Kjo parti me influencë të gjërë nëpër gjithë Finlandën, sidomos në zonat rurale, në Helsinki siguroi vetëm një vend me fitoren e kandidatit të saj Olli Rehn, ish-Komisionerit të Bashkimit Europian, aktualisht zëvendës President i Parlamentit Europian.
Ndërkaq, Partia ekstremiste e djathtë e Finëve të Vërtetë (Perus'suomalaiset) me 38 vendet e marra konsiderohet fituese edhe pse humbi një vend, ndërkohë që dy partitë e tjera të mëdha deri tani në pushtet pësuan humbje të ndjeshme: Partia Kokoomus (Uniteti Kombëtar, anëtare e PPE-së), e Kryeministrit aktual Aleksander Stubb, siguroi vetëm 37 vende, ose 7 më pak se katër vjet më parë.
Po kështu, Partia tjetër në pushtet - Socialdemokratja (Sdp), siguroi vetëm 34 nga 42 vende që kishte më parë. Ndërsa dy partitë e tjera të vogla të koalicionit aktual qeveritar humbën secila nga një vend në Parlament: Partia e Suedezëve të Finlandës (RKP) siguroi 8 vende, ndërsa Kristiandemokratja (Kd) mori 5 vende. Humbje pësoi edhe Partia e Majtë që mori 12 nga 14 vende që kishte më parë. Në fakt, nga partitë e majta vetëm Të Gjelbërit dolën fitues, duke marrë 5 vende më shumë dhe duke siguruar kështu gjithsej 15 vende.
Për herë të parë pas 68 vjetësh vendin e deputetit në Parlament e fituan edhe dy emigrantë: 31-vjeçarja socialdemokrate Nasima Razmyar (nga Afganistani) dhe 28-vjeçari nga Stambolli Ozan Yanar i Partisë së Gjelbër. Fatkeqësisht, emigrantja shqiptare nga Kosova, 30-vjeçarja Fatbardhe Hetemaj e Partisë së Koalicionit Kombëtar - Kokoomus (motra e madhe e dy futbollistëve Hetemaj) nuk arriti të marrë vota të mjaftueshme as për në listat rezervë. Sidoqoftë, ajo vazhdon të jetë anëtare e Këshillit të Qytetit të Helsinkit, ndërkohë që më 2009 u nderua me titullin "Refugjate e Vitit", titull ky i dhënë në Finlandë që nga viti 1998.
Kryetari i Partisë më të madhe fituese të Qendrës, biznesmeni Juha (Sipilä), deputet dhe kryetar partie vetëm katër vitet e fundit, që pa mbaruar mirë numërimi i votave i filloi takimet me kryetarët e dy partive pasuese - përkatësisht me kryetarin e Partisë së Finëve të Vërtetë, Timo Soinin (fuqimisht kundër të huajve, BE-së dhe NATO-s), dhe me kryetarin e Partisë së Koalicionit Kombëtar, Aleksandër Stubb (pro të huajve, BE-së dhe NATO-s).
Sipile ka deklaruar se mirëbesimi, përmbajtja e programit dhe rezultati i zgjedhjeve (pikërisht në këtë renditje) do të jenë faktorët kryesorë në përzgjedhjen e koalicionit qeveritar, duke theksuar se për këtë qëllim ai do të fillojë bisedimet dypalëshe pothuajse me të gjitha partitë që të martën. Me stilin e një biznesmeni të suksesshëm, ai synon ta arrijë marrëveshjen për qeverinë e ardhëshme në prag të 1 Majit, pra gati dy muaj më herët se tradicionalisht në prag të Mes-Verës (rreth datës 21 Qershor).
Në zgjedhjet e tanishme është ndërruar pothuajse 1/3 (një e treta) e deputetëve. Ndër të rinjtë ka deputetë të legjislaturave të mäparëshme, por që nuk kanë qenë në Parlament gjatë 2011-2015. Ndërkaq, gati 20 për qind e Parlamentit janë deputetë të zgjedhur për herë të parë. Në legjislaturën e re u zgjodhën 117 deputetë burra dhe 83 gra. Këtë rradhë nga 4.463.333 zgjedhës në votime u paraqitën vetëm 70,1 për qind e zgjedhësve, kundrejt 70,5 për qind që votuan në zgjedhjet parlamentare të 2011-ës. Nga të 2.981.580 votat e hedhura në kutitë e votimit komisionet e numërimit zhvleftësuan 16.537 vota të plotësuara në kundërshtim me rregulloren e votimeve.
Finlanda dallohet për sistemin mjaft të thjeshtë, praktik dhe tepër ekonomik të organizimit të votimeve, ku, për më tepër, është krejtësisht e pamundur të bëhen manipulime votash. Votuesi paraqitet me një kartë indentiteti me fotografi tek Komisioni i Qendrës së Votimit, ku anëtari i Komisionit shënon një kryq pranë emrit të votuesit në listën me emrat e zgjedhësve të asaj Qendre Votimi dhe i jep atij një fletë votimi.
Fleta e bardhë e votimit ka vetëm një rreth, ku duhet të shkruhet vetëm numri i kandidatit të preferuar. Pas plotësimit në kabinë, zgjedhësi shkon tek tavolina tjetër përballë me të parën, pothuajse 2,5 - 3 metra larg saj, ku bëhet vulosja e fletës së votimit nga anëtari tjetër i Komisionit i caktuar vetëm për këtë proces. Pas kësaj zgjedhësi duhet ta hedhë fletën e votimit në kutinë e votimit personalisht vetë (jo fëmija, jo gruaja për burrin dhe as burri për gruan). Dhe kaq. Gjithçka përfundon brenda pak minutash.
Pikërisht, për t'u njohur me këtë përvojë të përparuar finlandeze të organizimit të votimeve, erdhën në Finlandë të shtatë anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Shqipërisë, kryesuar nga Kryetarja e këtij Komisioni, znj. Lefterije Luzi (Lleshi). Më 18-19 prill ata u njohën jo vetëm me metodologjinë e organizimit të votimeve, por edhe me zbatimin e rregullave dhe procedurave gjatë ditës së votimit (19.4.).
Ata panë nga afër procesin konkret të votimit, procesin e numërimit të votave prapa dyerve të mbyllura, procesin e rregjistrimit të rezultateve në kompjuter si dhe biseduan me drejtues e specialistë në Ministrinë e Drejtësisë së Finlandës si dhe të Qendrave të Votimit duke shkëmbyer mendime dhe përvoja për probleme teknike lidhur me votimet.
Shqipëria s'është e vetmja që don të përfitojë nga përvoja finlandeze. Interes për këto zgjedhje dhe, në përgjithësi, për procesin demokratik të zgjedhjeve dhe të votimit finlandez, treguan edhe një numër Ambasadash të huaja me seli në Helsinki, si edhe më se 80 gazetarë të huaj nga të gjitha kontinentet, një pjesë e mirë e të cilëve ardhur vetëm për pasqyrimin në shtyp të kësaj ngjarjeje të rëndësishme politike.