/ATSH/- Kandidati i djathtë për kryetar të Bashkisë Korçë,Gjergj Mero vizitoi punishten më të njohur dhe të vetme të poçerisë dhe punimit të terakotës në këtë qytet, por dhe në Shqipëri.
Duke e cilësuar si një  vlerë të rrallë vazhdimin e kësaj tradite shekullore në Korçë, kandidati Mero tha se varfëria e madhe ulja e fuqisë blerëse dhe taksat e larta, ka bërë që për këto punime të mos ketë interes blerjeje dhe tregtimi.
"Me bashkinë e re unë do t'i kushtoj një vëmendje të veçantë zejtarisë dhe prodhimeve artizanale", u shpreh kandidati Mero, duke mëshuar në uljen e barrës fiskale dhe zbatimin e nismave  bashkëpunuese me organizatat ndërkombëtare për zhvillimin e zejtarisë.  Ulja e taksave dhe tarifave vendore si dhe subvencionimi i Bashkisë së re do të jenë inkurajimet kryesore në këtë fushë të veçantë biznesi.
Zhvillimin e kësaj tradite, kandidati Mero e ka si projekt  kryesor në gjallërimin e traditave dhe si marka turistike të Korçës. Ai tha se me këto punishte do të punësohen gra dhe të rinj, të cilët kanë talent dhe pasion për këto punime por nuk gjejnë mbështetje nga Bashkia dhe strukturat përkatëse.
Në Vlorë, komuniteti çam mbështet PD-në
Ne një njoftim për shtyp Partia Demokratike, bëri të ditur se, komuniteti çam në Vlorë mbështet fuqishëm kandidatin Genc Deromemaj dhe Partinë Demokratike, kjo është faktuar edhe në takimin madhështor organizuar me mbështetje të deputetit Dashmir Tahiri në Pallatin e Kulturës në Vlorë. Me qindra çamë, të të gjitha moshave, kanë qenë pjesë e këtij takimi entuziast, ku është garantuar vota për fitoren e 21 qershorit.
"Ne nuk e kemi luksin e akrobacive politike", tha Bukuroshe Isufi, pjesë e listës së këshilltarëve bashkiak. "Për këtë, tha ajo, ne mbështesim me këmbëngulje deputetin Dashamir Tahiri." Ndërsa kërkoi votë për numrin 3 dhe numrin 15.
Numri 2 i Partisë Demokratike të Shqipërisë Arben Ristani, i kërkoi çamëve e gjithë vlonjatëve të votojnë si duhet në 21 qershor, për t'i dhënë fund arrogancës dhe klikës së krimit që ka kapluar shtetin. Ai tha se Genc Deromemaj ka një program konkret, ndërsa përballë s'ka alternativë.