PRISHTINË, 6 Mars/ATSH/.- Kosova është në fokus dhe në vëmendjen e Bashkimit Europian që kërkon të punojë me autoritetet kosovare dhe kjo mund të shihet nga vizitat që zyrtarë të BE-së bëjnë në Kosovë.
Sipas KosovaPress, kështu deklaroi shefi i zyrës së BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar, i cili ishte i ftuar në komisionin për integrime evropiane.
Ai foli edhe për MSA-në, ku sipas tij, ajo që do të vijë si rezultat i këtij bashkëpunimi do të jetë hapi i parë drejt rrugës në BE.
Zhbogar bëri të ditur se, kjo marrëveshje është duke u përkthyer në të gjitha gjuhët e BE-së dhe pritet që kjo të përfundoj në prill dhe pastaj marrëveshja duhet të aprovohet nga Komisioni Evropian për t'iu dërguar më pas shteteve anëtare.
"Shtetet anëtare pastaj duhet ta aprovojnë gjithashtu me qëllim që ne të jemi në gjendje që ta nënshkruajmë. Pra po shpresojmë që nënshkrimi do të mund të bëhet rreth verës, megjithatë traktati duhet të hyjë në fuqi në vitin 2016?, tha ai.
Zhbogar foli edhe për liberalizimin e vizave, duke thënë se ky është procesi më i rëndësishëm për popullin e Kosovës. Ai tha se, nuk pajtohet me pretendimet se vala e madhe e migrimit që ka ndodhur në Kosovë, ka ndodhur për shkak se Kosova nuk e ka fituar liberalizimin e vizave.
Sipas tij, "arsyeja e migrimit është për shkak se qytetarët kanë kërkuar të gjejnë punë në vendet e BE-së". Zhbogar ka thënë se numri i atyre që po largohen nga Kosova është zvogëluar, por sipas tij, shkalla e pakënaqësisë tek popullata është në rritje e sipër.
Ndërsa kryetarja e komisionit, Teuta Sahatçiu ka ngritur shqetësimin për faktin se deputetët e parlamentit të Kosovës me pasaportë diplomatike kanë marrë viza vetëm tre ditore./m.m/