TIRANË- Dy javë nga fushata elektorale e 11 majit, Instituti Piepoli në bashkëpunim me Report Tv sjell 'projeksionet' e para se si ndahen 37 mandatet për qarkun e Tiranës, fushëbeteja kryesore mes partive politike, por edhe qarkun e Shkodrës, bastionin e së djathtës.

Sondazhi i Piepolit parashikon se PS do mbajë epërsinë në Qarkun e Tiranës, me 47-49% të votave, që i përkthehet në 18 deri në 19 mandate. Kryesocialsiti Edi Rama parashikohet që mund të marrë 1 mandat më shumë krahasuar me zgjedhjet e 2021, kur siguroi 18 mandate në kryeqytet.

Shifrat nuk janë të mira për koalicion e Sali Berishës, që dukshëm kërcënohet nga partitë e reja. Sipas sondazhit të Piepolit, Aleanca për Shqipërinë Madhështore më 11 maj mund të humbë deri në 4 mandate në qarkun e Tiranës. Nga 17 mandate që opozita e bashkuar ka marrë në 2021, më 11 maj koalicioni i Berishës sipas shifrave të Piepolit merr 33.5% deri në 35.5% të votave në këtë qark, që i përkthehet 13 deri në 14 mandate.

Në kryeqytet surpriza mund të konsiderohen Adriatik Lapaj dhe Agron Shehaj, të cilët kalojnë pragun elektoral dhe në qarkun e Tiranës arrijnë të sigurojnë deputetë. Lapaj me koalicionin “Nisma Shqipëria Bëhet” sipas sondazhit të Piepolit merr 7.5% deri në 8.5% të votave, që përkthehet në 2-3 mandate, ndërsa partia “Mundësia” e Shehajt merr 5% deri në 6% të votave, që përkon me 1-2 mandate.

Tom Doshi humb mandatin në Tiranë të siguruar në vitin 2021. Partitë e tjera, si Lëvizja “Bashkë” e Arlind Qorit, apo Koalicioni Euroatlantik i Lulzim Bashës apo koalicioni “Djathtas për Zhvillim” nuk arrijnë të marrin asnjë mandat në këtë qark.

Beteja bëhet edhe më e fortë në Qarkun e Shkodrës, bastion i së djathtës, por që për herë të parë socialistët e thyen në zgjedhjet vendore të 2023, duke vendosur në krye Benet Becin. Në kryeqendrën e veriut, forcë e parë mbetet Sali Berisha me koalicionin e tij, por pozitat e tij kërcënohen. Kjo, pasi sondazhi i Piepolit tregon një rritje të PS dhe në këtë qark Edi Rama merr mbështetje me votë nga 34% deri në 36%, çka përkthehet 3 deri në 5 mandate. Sipas shifrave nuk përjashtohet mundësia që PS të rritet me 2 mandate më shumë në këtë qark, nga 3 që ka fituar në zgjedhjet e 2021.

Koalicioni PD – Aleanca për Shqipërinë Madhështore rezulton me një mbështetje që varion nga 42.5% deri në 44.5% të votave, duke siguruar 4 deri në 6 mandate. Në zgjedhjet e 2021, PD ka siguruar në këtë qark 6 mandate, ndërsa 3 i ka marrë PS dhe 2 të tjera PSD e Tom Doshit. Edhe pozitat e këtij të fundit në këto zgjedhje duket se kërcënohen, pasi shifrat tregojnë se merr 8-9% të votave, që përkthehet deri në 2 mandate. Por në 'lojë' në këtë qark është edhe Adriatik Lapaj që sipas sondazhit të Piepolit mund të marrë 6%-7% të votave, me mundësi për të siguruar deri në 2 mandate.

Mbetet të shihet se si do ndahen 11 mandatet e Qarkut të Shkodrës, por një gjë është e sigurt, që Berishës po rrezikohen pozitat pikërisht në bastionin e tij historik.

Sa i takon punës së qeverisë, 42% e qytetarëve të Tiranës janë të kënaqur, krahasuar me 26% të qytetarëve në Qarkun e Shkodrës. Berisha nga ana tjetër merr shuplakë në bastionin e tij, ku 61% e qytetarëve nuk kanë besim tek opozita e udhëhequr nga ai dhe nga ana tjetër, besim nuk kanë as 64% e qytetarëve të qarkut të Tiranës. As partitë e reja nuk janë frymëzuese, 64% e qytetarëve të qarkut të Tiranës thonë se nuk kanë besim tek partitë e reja, ndërsa 65% e qytetarëve të Shkodrës nuk kanë po ashtu besim.

Sondazhi i pestë i institutit Piepoli, i zhvilluar nga 18-22 prillit tregon se qytetarët e Tiranës i besojnë më shumë Edi Ramës si kandidat për kryeministër (42%), ndërsa Shkodra preferon Sali Berishën (38%).

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:45
EKSKLUZIVE/ Si ndahen 11 mandatet e Shkodrës? Rama mund të marrë deri në 5 mandate, 2 më shumë se në 2021! Edhe Lapaj në ‘luftë’ për 2 deputetë! ‘Kërcënohen’ pozitat e Berishës dhe Doshit

1745527571_WhatsAppImage20250424at21.08.384.jpeg

Beteja e 11 majit duket se do të jetë e fortë në qarkun e Shkodrës, bastionin e së djathtës, por dukshëm pozitat e Sali Berishës po kërcënohen jo vetëm nga PS e Edi Ramës, që është në rritje, por edhe nga Adriatik Lapaj. 

Sipas të dhënave të sondazhit të realizuar nga Instituti Piepoli në bashkëpunim me Report TV, koalicioni PD – Aleanca për Shqipërinë Madhështore mbetet forcë e parë, me një mbështetje që varion nga 42.5% deri në 44.5% të votave, duke siguruar 4 deri në 6 mandate. Në total, PD ka marrë në 2021 në këtë qark 6 mandate, por këto zgjedhje nuk përjashtohen surprizat. 

PSD e Tom Doshit mund të marrë deri në 2 mandate, aq sa ka siguruar në 2021. Por, kësaj radhe në garë është futur edhe Adriatik Lapaj i cili edhe në këtë qark duket se është konkurrues dhe sipas sondazhit të Piepolit mund të marrë 6%-7% të votave, me mundësi për të siguruar deri në 2 mandate.

Kryeqendra e veriut, prodhon në total 11 mandate dhe beteja duket se do jetë e fortë më 11 maj, kur pozitat e demokratëve po kërcënohen pikërisht në bastionin e tyre.

Ora 22:39
EKSKLUZIVE/ Si ndahen mandatet e qarkut Tiranë? Rama merr 1 mandat më shumë se në 2021, Berisha humb deri në 4 mandate! Lapaj e Shehaj sigurojnë vend në Kuvend, Doshi ngel pa deputet

1745527266_WhatsAppImage20250424at21.08.383.jpeg

Ndërsa kanë kaluar 2 javë nga fushata elektorale, sondazhi i Piepolit në bashkëpunim me Report Tv, ‘mat’ pulsin e votuesve në qarkun e Tiranës, fushëbetejën e partive për zgjedhjet e 11 majit. Kryeqyteti prodhon në këto zgjedhje plot 37 mandate, por si do të ndaheshin? 

Të dhënat e sondazhit të Piepolit tregojnë se Partia Socialiste e Edi Ramës vijon të mbajë epërsinë në Qarkun e Tiranës, me 47-49% të votave, që i përkthehet në 18 deri në 19 mandate. PS në zgjedhjet e 2021 ka marrë 18 mandate dhe sipas projeksionit të Piepolit, Rama në këtë qark mund të shkojë deri në 19 mandate, pra një më shumë se në 2021. 

Koalicioni PD-Aleanca për Shqipërinë Madhështore (ASHM), i udhëhequr nga Sali Berisha, renditet i dyti, me 33.5% deri në 35.5% të votave në qarkun e Tiranës, që i përkthehet 13 deri në 14 mandate. Krahasuar me zgjedhjet e vitit 2021, ky koalicion humbet terren në Tiranë. Nga 17 mandate që opozita e bashkuar ka marrë në 2021, koalicioni i Sali Berishës pritet të humbasë të paktën 3 ose 4 mandate. 

Surpriza mund të konsiderohen dy forca të reja politike që sipas sondazhit të Piepolit pritet të kalojnë pragun elektoral dhe në qarkun e Tiranës të marrin mandate.

Përkatësisht Koalicioni “Nisma Shqipëria Bëhet” i Adriatik Lapajt merr 7.5% deri në 8.5% të votave, që përkthehet në 2-3 mandate, ndërsa partia “Mundësia” e Agron Shehajt merr me 5% deri në 6% të votave, që përkon me 1-2 mandate.

Tom Doshi humb mandatin në Tiranë të siguruar në vitin 2021. 

Partitë e tjera, si Lëvizja “Bashkë” (Arlind Qori), Koalicioni Euroatlantik (Lulzim Basha) apo koalicioni djathtas për zhvillim nuk arrijnë të marrin asnjë mandat në këtë qark. 

Ora 22:33
Sondazhi Piepolit: Tirana i beson më shumë Ramës si kryeministër, Shkodra Berishës

1745526859_WhatsAppImage20250424at21.08.382.jpeg

Sipas sondazhit të Piepolit, qytetarët e qarkut të Tiranës kanë më shumë besim te Edi Rama si kandidat për kryeministër.

42% e të anketuarve kanë deklaruar se Rama iu jep më shumë besim si kandidat për kryeministër, ndërkohë 34% kanë besim tek Sali Berisha si kandidat për kryeministër. 

Shifrat ‘përmbysen’ në Shkodër, ku 38% e të anketuarve thonë se kanë besim tek Berisha si kandidat për kryeministër, ndërkohë që 27% kanë besim te Edi Rama. 

1745526899_WhatsAppImage20250424at21.08.381.jpeg

Ora 22:22
Shkodra/ Sondazhi i Piepolit zbulon si do votojnë qytetarët më 11 maj: 88% edhe partinë, edhe kandidatin! 8% vetëm për partinë

1745526464_WhatsAppImage20250424at21.08.37.jpeg

Sipas sondazhit të Piepolit të realizuar në bashkëpunim me Report TV, qytetarët e qarkut të Shkodrës duket janë mjaft të vendosur për mënyrën se si do të votojnë në zgjedhjet e 11 majit. 

88% e tyre shprehen se do të votojnë edhe për partinë edhe për një kandidat nga lista e hapur, ndërsa vetëm 8% do të votojnë vetëm për partinë. 4% nuk kanë vendosur ende. 

Ora 22:20
Tirana/ Sondazhi i Piepolit zbulon si do votojnë qytetarët më 11 maj: 50% vetëm për partinë! 38% edhe partinë, edhe kandidatin

1745526123_WhatsAppImage20250424at21.08.38.jpeg

Sipas sondazhit më të fundit të realizuar nga Instituti Piepoli në bashkëpunim me Report TV, 50% e qytetarëve të qarkut të Tiranës deklarojnë se në zgjedhjet e 11 majit do të votojnë vetëm për partinë, pa përzgjedhur një kandidat nga lista e hapur.

Ndërkohë, 38% shprehen se do të votojnë për partinë, por edhe për një kandidat të listës së hapur.

12% e të anketuarve thonë se nuk e kanë vendosur ende se si do të votojnë.

Ora 22:17
Sondazhi i Report Tv/ Si u pritën mitingjet e fushatës? 42% e qytetarëve në Tiranë pëlqejnë takimin hapës të PS, Berisha ‘ia merr’ në Shkodër 

1745525972_WhatsAppImage20250424at21.08.361.jpeg

Qytetarët e qarkut të Tiranës dhe të Shkodrës vlerësojnë mitingun hapës të PS dhe Aleancës për Shqipërinë Madhështore.

Të dhënat e sondazhit të Piepolit në bashkëpunim me Report Tv tregojnë se 42% e qytetarëve të qarkut të Tiranës pëlqejnë hapjen e fushatës së PS, 33% pëlqejnë hapjen e fushatës së koalicionit të Berishës dhe 25% e qytetarëve të qarkut të Tiranës fushatën e asnjërës prej tyre. 

Sa i takon qarkut të Shkodrës, 28% e qytetarëve pëlqejnë hapjen e fushatës së PS, 39% pëlqejnë hapjen e fushatës së koalicionit të Berishës dhe 33% asnjërën prej tyre.

1745526004_WhatsAppImage20250424at21.08.36.jpeg

Ora 21:59
Shkodra/ Sondazhi i Piepolit, 28% besojnë tek partitë e reja të opozitës, por 65% nuk u besojnë fare

1745524818_WhatsAppImage20250424at21.08.353.jpeg

65% e qytetarëve të qarkut Shkodër nuk kanë kanë besim tek partitë e reja të opozitës.

Të dhënat e sondazhit të Piepolit në bashkëpunim me Report Tv, tregojnë se 23% e të anketuarve deklarojnë se kanë besim tek këto parti, një nivel më të lartë se sa në Tiranë.

Konkretisht 28% thonë se kanë shumë besim, 2% mjaft. 5% i konsiderojnë partitë e reja “pak të besueshme”. 

Ora 21:57
Tirana/ Sondazhi i Piepolit, 64% e qytetarëve s’kanë besim tek partitë e reja të opozitës

1745524724_WhatsAppImage20250424at21.08.354.jpeg

Në qarkun më të madh të vendit, Tirana, partitë e reja të opozitës përballen me një mungesë besimi të thellë nga qytetarët.

Sipas sondazhit të fundit të Institutit Piepoli në bashkëpunim me Report Tv, 64% e të anketuarve thonë se nuk kanë aspak besim tek partitë e reja opozitare, ndërsa prej 2 javësh janë në fushatë. 

Vetëm 5% e qytetarëve të qarkut të Tiranës shprehen se kanë shumë besim, ndërsa 15% thonë se kanë mjaft besim.

Në total 20% e të anketuarve në qarkun e Tiranës kanë besim tek partitë e reja. Ndërkohë, 9% i konsiderojnë pak të besueshme këto parti, dhe 7% e të anketuarve thonë nuk “di të gjykoj”. 

Tirana është qarku që prodhon numrin më të madh të mandate në këto zgjedhje, 37 mandate.

Ora 21:32
Shkodra/ Sondazhi i Piepolit, ‘bastioni’ i demokratëve ‘shuplakë’ Berishës, 61% nuk besojnë te opozita e tij

1745523200_WhatsAppImage20250424at21.08.351.jpeg

Qytetarët shkodranë ‘ndëshkojnë’ Sali Berishën.

Ndonëse Shkodra është një qark tradicionalisht i djathtë, rreth 61% e qytetarëve shprehen se nuk e konsiderojnë aspak të besueshme opozitën nën drejtimin e Sali Berishës. 

Nga të dhënat e publikuara nga sondazhi i Piepolit në bashkëpunim me Report Tv, 2 javë nga fushata elektorale, tregojnë se vetëm 29% e qytetarëve shkodranë e konsiderojnë “shumë të besueshme” opozitën e udhëhequr nga Sali Berisha dhe 10% “mjaft të besueshme”. 

Ora 21:31
Tirana/ Sondazhi i Piepolit, 64% e qytetarëve nuk kanë besim te opozita e Berishës

1745523114_WhatsAppImage20250424at21.08.352.jpeg

Shifrat për opozitën nën drejtimin e Sali Berishës nuk janë aspak në favor, kur kanë kaluar 2 javë nga fushata elektorale e 11 majit.

Sondazhi i Piepolit në bashkëpunim me Report Tv tregon se për 64% të qytetarëve të qarkut të Tiranës, opozita e udhëhequr nga Sali Berisha është aspak e besueshme. 

Në qarkun e Tiranës, vetëm 16% e qytetarëve e konsiderojnë opozitën shumë të besueshme dhe 18% mjaft të besueshme dhe 2% e konsiderojnë "pak të besueshme". 

Ora 21:18
Shkodra/ Sondazhi i Piepolit, vetëm 26% të kënaqur me punën e qeverisë Rama, 69% shumë të zhgënjyer

1745522359_WhatsAppImage20250424at21.08.34.jpeg

Në ndryshim nga Tirana ku kemi një përqindje më të lartë të qytetarëve të kënaqur me punën e qeverisë Rama (42%), në Shkodër shohim një panoramë tjetër.

Të dhënat e sondazhit të Piepolit në bashkëpunim me Report Tv tregojnë se 26% e qytetarëve të anketuar shprehen se janë të kënaqur nga qeveria. 

Konkretisht 14% që janë “shumë të kënaqur” dhe 12% “mjaft të kënaqur”. 69% janë “shumë të zhgënjyer” dhe 5% “mjaft të zhgënjyer”. 

Shkodra njihet si bastion i djathtë, por kujtojmë që për herë të parë socialistët morën fitore në këtë qark, në zgjedhjet parlamentare të 2023.

Ora 21:08
Tirana/ Sondazhi i Piepolit, 42% e qytetarëve të kënaqur me punën e qeverisë Rama 

1745521881_WhatsAppImage20250424at21.08.35.jpeg

Report Tv në bashkëpunim me institutin Piepoli sjellin sondazhin e radhës, kur kanë kaluar 2 javë nga fushata elektorale e zgjedhjeve parlamentare të 11 majit.

Sondazhi ka analizuar dy prej qarqeve më të rëndësishme të zgjedhjeve, Tiranën që këtë vit nxjerr plot 37 mandate, dhe Shkodrën. 

Si e vlerësojnë qytetarët e Tiranës punën e qeverisë Rama? Sipas të dhënave të sondazhit të Piepolit, në Tiranë niveli i kënaqësisë ndaj qeverisë Rama arrin në 42%.

Prej tyre, 22% janë “shumë të kënaqur”, ndërsa 20% janë “mjaft të kënaqur”. Nga ana tjetër, 40% e qytetarëve shprehen se janë “shumë të zhgënjyer” dhe 18% “mjaft të zhgënjyer”.