Policia ka arrestuar një 38-vjeçar i cili shkaktoi zjarrin që përfshiu të enjten magazinën në Shkozet.
Sipas policisë, Admir Ndoja ndezi zjarr për djegien e disa barishteve, por flakët dolën jashtë kontrollit dhe dogjën magazinën me fishekzjarrë e lodra fëmijësh.
Me ndërhyrjen e zjarrfikësve, vatra u izolua shpejt pa rrezikuar banesa e objekte përrreth. Megjithatë, dy zjarrfikës u transportuan në spital për shkak të asfiksimit.
Qarkullimi i automjeteve u bllokua në disa segmente dhe u ndërpre furnizimi me energji elektrike. Një prej linjave elektrike u stakua për çështje sigurie, ndërsa një pjesë e qytetit vijonte të furnizohej me energji elektrike.
Njoftimi i policisë:
Ndezi zjarr për djegien e barishteve, por flakët dolën jashtë kontrollit dhe përfshinë një magazinë, identifikohet dhe vihet në pranga autori i dyshuar.
Strukturat për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës vunë në pranga shtetasin A. N., 38 vjeç, banues në Durrës.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se ky shtetas, në lagjen nr. 14, Durrës, ka ndezur zjarr për djegien e disa barishteve pranë magazinës së një subjekti privat. Si pasojë e daljes së flakëve jashtë kontrollit, zjarri ka përfshirë magazinën, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.
Komente











