Një sipërfaqe me shkurre dhe ullinj është përfshirë nga flakët këtë të diel në fshatin Hekal të Mallakastrës, duke vënë në rrezik Parkun Arkeologjik të Bylisit.
Sipas burimeve nga fshati Hekal, flakët kanë rënë fillimisht pranë rrugës rurale që lidh Hekalin me Klosin, ku është përfshirë nga zjarri një sipërfaqe e mbjellë me ullinj. Më pas, të favorizuara nga era e fortë, flakët janë përhapur me shpejtësi në zona të mbuluara me bimësi të thatë.
Zjarri ka depërtuar edhe në territorin e Parkut Arkeologjik të Bylisit, ku janë djegur shkurre. Fatmirësisht, sipas informacioneve paraprake, monumentet arkeologjike, bazilikat dhe strukturat prej guri nuk kanë pësuar dëmtime.
Në vendngjarje kanë ndërhyrë forcat zjarrfikëse të Ballshit, një mjet zjarrfikës nga Fieri dhe një nga Bashkia e Patosit. Në operacion janë angazhuar edhe banorët e fshatrave Klos dhe Hekal, të cilët kanë ndihmuar në përpjekjet për izolimin e flakëve.
Për shkak të përmasave të zjarrit dhe terrenit të vështirë kodrinor, është kërkuar edhe ndërhyrja nga ajri. Një helikopter ka mbërritur në zonë dhe ka operuar për të bërë të mundur vënien nën kontroll të flakëve.
Pas disa orësh pune, zjarri u shua, ndërsa ekipet zjarrfikëse vijojnë monitorimin e zonës për të parandaluar riaktivizimin e vatrave, pasi era e fortë mund të favorizojë përhapjen e flakëve, veçanërisht gjatë orëve të natës.
Në reagimin e tij për ngjarjen, Ministri i Turizmit Blendi Gonxhja, shprehu mirënjohje për të gjithë ata që mbrojtën Parkun Arkeologjik dhe vuri theksin tek fakti që trashëgimia kulturore është përgjegjësi e përbashkët
" Mirënjohje për të gjitha forcat që mbrojtën Parkun Arkeologjik Bylis! Falë reagimit të menjëhershëm, profesionalizmit dhe bashkëpunimit të shkëlqyer ndërinstitucional, u bë e mundur të shmangej një rrezik serioz për një nga pasuritë më të rëndësishme të trashëgimisë sonë kulturore. Puna për shuarjen finale të zjarrit po vijon! Mirënjohje për efektivët e shërbimeve zjarrfikëse të Mallakastrës, Roskovecit dhe Albpetrolit, për punonjësit e Parkut Arkeologjik Bylis, për Prefekturën Fier, Bashkinë Mallakastër, Ministrinë e Mbrojtjes për mbështetjen ajrore, si dhe për të gjitha strukturat e Policisë së Shtetit dhe të Emergjencave Civile që kontribuan në mbrojtjen e parkut. Trashëgimia kulturore është një pasuri kombëtare dhe mbrojtja e saj është përgjegjësi e përbashkët. Çdo akt i papërgjegjshëm që rrezikon monumentet, natyrën dhe sigurinë e komunitetit duhet të marrë përgjigjen që parashikon ligji. Bylisi u mbrojt falë përkushtimit dhe sakrificës së shumë njerëzve. Respekt!" shkruajti Gonxhja
Komente








