Mbajtja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në vend në tetor të këtij viti, si duket ka mbetur opsioni i vetëm për të dalë nga ngërçi politik që po përjeton vendi, që nga mbajtja e zgjedhjeve të fundit nacionale të cilat u mbajtën para dy muajsh.
Këtë opsion po e lë si alternativë të vetme madje edhe gjuha, por edhe veprimet e fundit të kryeministri në largim, Hashim Thaçi.
Ky i fundit përmes një komunikate për media kërkoi mobilizim të anëtarëve të partisë së tij, siç ka thënë ai, për ta mbrojtur votën, e në anën tjetër përves premtimeve (jo vendimeve) paralajmëroi se nga një janari i vitit 2015 mësimdhënësit kosovarë do të kenë paga më të larta për 25 për qind. Aktualisht si PDK-ja, ashtu edhe Blloku e kanë të pamundur krijimin e Qeverisë.
E para, PDK-ja e ka në “dorë” Gjykatën Kushtetuese (GJK). Por, nuk i ka votat e deputetëve. E ndërkaq, të dytët, koalicioni LDK-AAK-Nisma, i kanë numrat por shansin për ta provuar po ua mohon Gjykata Kushtetuese, e cila drejtohet nga Enver Hasani. Ky i fundit është “mesia” i vetëm i partisë së Hashim Thaçit. Në momente të fundit e ka nxjerrë nga kriza, por si duket së fundi dhe vetë kryetari Hasani ka nevojë për një “mesi”.
Në këto momente zgjedhjet më së shumti i konvenojnë partisë së kryeministrit Thaçi, pasi që ky përmes vendimeve që i ka marrë si kryeministër na largim ka joshur dhe po josh votuesit potencialë të tij.
Para pak ditësh përmes një vendimi abstrakt që nuk e kuptuan as njerëzit kompetentë, kryetari Hasani edhe më shumë e komplikoi situatën, edhe pse në kushte dhe rrethana normale ai është dashur të gjejë rrugëdalje. Për këtë është i thirrur dhe për këtë punë që ai duhet të bëjë nga shteti merr hiç më pak se 42 mijë e 777 euro në vit, pa i llogaritur këtu edhe honorarët që merr si profesor i Universitetit të Prishtinës, por edhe të hyrave tjera që i realizon ky.
Me vendimet e tij kryetari i Gjykatës Kushtetuese po tregon dhe dëshmon se ligjet në Kosovë nuk janë të zbatueshme ashtu siç janë të shkruara, por janë të negociueshme. Në bazë të praktikës së kryetarit Hasani, i cili në opinion njihet edhe me nofkën “Baba”, i forti gjithmonë ka të drejtë.
Zvarritja ligjore e konsolidimit të institucioneve (me faj të partive politike, por edhe Gjykatës Kushtetuese) ka dëmtuar rëndë reputacionin e vendit në aspektin ndërkombëtar. Ka dëmtuar Kosovën si në aspektin politik, ashtu edhe atë ekonomik.
Nga fillimi i vitit njohjet ndërkombëtare të Republikës së Kosovës janë të pakta. Ndërkaq, në aspektin ekonomik investimet e huaja kanë rënë thuajse për 50 për qind. Çdo ditë e më shumë Kosova po hiqet nga lista e vendeve ideale për të investuar.
Deri më tash Kosova është ballafaquar vetëm me probleme ekonomike, e pas zgjedhjeve nacionale iu janë shtuar edhe problemet politike e që thuajse kanë bllokuar ecjen normale në vend. Mirëpo, situata do të vështirësohet edhe më shumë nëse vendi vazhdon me këtë ritëm menaxhimi.










