Zgjerimi i Bashkimit Evropian është një investim strategjik që e bën unionin më të fortë, më të sigurt dhe më të bashkuar. Ky ishte mesazhi që përcolli ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, gjatë Forumit Strategjik të Bledit ku mori pjesë në panelin mbi "Zgjerimin si Mjeti i Ardhshëm Gjeopolitik i Evropës" së bashku me Komisioneren Marta Kos

Në fjalën e tij Hoxha theksoi se teksa zgjerimi është dhe duhet të mbetet një proces i bazuar në meritë, besueshmëria mbetet thelbësore, po aq sa edhe ruajtja e ritmit të negociatave. 

“Ne kemi bërë dhe po bëjmë zgjedhje të vështira, kemi ndërmarrë reforma të gjera dhe mbetemi plotësisht të angazhuar në fuqizimin e institucioneve demokratike”, u shpreh ai.

Sipas Hoxhës, Shqipëria nuk pret vetëm të përfitojë nga anëtarësimi në Bashkimin Evropian, por synon të japë edhe kontributin e saj në forcimin e Unionit.

"Anëtarësimi në BE është njëkohësisht një aspiratë dhe një ofertë. Ne kërkojmë përfitimet e përkatësisë, por jemi po aq të gatshëm të kontribuojmë në forcën, konkurrueshmërinë dhe sigurinë e Unionit të cilit do t'i bashkohemi", nënvizoi Hoxha.

Historia, tha Ministri i Jashtëm, ka treguar se çdo raund zgjerimi e ka bërë Bashkimin Evropian më të fortë, më të begatë dhe më me ndikim. 

Zgjerimi i ardhshëm, sipas tij, nuk do të jetë ndryshe.