TIRANE- Në zgjedhjet e 11 majit ndarja e numëruesve dhe anëtarëve të KZAZ me shumë mundësi do të bëhet mes PS dhe PSD si mazhorancë, dhe PD, PL dhe PDIU në opozitë.Pas një kërkese drejtuar nga Kryekomisioneri i Zgjedhjeve Celibashi për Kuvendin, ku i fundit i ka kthyer përgjigje për historikun e votimeve në këtë legjislaturë për ligjet kryesore në Kuvend, miratimin e qeverisë dhe buxhetet e shtetit.
Sipas shkresës së Kuvendit, që disponon dhe Shqiptarja.com e Report Tv, rezulton se Partia Socialdemokrate e Tom Doshit ka votuar gjithmonë qeverinë, pro, duke nisur me programin politik të qeverisë në 16 shtator 2021 si edhe për votimin dhe miratimin e buxheteve nga viti 2021 deri në 2025.
PDIU, edhe pse doli nga një koalicion me PD, ka bashkuar në disa raste votat me PS, por kjo nuk ka qenë një sjellje konstante e saj.
Shkresa
Sipas rregullave zgjedhore, komisionerët si në komisionet e votimit si në grupet e numërimit ndahen mes partive parlamentare. Pjesën e luanit e kanë dy partitë më të mëdha, ndërkohë vendet e fundit ndahen mes partive të tjera më të vogla
Por pas shkresës që kuvendi i dërgoi KQZ-së, ku Spiropali deklaronte se shumicë parlamentare ishte vetëm Partia Socialiste dhe të gjithë të tjerët ishin në opozitë, reagoi Partia Demokratike e cila tha se PSD dhe PDIU kanë bashkuar votat me PS-në. Në këtë mënyrë KQZ kërkoi nga Kuvendi që të dërgojë letrën me të gjitha rastet kur këto dy parti kanë bashkuar votat me socialistët, të cilën Shqiptarja.com e disponon.
Me këtë dokument pritet që Celibashi të ndajë anëtarët e grupeve të numërimit sipas këtij konfigurimi. Në një grup numërimi me 4 anëtarë sipas Kodit Zgjedhor 1 i takon PS-së, 1 PD-së, 1 partive opozitare parlamentare, që pritet të ndahet me short mes PL dhe PDIU, dhe 1 partive parlamentare në mazhorancë, PSD.
Përgjigjja e Kuvendit
I nderuar zoti Komisioner
Në përgjigje të shkresës Suaj me nr. prot. 323, datë 17.1.2025 në të cilën kërkohet vënia në dispozicion e qëndrimeve të shprehura në votë të deputetëve të Partisë Socialdemokrate (PSD) dhe Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet (PDIU), në votëbesimin e qeverisë, ligjin e buxhetit, etj., gjatë periudhës së legjislaturës 2021-2025, Ju dërgojmë dokumentacionin arkivor si mě poshtë:-
-Procesverbalin për votimin e projektvendimit "Për miratimin e programit politik dhe përbërjes së Këshillit Ministrave", datë 16 shtator 2021, bashkëlidhur dhe fletët e votimit.
-Procesverbalin për votimin në parim të projektligjit "Për buxhetin e vitit 2022", bashkëlidhur edhe fletët e votimit.
-Procesverbalin për votimin në tërësi të projektligjit "Për buxhetin e vitit 2022", bashkëlidhur edhe fletët e votimit.
-Përmbledhjen e rezultatit të votimit në parim të projektligjit "Për buxhetin e vitit 2023".
Përmbledhjen e rezultatit të votimit në tërësi të projektligjit "Për buxhetin e vitit 2023".
-Votimi në parim dhe në tërësi i projektligjit "Për buxhetin e vitit 2024" për shkak të situatës se krijuar gjatë seancës plenare u zhvillua me kartonë dhe nuk disponojmě votimin individual të deputetëve.
Bashkëlidhur procesverbali i seancës plenare të datës 7 dhjetor 2023 dhe procesverbali i seancës plenare të datës 21 dhjetor 2023.
-Përmbledhjen e rezultatit të votimit në parim të projektligjit "Për buxhetin e vitit 2025". Përmbledhjen e rezultatit të votimit në tërësi të projektligjit "Për buxhetin e vitit 2025".
Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë
Lajmi ne perditesim...