Ndryshimi i kryetarëve të dy partive kryesore të Shqipërisë, apo edhe të kryeministrave, konsiderohet si një ngjarje epokale, madje historike. E vërtetë është se Shqipëria ka numrin më të vogël të kryeministrave ne raport me të gjithë vendet e ish bllokut komunist në 35 vite pluralizëm. Ky raport është edhe më i dukshëm për sa i përket liderve politikë. Parita Socialiste ka prej 21 vitesh të njëjtin kryetar, ndërsa ajo Demokratike ka rekord ndoshta botëror me një kryetar prej 35 vitesh. Ndërkohë që në vendet e ish bllokut komunist nuk ekzitojnë më partitë e fillimeve të pluralizmit, ndërsa për politikët e tyre as që nuk dihet se ku janë.

Kjo tregon natyrën e pushtetit të tranzicionit shqiptar, tërësisht i personaliziuar dhe i përqëndruar në pak emra të cilët mund të numërohen me gishtat e njërës dorë. Në këtë kuptim garat brenda partive politike në 35 vite kanë qenë pothuajse të gjitha një farsë politike, të dominuara dhe orientuara nga ata që kanë drejtuar këto parti. E vetmja garë ndoshta reale për drejtimin e një partie ka qenë ajo e Edi Ramës kur u zgjodh kryetar i Partisë Socialiste në vitin 2005.

Prandaj të flasësh për demokraci brenda partive politike shqiptare apo garë reale, është një non sens logjik dhe politik. Ata janë të gjitha një farsë që u paraqitet publikut thjesht për formalitet, por që krijonë një njdesi të shëmtuar dhe shpesh herë qesharake.

E tillë është edhe gara për zgjedhjen e kryetarit të Partisë Demokratike e cila po zhvillohet e gjitha në një shëmti falsiteti që fare mirë mund t’ja kursenim publikut shqiptar. Në PD bëjnë sikur ka garë, madje dhe kandidatët bëjnë sikur janë kandidatë. Farsa fillon që te mos respektimi i Statutit të PD-s që Sali Berisha vetë e ka hartuar dhe thotë që kryetari që humbet zgjedhjet është automatikisht i shkarkuar. Mirëpo i pari që nuk e zbatoi këtë nen ishte pikërisht Berisha kur humbi thellë zgjedhjet e 2025.

Më tej farsa vazhdon me konceptin e vetëpërjashtimit të Ervin Salianjit nga Partia Demokratike si i lidhur me krimin pa asnjë provë, asnjë vendim apo gjykim siç duhet për këtë fakt. E gjithashtu farsë janë dhe disa emra të cilët as e kanë shansin se mund të marrin ndonjë votë apo të sfidojnë realisht Berishën.

Ajo është një parti e cila është drejtuar 35 vite nga Berisha, aq sa shumë zëra të brendshëm apo të jashtëm e kosniderojnë si pronë të tij, ndoshta me të drejtë. Statuti i Partisë Demokratike duhet të ketë vetëm një nen ku të sanskionohet që Berisha është kryetar i përjetshëm i saj, dhe nuk e kuptoj përse nuk e bëjnë sepse kështu do të ishin më të sinqertë dhe do t’i kursenin shqiptarëve gara qesharake. Do të ishte shumë herë më e ndershme dhe më e drejtë që këto zgjedhje të mos zhvilloheshin fare. Të paktën, në Partinë Socialiste e kanë mbyllur historinë me zgjdhjet për kryetar të saj.

E vërteta është se për momentin askush realisht nuk mund t'i ketë votat për të mundur Berishën në atë parti. Problemi nuk qëndron te fakti se Berisha nuk është shumicë në parti, por sepse nuk është shumicë në Shqipëri. Dhe mbyllja apo bunkerizimi i Partisë Demokratike duke u sjellë në këtë mënyrë me çdo kundërshtar të Berishës edhe pse e dinë se ai fiton, tregon qartë një mentalitet dhe vizion autokrat, gjë e cila ka gjasa ta lërë edhe për shumë kohë Partinë Demokratike pakicë në Shqipëri.