Zgjohen strukturat kundër korrupsionit në Shqipëri. Gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2018, janë proceduar 643 persona për korrupsion, nga të cilët 54 janë ndaluar dhe arrestuar. Bilanci pasqyrohet në raportin e Koordinatores Kombëtare Kundër Korrupsionit, Etilda Gjonaj, mbi zbatimin e Strategjisë Ndërsektoriale Kundër Korrupsionit, për periudhën Janar-Qershor 2018.
“Gjatë periudhës Janar-Qershor 2018, nga strukturat Kundër Korrupsionit, janë evidentuar gjithsej: 453 vepra penale, zbuluar: 421, forca zbuluese 92.9%, autorë të proceduar penalisht: 643, nga të cilët arrestuar 3, ndaluar 51, në gjykim të lirë 543, shpallur në kërkim 58, të ndryshme 4. Numri i hetimeve të korrupsionit të gjeneruara nga denoncimet e qytetarëve është 168 raste”, thyhet në raportin e ministres së Drejtësisë.
Në raportin e Koordinatores Kombëtare Kundër Korrupsionit, përcaktohen edhe 18 objektiva në luftën kundër korrupsionit deri në vitin 2020, ku 11 prej tyre bëjnë pjesë në qasjen parandaluese, 4 në qasjen ndëshkuese dhe 3 në qasjen ndërgjegjësuese. Sa i takon objektivit parandalues të korrupsionit, strategjia parashikon rritjen e kontrollit të financave të partive politike si dhe forcimin e kontrollit të pasurive të pushtetarëve. Burimi i parave të partive politike dhe pasuria e zyrtarëve të lartë shihen si çështje të pa adresuara që gjenerojnë korrupsion. Për të kufizuar korrupsionin, është planifikuar gjithashtu analizimi i prirjeve të korrupsionit, fuqizimi i infrastrukturës elektronike të institucioneve publike, adoptimi i politikave anti-korrupsion në nivelin e qeverisjes vendore etj. Sa i takon qasjes ndëshkuese, parashikohet përmirësimi i efiçencës dhe efektivitetit të hetimeve penale kundër korrupsionit si dhe rishikimi i kuadrit ligjor për ndjekjen penale të krimit ekonomik dhe financiar.
Qeveria: Do vazhdojmë luftën
Në raport thuhet se qeveria është e vendosur për të vijuar luftën kundër korrupsionit përmes aksioneve parandaluese, masave ndëshkuese dhe aktiviteteve ndërgjegjësuese. “Korrupsioni është një kërcënim për demokracinë, mirëqeverisjen, konkurrencën e ndershme, zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, shoqëror dhe politik të një vendi. Ai pengon rëndë zhvillimin ekonomik, duke krijuar një sistem pabarazie, paragjykimi e nepotizmi, duke shkatërruar besimin e njerëzve tek shteti i tyre, prandaj lufta kundër korrupsionit është sot një nga sfidat parësore të çdo shteti me kulturë demokratike, vizion dhe integritet të lartë. Qeveria ka dhe do vazhdojë në mënyrë të pandalur të ketë një vullnet të palëkundur në luftën kundër korrupsionit, përmes aksioneve parandaluese, masave ndëshkuese dhe aktiviteteve ndërgjegjësuese”, thuhet në raport.
Kushti për integrimin
Lufta kundër korrupsionit, sidomos në nivele të larta, është një nga kushtet kryesore për avancimin e Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit. “Përparësia e qeverisë në fushën e luftës kundër korrupsionit, përkon më së miri me kushtëzimet e vendosura nga Bashkimi Europian për hapjen e negociatave për anëtarësimin në BE. Lufta kundër korrupsionit është një ndër pesë politikat të cilat vendi ynë këshillohet t’i ndjekë me përparësi në procesin e integrimit evropian të vendit. Po kështu, parandalimi dhe ndëshkimi i korrupsionit është një detyrim që rrjedh nga aderimi i Shqipërisë në instrumentet ndërkombëtarë për luftën kundër korrupsionit si Konventa e Kombeve të Bashkuara kundër Korrupsionit, Konventa Penale e Këshillit të Evropës kundër Korrupsionit,
Konventa Civile e Këshillit të Evropës kundër Korrupsionit etj”, vijon raporti.
4 problematikat
Në raport evidentohen 4 problematika sa i takon raportimit të institucioneve gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2018. “Problematikë mbetet edhe për këtë periudhë vonesa e institucioneve për të raportuar brenda afatit të kërkuar (duke tejkaluar periudhën e raportimit), të cilat ndikojnë drejtpërsëdrejti në hartimin me vonesë të Raporteve të Monitorimit. Mosdërgimi i informacionit mbi disbursimin financiar për aktivitetet e parashikuara në SNKK (nga një pjesë e institucioneve), të cilat ndikojnë në pasqyrimin jo real të kostove për zbatimin e Strategjisë. Gjatë fazës së monitorimit është vënë re një numër i madh pikash kontakti, të cilat kanë raportuar për aktivitete të veçanta të Planit të Veprimit, duke mos u koordinuar brenda institucionit raportues në mënyrë që të dërgohej pranë MD-së një raportim i plotë mbi të gjitha aktivitetet respektive të institucionit përgjegjës. Një tjetër problematikë është cilësia e kontributeve, të cilat janë raportuar pjesërisht, ku shpesh janë rikthyer për t`u plotësuar sipas kërkesave dhe në përputhje me formatin e Planit të Veprimit”, thuhet në raport.
Komento