Suedezët votojnë sot në një garë shumë të ngushtë, ku në qendër të zgjedhjeve është një pyetje që po dominon fushatën: a duhet partia e djathtë ekstreme Demokratët e Suedisë të hyjë në qeveri? Votimi shihet si një referendum për forcën politike që ka kaluar nga izolimi politik në një nga aktorët më të rëndësishëm të vendit.

Partia, e cila i ka rrënjët në lëvizjet neo-naziste, renditet rreth 19% në sondazhet e fundit. Koalicioni qendër-djathtas në pushtet ka bërë të qartë se synon ta marrë në qeveri për t'i siguruar kryeministrit Ulf Kristersson një mandat të dytë.

"Ne kemi rënë dakord të bëjmë fushatë për krijimin e një qeverie me shumicë dhe unë do ta drejtoj atë qeveri", tha Kristersson gjatë fushatës në fund të muajit gusht.

Rezultati i zgjedhjeve do të tregojë nëse suedezët duan ta thellojnë ndryshimin politik që ka transformuar debatin për emigracionin dhe identitetin kombëtar. Në vitet e fundit, Suedia është kthyer në një terren prove për politika më të ashpra mbi integrimin, shtetësinë dhe kontrollin e kufijve.

Kristersson thotë se bashkëpunimi në parlament me liderin e Demokratëve të Suedisë, Jimmie Akesson, që prej vitit 2022 ka sjellë rritje ekonomike, ulje të çmimeve të energjisë dhe ushqimeve, reduktim të krimit të bandave dhe të shtënave me armë, si edhe uljen e kërkesave për azil në nivelin më të ulët të 40 viteve të fundit. Ai ka premtuar se pas zgjedhjeve do ta forcojë këtë bashkëpunim dhe do t'i japë partisë poste ministrore.

Gjatë katër viteve të fundit, qeveria ka hequr lejet e përhershme të qëndrimit për refugjatët, ka ashpërsuar rregullat për përfitimet sociale dhe ka rritur dëbimet e personave që nuk kanë të drejtë të qëndrojnë në vend.

Numri i kërkesave për azil ka rënë në nivelin më të ulët të katër dekadave. Kristersson thotë se tashmë fokusi duhet të jetë integrimi, por Demokratët e Suedisë kërkojnë masa edhe më të forta.

"Në Suedi vlejnë kultura suedeze, gjuha suedeze, ligjet suedeze, normat suedeze, morali suedez dhe traditat suedeze. Nëse nuk mund ta pranoni këtë, duhet të gjeni një vend tjetër për të jetuar", tha deputeti Mattias Karlsson, një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Akessonit.

Megjithëse pothuajse të gjitha partitë janë dakord për politika më të ashpra ndaj emigracionit, shumë suedezë vazhdojnë të ndihen të shqetësuar për mundësinë që e djathta ekstreme të marrë poste ministrore. Sondazhet tregojnë një garë "kokë më kokë", ku opozita e qendrës së majtë, e cila mbështet Magdalena Andersson për kryeministre, ruan një epërsi të vogël, por diferenca është ngushtuar.

"Nëse Demokratët e Suedisë hyjnë në qeveri, kjo do të ketë një ndikim jashtëzakonisht negativ mbi idealet liberale të vendit tonë. I kemi parë efektet edhe kur ishin jashtë qeverisë dhe do të ishte dhjetë herë më keq nëse bëhen pjesë e saj", tha Birgitta Ohlsson, ish-ministre për Çështjet Evropiane dhe deputete e Partisë së Qendrës.

Ndryshimi i peizazhit politik në Evropë

Rritja e së djathtës ekstreme ka ndryshuar peizazhin politik në Evropë. Parti të tilla tashmë ndajnë pushtetin në Finlandë, Itali, Kroaci dhe Çeki, ndërsa po ushtrojnë gjithnjë e më shumë presion edhe në Francë dhe Gjermani.

Për katër vitet e fundit, Demokratët e Suedisë kanë qenë mbështetësit kryesorë të qeverisë Kristersson në parlament. Sipas disa analistëve, zgjedhjet e sotme nuk përbëjnë aq një pikë kthese, sesa një konfirmim të suksesit të Akessonit për ta larguar partinë nga e kaluara e saj ekstremiste.

Në vitin 2025, partia kërkoi falje për lidhjet e saj të mëparshme me neo-nazizmin dhe antisemitizmin.

"Këto zgjedhje janë një referendum për Demokratët e Suedisë dhe për faktin nëse do të vazhdojmë në një rrugë të së djathtës ekstreme", tha shkrimtari dhe komentatori politik Jan Guillou.

Politika që një dekadë më parë shumë suedezë do ta konsideronin si një refuzim të vlerave liberale të vendit, sot janë bërë të pranueshme për një pjesë të madhe të spektrit politik.

Nga ana tjetër, dy blloqet janë afruar në disa nga çështjet që shqetësojnë më shumë votuesit. Të dy premtojnë më shumë investime për mirëqenien sociale, vazhdimin e mbështetjes për Ukrainën, forcimin e mbrojtjes dhe masa për të lehtësuar krizën e kostos së jetesës që ka goditur shumë familje.

"Mendoj se do të shohim një normalizim të mëtejshëm të Demokratëve të Suedisë. Ka ardhur koha të ulet histeria", tha historiani Lars Tragardh.

Frika për një zhvendosje edhe më të madhe djathtas

Kritikët e partisë paralajmërojnë se premtimet për t'i dhënë fund multikulturalizmit, për të rikthyer vlerat tradicionale suedeze dhe për të ndaluar disa forma të veshjes myslimane mund të thellojnë ndarjet në shoqëri dhe ta zhvendosin edhe më tej politikën suedeze drejt së djathtës.

"Kam frikë se më shumë njerëz do të dëbohen. Jam i shqetësuar për shtypin, lirinë e shprehjes dhe lirinë për të protestuar", tha shkrimtari dhe aktivisti kundër racizmit Kurdo Baksi gjatë një proteste pro emigracionit në Stokholm.

Në një mesazh të publikuar në Facebook, Magdalena Andersson u tha votuesve se zgjedhja nuk është vetëm se kush do të bëhet kryeministër, por nëse Demokratët e Suedisë do të kenë ndikim në politikat për mbrojtjen, arsimin, kulturën dhe financat.

"Kjo do të ishte një Suedi krejt ndryshe", tha ajo.

Megjithatë, edhe nëse Andersson fiton zgjedhjet, krijimi i një qeverie të qëndrueshme nuk pritet të jetë i lehtë. Katër partitë opozitare bien dakord për rritjen e shpenzimeve sociale dhe forcimin e shtetit social, por ndahen për çështje të rëndësishme si taksimi i miliarderëve, ndërtimi i reaktorëve të rinj bërthamorë dhe përbërja e qeverisë, pasi Partia e Qendrës refuzon të qeverisë së bashku me Partinë e Majtë.