Kryeministri Edi Rama ka mbledhur paraditen e sotme, në orën 08:00, ministrat dhe drejtuesit politikë të qarqeve në një takim në godinën e Kryeministrisë.
Burime për Report Tv bëjnë me dije se në fokus të takimit kanë qenë përgatitjet për zgjedhjet lokale të 9 majit 2027, ku janë diskutuar edhe hapër për organizimin elektoral të socialistëve. Prioritet e PS-së mbetet intensifikimi i punës organizative për zgjedhjet lokale dhe forcimi i komunikimit me qytetarët.
Ministrat dhe drejtuesit politikë të qarqeve do të kenë një rol të rëndësishëm në periudhën para zgjedhjeve lokale, konkretisht në përcaktimin e prioriteteve dhe angazhimin e strukturave.
Në fokus të diskutimit ka qenë edhe Prania Besnike. Gjatë takimit, Rama ka kërkuar mobilizimin e strukturave socialiste, duke theksuar rëndësinë e vijimit të takimeve me qytetarët. Kreu i qeverisë u ka kërkuar përfaqësuesve të PS-së që të mos e humbin vëmendjen nga komunikimi i drejtpërdrejtë me qytetarët dhe adresimi i shqetësimeve të tyre.
Ndërkohë ditën e nesërme në orën 11:00, kryeministri Edi Rama do të mbledhë Asamblenë e Partisë Socialiste të Tiranës, me fokus te zgjedhjet lokale 2027. Mbledhja nesër pritet të jetë me dyer të mbyllura, por ende nuk ka një njoftim zyrtar.











Komente
Komento