokratëve të Tiranës, PPE nuk kanë pranuar të përfshijnë në rezolutë alibinë e opozitës për zgjedhjet e ardhshme. Mospërfshirja e kushtit të PD në rezolutën e PPE e bën më të plotë dhe unanim qëndrimin e faktorit ndërkombëtar kundër aplikimit të teknologjisë në zgjedhjet e 18 Qershorit, për shkak të kohës dhe kushteve të pamjaftueshme.

“Asambleja Politike e Partisë Popullore Evropiane (PPE), e cila ka shumicën në Komisionin dhe Parlamentin Europian, diskutoi ndër të tjera zhvillimet e pritshme politike që lidhen me anëtarët e saj. Asambleja miratoi me unanimitet një rezolutë për Shqipërinë e cila bën thirrje për zgjedhje të lira e të ndershme dhe dënon shitblerjen e votës.

Rezoluta bën thirrje për aprovimin me konsensus të reformës zgjedhore si dhe për zbatimin e ligjit për dekriminalizimin e politikës dhe kërkon masa urgjente kundër kultivimit dhe trafikimit të drogës. Dua të shpreh mirënjohjen time për mbështetjen e PPE-së ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve në betejën për zgjedhje të lira dhe të ndershme, luftën kundër krimit dhe të ardhmen tonë Evropiane, si dhe angazhimin tim për përmbushjen e këtyre qëllimeve”, shkruan Basha.

Partia Demokratike ka deklaruar se nuk do të ketë zgjedhje në 18 Qershor pa votim dhe numërim elektronik. Ndërkaq, gjatë kohës kur ishte në pushtet, PD ka artikuluar disa argumente kundër votimit elektronik. Këto argumente po përsëritet nga mazhoranca aktuale, por që hidhen poshtë nga PD.

Mesazhi i Bashës
Gjatë ditës së djeshme, kryetari i opozitës, Lulzim Basha, ka uruar për detyrën e re David McAllister, i cili u zgjodh në krye të Komisionit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Europian.

“Përgëzime mikut tim David McAllister, zv.President i Partisë Popullore Evropiane që sapo u votua si Kryetari i ri i Komisionit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Europian. Elmar Brok kryetar i këtij komisioni prej vitesh tani do të drejtoje negociatat për Brexit. Mirënjohje të madhe këtij miku të Shqipërisë, i cili sot i dorëzoi stafetën një miku tjetër të veçantë. Urime David për këtë detyrë të rëndësishme”, shkruan Basha.


dy.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Kosovë/ Ministri i Financave akuzon Prokurorinë Speciale se po lufton Kurtin e motivuar politikisht

Kosovë/ Ministri i Financave akuzon Prokurorinë Speciale se po lufton Kurtin e motivuar politikisht