Mbi 20 mijë persona, mes tyre mijëra turistë që ndodheshin në kampe dhe struktura pushimi, janë evakuuar nga një zjarr i madh që po përhapet në bregdetin jugperëndimor të Francës.

Zjarri shpërtheu në një pyll me pisha pranë fshatit Saumos, rreth 40 kilometra në perëndim të Bordosë dhe në veri të Gjirit të Arkaçonit, një nga zonat më të frekuentuara turistike të vendit. Brenda më pak se 24 orësh, flakët kanë përfshirë një sipërfaqe prej 2.400 hektarësh.

Sipas autoriteteve, deri tani nuk raportohet për viktima apo banesa të shkatërruara. Megjithatë, prefektura e Girondës tha se situata mbetet e pafavorshme, ndërsa rreth 700 zjarrfikës dhe katër avionë që hedhin ujë po punojnë për të vënë flakët nën kontroll.

Patrick Martineau, një banor 69-vjeçar i evakuuar nga Le Porge, tha se policia trokiti derë më derë për të nxjerrë banorët. “Është e frikshme. Kur blemë shtëpinë këtu, nuk e menduam kurrë se do të përballeshim me një rrezik të tillë”, tha ai.

Një pushuese nga Parisi, që ndodhej në Lège-Cap-Ferret, tregoi se një fqinj e paralajmëroi të përgatiste valixhet sepse evakuimi do të bëhej gjatë natës. Ndërsa Elke Urbain nga Antverpeni, e cila pushon çdo vit në këtë zonë, tha se u njoftua në plazh të kthehej menjëherë në kamping për të marrë sendet personale.

Në vitin 2022, një tjetër zjarr në të njëjtën zonë dogji mbi 30 mijë hektarë dhe detyroi evakuimin e rreth 50 mijë personave. Sipas autoriteteve, këtë herë flakët, të favorizuara nga era e fortë dhe kushtet e thata, kanë arritur deri në 10 metra lartësi.

Nëntë bashki kanë hapur qendra pritjeje për të evakuuarit, ku po strehohen më shumë se 2.500 persona. Gjatë operacionit janë mbyllur edhe disa rrugë, përfshirë ato që çojnë drejt gadishullit Cap Ferret, një prej destinacioneve më ekskluzive të pushimeve në Francë.