Avokati Lulzim Alushaj, i cili mori pjesë në garën për kreun e Dhomës së Avokatisë Tiranë (ku Klodian Skënderaj u zgjodh kryetar me 569 vota), ka shprehur rezerva të shumta për procesin e zhvilluar në 22 maj.
Përmes një reagimi, Alushaj thekson se ata që morën pjesë në proces, por edhe raportimet mediatike, kanë vërejtur se vendi i zgjedhur për të zhvilluar procesin zgjedhor ishte skandaloz, enkas i caktuar për të bërë të pamundur votimin e shpejtë dhe pjesëmarrjen e lartë.
Për shkak të vendit ku u mbajt votimi (në ambientet e piramidës në kryeqytet), sipas Alushajt, shumë prej avokatëve nuk kanë mundur të votonin, për shkak të radhëve të gjata.
Alushaj deklaron gjithashtu se 119 votues u futën në listë në momentin e fundit ditën e votimit dhe përgjatë votimit, pasi sipas tij, lista paraprake ishte me 1859 votues dhe përfundoi me 1978 votues.
Alushaj ka evidentuar edhe problematika të tjera, duke nisur që nga votimi që sipas tij u bë jo i fshehtë në pjesën më të madhe, te numërimi dhe te përfshirja e Dhomës Kombëtare dhe asaj Vendore të Avokatisë në fushatë.
Megjithatë, Alushaj ka falënderuar të gjithë avokatët që e votuan dhe u shpreh se si anëtar i zgjedhur në Këshillin e Përgjithshëm të Dhomës Kombëtare të Avokatisë, do të jetë aty ‘për të përfaqësuar zërin e avokatëve dhe për të ngritur imazhin e tyre.’
Reagimi i avokatit Lulzim Alushaj:
Të nderuar Kolegë Avokatë, në përfundim të procesit zgjedhor që u zhvillua pranë Dhomës së Avokatisë Tiranë u zgjodh Kryetari i saj i ri, sekretari i Dhomës dhe anëtarët e Dhomës për në Këshillin e Përgjithshëm.
Në përfundim të këtij procesi u vu re nga të gjithë ata që morën pjesë por edhe nga raportimet mediatike se:
1. vendi i zgjedhur për të zhvilluar procesin zgjedhor ishte skandaloz, enkas i caktuar për të bërë të pamundur votimin e shpejtë dhe pjesëmarrjen e shumtë. Shumë Kolegë Avokatë pas radhëve të gjata abandonuan procesin dhe nuk votuan;
2. Lista paraprake e votuesve Avokatë filloi me nr. 1859 votues dhe, deri momentin dhe gjithë ditën e votimit, përfundoi me 1978 në listë votuesish (119 votues të futur në listë në momentin e fundit ditën e votimit e përgjatë votimit);
3. Votimi në momente të caktuara u bë i hapur dhe jo i fshehtë, vetëm pas insistimit tim dhe të shumë kolegëve prezent u bë i mundur rikthimi në kushte votimi të fshehtë;
4. Numërimi i votave vijon dhe bëhet manualisht dhe nuk garantohet transparenca e leximit të vullnetit të votuesve, kur mund të bëhej me lexues optik dhe rezultati dilte shumë më shpejt;
5. Përfshirja e drejtëpërdrejtë e strukturave të Dhomës Kombëtare e asaj Vendore në fushatë dhe në procesin e votimit/numërimit duke favorizuar kandidatë të caktuar.
Edhe pas këtyre shkeljeve të qëllimshme që u bënë për të penguar votimin e lirë shumë prej jush u treguan të bindur dhe me vullnet për votën ndaj meje.
Ju falënderoj shumë për besimin dhe 287 votat tuaja që më dhanë mundësinë të jem Anëtar në Këshillin e Përgjithshëm të Dhomës Kombëtare të Avokatisë, do të jem aty për të përfaqësuar zërin tuaj dhe ngritur imazhin e profesionit të Avokatit!
Së bashku për një Dhomë në përkrahje të Avokatëve!
Komente








Dhelpra dhe rrushte, besoj e di ky kandidati i perjetshem fabulen. Gjithsesi suksese ne kandidimet e ardhshme, heres tjeter do jesh i pari, me kismet. Nese jo, ka kohe, heres tjeter prape …
Përgjigju