Katër vatra zjarri vijojnë të jenë aktive në vend, ndërsa 11 të tjera janë shuar plotësisht. Sipas të përditësimit më të fundit të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC), deri në orën 20:00 të kësaj të marte janë raportuar gjithsej 17 vatra zjarri në territorin e vendit, ku 4 mbeten aktive, 2 janë nën mbikëqyrje dhe 11 janë neutralizuar.
Për përballimin e situatës janë angazhuar 164 forca operacionale dhe 13 automjete zjarrfikëse. Në mbështetje të operacioneve kanë marrë pjesë edhe Forcat e Armatosura me 90 efektivë dhe 2 helikopterë.
Vatrat aktive ndodhen në Dajt, Vajkal të Bulqizës, Lundre të Matit dhe Therepel të Skraparit.
Në Dajt, forcat vijojnë punën në drejtim të Qafë-Priskës, ku në terren janë angazhuar 68 efektivë. Sipas AKMC-së, zjarri nuk paraqet rrezik për zonat e banuara.
Në Vajkal të Bulqizës, flakët vijojnë në një terren shkëmbor, ku deri tani janë përshkuar mbi 13 hektarë. Në operacion marrin pjesë 48 forca dhe nuk ka rrezik për banesat.
Në Lundre, bashkia Mat, operacioni po ndihmohet edhe nga kushtet e erës. Në terren janë angazhuar strukturat vendore, vullnetarë, 30 efektivë të Forcave të Armatosura dhe një helikopter.
Në Therepel të Skraparit, në shuarjen e zjarrit po marrin pjesë forcat zjarrfikëse nga Skrapari, Berati dhe Poliçani, vullnetarë, si dhe një helikopter i Forcave të Armatosura.
Ndërkohë, vatrat në Qafën e Lugut-Vithkuq dhe në malin e Qukësit-Prrenjas mbeten nën mbikëqyrje dhe, sipas AKMC-së, nuk paraqesin rrezik për zonat e banuara.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile bën të ditur se po ndjek në mënyrë të vazhdueshme situatën në të gjithë vendin, në koordinim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e tjera të Mbrojtjes Civile. Kapacitetet operacionale mbeten të angazhuara dhe në gatishmëri për ndërhyrje, me prioritet mbrojtjen e jetës së qytetarëve, banesave dhe pasurisë.
Situata e krijuar nga zjarri në fshatrat e Ulzës në Dibër vijon të jetë kritike, pasi për shkak të përhapjes së perimetrit në një rreze prej 5 kilometër, rreziku ju është afruar edhe banesave.
Situata mbetet kritike për shkak të erës së fortë dhe bimësisë së thatë. Ndërkohë pritet që nga momenti në moment të bëhet evakuimi i banorëve që kanë shtëpitë në këtë zonë për shkak se flakët po shkojnë drejt tyre.
Edhe pse në rrugë tokësore janë dhjetëra forca të zjarrfikëses, shërbimit pyjor, mbrojtjes civile, të forcave të armatosura dhe vullnetarë, është e pamundur ndalja e hovit të zjarrit, ndërsa zona është e mbushur me tym që kufizon fushëpamjen dhe bëhet rrezik për asfiksimin e grupeve në terren.






Komente
Komento