300 byzylykë për mbikëqyrje elektronike të të pandehurve me vlerë rreth 2 milionë euro mungojnë në Ministrinë e Drejtësisë.
 
Edhe pse ky institucion i ka paguar paratë dhe duhet të kishte në inventarin e saj, këto pajisje të shtrenjta dhe me rëndësi të lartë, mungojnë.
 
Përmes një shkrese që mban datën 1 gusht, ministri u drejtohet kompanive që kanë fituar tenderin t’i kthejnë byzylykët, të cilët duket se kanë shëtitur mes disa zyrave, të paktën shkresërisht, pasi ekzistenca e tyre fizike ngelet e paprovuar.

Katër ditë pas zbulimit të skandalit, Ministria e Drejtësisë i është drejtuar Prokurorisë duke kërkuar hetimin e rastit të zhdukjes së 300 byzylykëve. Burimet pranë këtij dikasteri thanë për Shqiptarja.com se Prokuroria nga ana tjetër ka nisur hetim për mënyrën e tenderimit të datës 11 prill për dorëzimin e pajisjeve të mbikëqyrjes tek bashkimi i operatorëve privatë.
 
82 byzylykë rezultojnë të dëmtuar nga 300 prej tyre ndërsa aktualisht 79 persona janë me mbikëqyrje elektronike. 

Tenderi ka kushtuar rreth 2 milionë euro ndërsa asnjë prej byzylykëve të dëmtuar nuk është rikthyer pranë ministrisë së drejtësisë nga kompanitë private. 

Për këtë rast pritet dhe një hetim i detajuar i organit të akuzës për të parë nëse pajisjet e mbikëqyrjes elektronike janë dëmtuar nga të pandehurit dhe nëse vënia e tyre në funksion sërish është ose jo detyrë e kompanive private.

Njollat e errëta të supertenderit të byzylykëve elektronikë
Pas përplasjes midis Ministrisë së Drejtësisë dhe një kompanie private për misterin e 300 byzylykëve elektronikë të cilët shërbejnë për mbikqyrjen elektronike të të dënuarve, “Shqiptarja.com” zbulon detajet e zhvillimit tenderit me vlerë rreth 2 milionë euro që shteti shqiptar ka paguar për këtë shërbim, bashkimit të tre operatorëve ekonomikë: Soft & Solution, Fastech dhe Ratech.

Një rëndësi të veçantë dhe me mjaft interes është edhe mënyra dhe afati kohor i prodhimit dhe dorëzimit të pasijeve të sistemit elektronik nga privati tek shteti. Nga dokumentacioni zyrtar që ka siguruar “Shqiptarja.com" rezulton një fakt i habitshëm që për një muaj kompania fituese e këtij tenderi ka arritur të ngrejë të gjithë sistemin e këtij shërbim elektronik të sofistikuar.

Kështu, pasi ka fituar tenderin në mënyrë zyrtare më datë 20 shkurt 2017, konsorciumi i tre kompanive ka lidhur kontratën me Ministrinë e Drejtësisë një ditë më pas, më 21 shkurt, dhe fiks një muaj më pas, në 21 mars të 2017, është bërë dorëzimi i gjithë sistemit të këtij shërbim elektronik të sofistikuar duke përfshirë 300 byzylykë që janë prodhime të huaja.

Ministria e Drejtësisë hetim specialistëve
Skandali me byzylykët me vlerë 2 milionë euro, për mbikëqyrjen elektronike të të dënuarve, ka vënë në lëvizje Ministrinë e Drejtësisë.
 
Sipas këtij dikasteri, sasia prej 300 byzylykëve, siç ka konstatuar Ministria e Drejtësisë i është rikthyer në kundërshtim me ligjin kompanisë private të kontraktuar e cila është një bashkim operatorësh ekonomik.
 
Burime pranë kësaj Ministrie bëjnë të ditur se pjesë e këtij hetimi për shkelje të ligjit janë  grupi i specialistëve të shërbimit të provës por edhe të Ministrisë së Drejtësisë, që kanë firmosur dokumentin me numër protokolli 834 të datës 11 prill për dorëzimin e 300 byzylykëve, tek bashkimi i operatorëve. 
 
Po ashtu edhe pse në letrën  afati i fundit që ministria përcaktonte kompanisë për dorëzimin e pajisjeve ishte data 3 gusht, një përfaqësi e bashkimit të operatorëve kanë zhvilluar një takim me ministrin ku mësohet se u është lënë një afat deri ditën e martë për t’u kthyer mbrapsht 300 byzylykët e blerë.
 
Ndryshe Bardhi ka theksuar se ndaj tyre do të depozitohet kallëzim penal në prokurori.

Kompania: Jemi gati t'i dorëzojmë, ministri nxjerr probleme
Në një prononcim për Report TV, bashkimi i operatorëve ekonomikë, i përfaqësuar nga Ratech, ka thënë se: “Ne i kemi marrë pajisjet me dokument dorëzimi nga Shërbimi i Provës. Ne nuk jemi vetëm prodhues, por sipas kontratës, ne i vendosim këto byzylykë tek personat e pandehur. 

Shërbimi i Provës na i ka lënë ne këto pajisje me qëllim që, në rast se na duhet në mesnatë të bëjmë një instalim, të mos shkojmë tek ministria e t’i themi na hap pak magazinën të marrim një byzylyk.
 
Megjithëkëtë, në 3 gusht ne i kemi dërguar një shkresë ministrisë ku i kërkojmë të bëjmë dorëzimin, por personi i autorizuar nga ministri, Katrina Treska nuk ka krijuar kushtet për të bërë dorëzimin. Njerëzit tanë janë gati, ministri nxjerr probleme për të mos i marrë në dorëzim
”.

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com