Ziso Kristopulli: SHIK-u më
mori peng, bashkë me Remziun

Ziso Kristopulli: SHIK-u më <br />mori peng, bashkë me Remziun
TIRANE - U morra peng me thes në kokë, më torturuan dhe dhunuan", tregon Ziso Kristopulli, një nga personat që u rrëmbye nga SHIK në 1995. Në një intevristë për gazetën "Shqiptarja.com", Kristopulli rrëfen se lufta e tij më e madhe ka qenë përballimi i presioneve dhe kërcënimeve që iu bënë fill pas lirimit. Ndërsa e komenton si të turpshëm vendimin e gjykatës dhe lirimin e ish-agjentëve të SHIK, të cilët e torturuan duke e akuzuar si trafikant armësh për serbët. I pyetur për Remzi Hoxhën ai tregon se nuk e ka njohur asnjëherë dhe emrin e tij e ka dëgjuar vetëm nag Ilir Kumbaro.

Si e pritët vendimin e Gjykatës së Krimeve të Rënda?
Çfarë mund të presësh nga një vendim i tillë, është e turpshme të dëgjosh arsyetimin e gjykatës për një çështje që ka ndodhur prej 17 vjetësh dhe ka pasur debate. Për këtë vendim pati reagim edhe nga ndërkombëtarët. Jam dhunuar fizikisht dhe psikologjikisht, jam torturuar dhe mbajtur në izolim nga personat që u lanë të lirë. Çfarë drejtësie ka në Shqipëri, kur ky vendim është marrë nën ndikim nga shteti. Turp për trupin gjykues dhe për prokuroren, që lejuan SHIK të ndikonte në dhënien e drejtësisë.

Gjykata tha se të pandehurit kanë cënuar lirinë tuaj, si e komentoni?
Mund ti them trupit gjykues se mua nuk më është cënuar liria, por jam marrë peng me një thes në kokë, jam dhunuar dhe torturuar, pra nuk vajta me dëshirën time. Kur erdhën të më merrnin mu prezantuan si punonjës të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Avni Koldashi u urdhërua nga Kumbaro që të vinte të më merrte mua në Sarandë, pasi më akuzonin për veprime antikushtetuese. Ndaj meje është ngritur akuza e trafikut të armëve nga Serbia, Mali i Zi, Korçë, Elbasan, Përmet, Sarandë dhe Vlorë, duke më kthyer mua në një agjent të serbëve. Kam pasur një lokal në buzë të detit kur vinte dhe drekonte ish-ministri i Brendshëm Agron Musaraj. Nëse do të ishin të vërteta këto akuza atëherë unë do ta kisha vrarë Musarajin. Lajmi i kapjes simë nga SHIK u dekonspirua mjaft mirë kur Preç Zogaj zbardhi shkrimin dhe ata u detyruan që të më lironin duke më shpëtuar. Kam ndenjur për një kohë të gjatë në Greqi, ku u mjekova për dëmtimet e rënda dhe hematomat që kisha në mushkëri nga dhuna. Lufta ime më e madhe ka qenë pas lirimit për të përballuar presionet që më bënin. Unë kisha një pulari, e cila mu shkatërrua komplet duke më shkaktuar dëm shumë të madh financiar. Ngjarja e radhës ishte tentativa e vrasjes, të cilës arrita ti shpëtoja. Kam pasur provokime të shumta dhe kam kërkuar mbrojtjen. Më ka ardhur një zëvendes prokurore, e cila më tha se do të më ndryshonin identitetin dhe do më fshihnin. Por nëse do pranoja do më kishin vrarë.

Si e zbuluat emrin e Avni Koldashit, pasi ju denoncuat këtë ngjarje?
Çështjen gjyqësore e kam hapur unë në vitin 2003, pas shumë përpjekjeve dhe mos marrjes së asnjë përgjigjeje. Jam drejtuar tek Avokati i Popullit duke i kërkuar dëmshpërblim për çka pësova. Kjo ishte pikënisja e hapjes së dosjes dhe më pas zbulimit të emrave. Nga miqtë të mi kam arritur që të gjej emrin e Avni Koldashit. Pasi u bë verifikimi nga Avokati i Popullit, dosja është dërguar në prokurori dhe nga hetimet u zbuluan edhe emrat e personave të tjerë. Budjon Meçe, i cili prej kohësh është në gjendje kome, ka qenë një person i tmerrshëm. Ai ishte kafshë, fashist dhe psikopat, kur kujtoj ato tortura që bënte. Së bashku me Ilir Kumbaron ata na kanë torturuar në mënyrë barbare. Duhet të ishin në burg për ato që kanë bërë, por i zë amnistia dhe lirohen, ndërsa mua nuk më jepet asnjë dëmshpërblim për torturën, dhunën, presionin që pësova.

Si e pritët vendimin e dënimit vetëm për Ilir Kumbaron?
Ilir Kumbaro nuk ka për tu gjetur asnjëherë nga drejtësia. Është shumë e habitshme dhe e çuditshme sesi ky person zhduket dhe i fshihet drjetësisë angleze pikërisht kur ishte përgatitur ekstradimi i tij. Si ka mundësia që forcat e policisë angleze nuk arrijnë ta gjejnë dot dhe thonë se është zhdukur. Ilir Kumbaro na dhunoi, na torturoi dhe ai është personi që i mbeti në dorë Remzi Hoxha nga torturat e tmerrshme. Pra këtë person e dënon gjykata kur ai është deklaruar i zhdukur.

Si e pritët lajmin e vdekjes së prokurorit Xhevat Hana?
Tepër misterioze ka qenë vdekja e prokurorit Xhevat Hana, me të cilin u takova në gusht në Ksamil dhe ishte shumë mirë nga ana shëndetësore. Xhevat Hana ishte një prokuror shumë i drejtë dhe puna e tij ka qenë shumë e saktë. Ndërsa vjen një prokurorë, e cila përmbys gjithë dosjen. Jam 62 vjeç dhe kam përjetuar shumë situata, jam me arsim të lartë, por nuk kam dëgjuar ndonjëherë që prokuroria të mos vi ditën e pretencës duke thënë se ka axhendën shumë të zënë. Kjo lë shumë dyshime dhe kuptohet se iu desh që të ndryshonte pretencën dhe të gjente justifikimin e amnistisë.

Cili ka qenë roli që ka luajturi Arben Sefgjini?
Nuk u përcaktua dot në fillim se cili ishte roli i Sefgjinit, pasi në fillim nuk dihej se kush ishte. Por Avni Koldashi zbatoi një urdhër që iu dha për të më marrë mua dhe për të më dorëzuar në vendin e kërkuar duke u larguar. Por nga bisedat me shokët dhe të njohur arrita që t'ia gjeja emrin. Vetë Avni Koldashi kur ka ardhur më ka thënë se Arben Sefgjini më thirri në zyrë dhe më tha të merrja Ziso Kristopullin pasi akuzohet për veprime antikushtetuese. Arben Sefgjinin ka dhënë urdhrin, nuk ka lidhje me dhunën që na është ushtruar. Por edhe ai duhet të ishte në burg, pasi është urdhëruesi.

Keni pasur njohje me Remzi Hoxhën?
Unë nuk e kam njohur dhe se kam parë asnjëherë Remzi Hoxhën, nuk e dija se kush ishte. Por ditën që do më lironin kam dëgjuar disa ulërima që vinin nga një dhomë. Vetë Ilir Kumbaro më ka thënë që ty do të të nxjerrim dhe Remziun do ta mbajmë këtu. Mua më akuzonin si bashkëpunëtor me Hoxhën, ndërsa unë se dija se kush ishte. Kam vajtur në Kosovë dhe jam takuar me djalin e Remzi Hoxhës duke i treguar gjithçka që dija. Ndërsa Avdyl Loshaj e ka pasur shumë mik Remzi Hoxhën, madje ai ka qenë ushtar besnik i tij.

Çfarë kërkoni nga shteti?
Kërkoj dëmshpërblim nga shteti për gjithë dëmin moral, fizik dhe ekonomik që më është shkaktuar. Kam mbetur pa asnjë gjë dhe dua që të më shpërblejë të gjitha vuajtjet që hoqa. Problemet shëndetësore që më shkaktoi dhuna fizike, dëmin e madh financiar që më bënë dhe të më shlyejnë gjithë presionet morale.


HISTORIA
Rrëmbimi nga SHIK dhe nisja e hetimeve

Në vitin 1995 Remzi Hoxha së bashku me Zizo Kristopullin dhe Avdyl Loshaj u morrën peng nga SHIK. Avdyl Loshaj arriti të shpëtonte duke u arratisur, ndërsa Kristopulli u lirua nga vetë ish-agjentët pasi u bë publik pengmarrja. Avokati i Popullit pas denoncimit të Kristopullit dërgoi çështjen në prokurori, e cila urdhëroi arrestimin e ish-shikasve. Por me një vendim të Apelit për të pandehurit u caktua arresti ne shtëpi. Në 2008 nisi gjyqi tek Krimet e Rënda duke përfunduar në 2012 me dënimin e Ilir Kumbaros me 15 vjet burgim dhe pushimin e çështjes për Koldashin dhe Sefgjinin.

Shkrimi u botua në numrin e sotëm të së përditshmes SHQIPTARJA.com


(Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?



×

Lajmi i fundit

Sarandë, 2 vite burg biznesmenit Pando Papuçi I Konfiskohet pallati 7 katësh në ndërtim e sipër! Ishte pa leje

Sarandë, 2 vite burg biznesmenit Pando Papuçi I Konfiskohet pallati 7 katësh në ndërtim e sipër! Ishte pa leje