Gjatë 24-orëve të fundit në vendin tonë janë raportuar 11 vatra zjarri, nga të cilat 6 mbeten aktive dhe 3 po mbahen nën mbikëqyrje.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, vatrat aktive janë të përqendruara në Tiranë, Dibër, Korçë dhe Durrës.

Situata më problematike paraqitet në qarkun e Dibrës, ku po vijojnë të jenë aktive vatrat në Vajkal, Sllatinë, Lundre dhe Ballenjë, por deri tani nuk raportohet rrezik për zonat e banuara. Në Lundre të Matit, për shuarjen e flakëve ndërhyri edhe një helikopter i Forcave të Armatosura.

Në Malin e Dajtit, në drejtim të Qafë-Priskës, po punohet ende për vënien nën kontroll të flakëve. Operacioni po mbështetet edhe nga një helikopter i Forcës Ajrore.

Në Qafën e Lugut, Vithkuq, vatra në sipërfaqe pyjore do të monitorohet gjatë natës për shkak të terrenit të vështirë dhe pamundësisë së ndërhyrjes në orët e vona.

Në Zallë, Fushë-Krujë, vatra e riaktivizuar është vënë nën kontroll, ndërsa nuk ka zona të banuara në rrezik.

Në Elbasan, zjarret në malin e Dardhës dhe malin e Qukësit janë nën mbikëqyrje dhe nuk rrezikojnë banesat.

Për përballimin e situatës janë angazhuar në total 284 forca operacionale dhe 33 automjete zjarrfikëse, ndërsa Forcat e Armatosura kanë mbështetur operacionet me 80 efektivë dhe 2 helikopterë të Forcës Ajrore.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:54
Rëndohet situata në Lundre të Matit, era dhe thatësira favorizojnë përhapjen e zjarrit (VIDEO)

 

Vatra e zjarrit në fshatin Lundre të Njësisë Administrative Ulzës në Bashkinë e Matit mbetet problematike.  Era e fortë dhe thatësira e madhe ka bërë që flakët të përhapen me shpejtësi, duke arritur një sipërfaqe të konsiderueshme.

Prej disa orësh shërbimet zjarrfikëse, shërbimi pyjor dhe banorë të zonës po operojnë nga toka por pa mundur të ndalojnë zgjerimin e vatrës.

Sakaq, nga ajri ka nisur operacionin një helikopter i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile i cili po asiston duke përdorur liqenin e Shkopetit që e ka afër për tu mbushur me ujë.

Autoritetet vendore kërkojnë më shumë mbështetje nga ajri pasi situata po përkeqësohet nga minuta në minut.

Ora 10:49
Zjarr pranë zonës naftëmbajtëse të Marinzës, zjarrfikësit vënë nën kontroll flakët (VIDEO)

 

Një zjarr ka përfshirë mbrëmjen e djeshme një sipërfaqe me shkurre pranë zonës naftëmbajtëse të Marinzës.

Fatmirësisht zjarrfikësit izoluan flakët në mënyrë që ato mos të përhapeshin më tej.

Nuk dihet nëse zjarri është i qëllimshëm ose jo.