Zhupa paralajmëron: Akademia e Shkencave është kthyer në skutë politike, PD do shkojë në gjykata që të mos jetë pensionim luksi

 

Deputetja e PD, Ina Zhupa ka reaguar për ceremoninë e 50-vjetorit të themelimit të Akademisë së Shkencave duke thënë se është kthyer në skutë politike pasi nuk foli për udhëkryqet ku ndodhet Shqipëria.

Sipas Zhupës, Skënder Gjinushi e drejton në mënyrë të paligjshme Akademinë e Shkencave  pasi nuk është i dekretuar nga Presidenti pasi mbante posti e kryetarit të një partie politike kur u emërua në këtë post.

Ndër të tjera thotë se PD të ndërrmarrë hapat e nevojshëm, në gjykatat kombëtare edhe ndërkombëtare, që Akademia të mos jetë pensionim luksi për politikanet e fundit të diktaturës.

“Ceremonia që ndoqët sot duhet të ishte një ditë feste për shkencën dhe mendimin shqiptar. Siç e prisnim dhe siç e patë, nuk rezultoi më shumë se një plenum i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Rilindur, një takim i udhëheqësit me shokët e një Akademie pa shkencë dhe të pashoqe në botë.  Për faktin e thjeshtë dhe fatin e keq, se Akademia e Shkencave është kthyer në skutë politike, pjesë e një shteti që i ka të gjitha pushtetet.

Një Akademi shkencash serioze do të kishte folur ndërkohë për udhëkryqet ku gjendet Shqipëria:

Për dramën e shpopullimit;

Për Ballkanin e Hapur që, nën maskën e lirisë, kthen ditët e Jugosllavisë;

Për rrënimin e trashëgimisë kulturore, si në rastin e Butrintit, ku kryetari i Akademisë tha se nuk i kishte pyetur njeri;

Për tekstet shkollore me plot marrëzira, ndër të tjera prindi 1 dhe prindi 2;

Për idenë kombëtare, apo ku po shkon kombi në 100 vjetëshin e dytë të ekzistencës si shtet.

Vepra e vetme në shkencë e Akademisë mbetet pamfleti udhëzues për Covid-19, një doracak i shkarkuar në internet.

 Por, të presësh më shumë nga kjo Akademi do të thotë të kesh pritshmëri, së pari nga kreu i saj, dhe së dyti nga ai që e caktoi në drejtim të këtij institucioni. Ju kujtojmë se sot Akademia e Shkencave drejtohet në mënyrë të paligjshme nga Skënder Gjinushi, një kryetar i padekretuar nga Presidenti i Republikes. Mos dekretimi erdhi për shkak të faktit se Gjinushi ishte në shkelje flagrante të ligjit: mbante postin e kryetarit të një partie politike dhe emërohej në krye të Akademise se Shkencave.

Ju kujtojmë gjithashtu se Skënder Gjinushi, ka qenë ministri i fundit i Arsimit i diktaturës Hoxha-Alia. Ju kujtojmë se “Ligji për Akademinë e Shkencave” është antikushtetues, sepse Asambleja e ASH ka marrë kompetenca qe i ka vetëm parlamenti, duke miratuar kryetarin pa dekret. Dekretimi i Kryetarit te ASh është kompetencë eksplicite e Presidentit e shprehur ne kushtetute.

Në këto kushte nuk kemi Akademi që përcakton programacionin e kombit dhe të shtetit, por një seksion të pushtetit të Edi Ramës.

Edi Rama e ka kthyer një prej institucioneve themeltare të Republikës në një azil pensionistësh politikë, kontributi i fundit në shkencë i të cilëve ka qenë para rrëzimit të komunizmit. Të bësh shkencë me njerëzit e Pilo Peristerit në kohën e Elon Musk, është një përrallë nga Zululandi.

Partia Demokratike do ndjekë te gjitha hapat e nevojshëm, në gjykatat kombëtare edhe ndërkombëtare, që Akademia të mos jetë pensionim luksi për politikanet e fundit të diktaturës, por institucion i pavarur nga politika, institucion mendimi dhe qëndrimesh publike në të mirë të zhvillimit të shtetit dhe kombit”, tha Zhupa.


Lajmi kryesor:

50-vjetori i themelimit të Akademisë së Shkencave, Rama: Akademikët tanë mbrojtën interesin e gjuhës shqipe! Nëse sot përballemi me botën si shqiptarë është falë tyre


/KT/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë