Zjarri masiv që shkrumboi dje një prej godinave të kompleksit ‘Arlis’ në zonën e njohur si ‘Farmacia 10’ në kryeqytet, ka lënë pas hi, dhimbje e lot në sytë e banorëve. Rreth 30 banesa janë prekur nga flakët, ndërsa dyshohet se shkaku kryesor për përhapjen e flakëve nga kati zero deri katin e 12 (i fundit i ndërtesës) është materiali i fasadës. Dëmet përllogariten të mëdha ndërsa në orët në vijim pritet të bëhet bilanci i plotë.
Dyshohet se zjarri ka nisur nga plehrat e marketit (kryesisht kartonë) të lëna jashtë shumë afër me fasadën e pallatit. Policia ka arrestuar menaxheren e marketit e akuzuar për "Shkatërrim i pronës nga pakujdesia" dhe "Shkelje e rregullave të mbrojtjes në punë".Në pranga ka rënë dhe administratori i pallatit Agron Cara, kontraktori i fasadës Altin Furtuna dhe inixhineri i kompanisë ndërtuese ‘Arlis’ Enver Ademi, të akzuar për "Shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë". Ndërkohë nën hetim është vënë pronari i kompanisë ‘Arlis’ Armando Lilo, i kontraktuari për ndërtimin e kompleksit ‘Arlis’ Sh, B., dhe 2 punonjëse të marketit.
Ndaj menaxheres së marketit është ngritur akuzë pasi nuk ka marrë masa për heqjen e mbeturinave të kartonit të grumbulluara në pjesën e jashtme. Ndërkohë administratori i pallatit akuzohet se nuk ka marrë masa për funksionalitetin e masave mbrojtëse për shpëtimin e qytetarëve dhe mbrojtjes nga zjarri.
Banorët tashmë kanë mbetur në qiell të hapur, pa një shtëpi për të jetuar, ndërsa ende nuk është gjetur një zgjidhje për strehimin e tyre. Kompania ndërtuese ‘Arlis’ në një reagim zyrtar ka marrë përsipër rindërtimin e godinës së prekur nga flakët si dhe të apartamenteve të ndërtuara për t’ua dorëzuar dhe njëherë banorëve si në fillim.
“Shoqëria "Arlis Ndërtim" shpk pavarësisht se nuk mbart asnjë përgjegjësi ligjore, por në kuadër të përgjegjësisë sociale si kompani, si dhe angazhimit të saj për të qenë pranë njerëzve që e kanë besuar dhe banorëve të prekur, merr përsipër me shpenzimet e saj, rindërtimin e plotë të fasadës së pallatit të dëmtuar nga zjarri si dhe rindertimin e të gjithë apartamenteve të dëmtuara duke i kthyer në gjendjen fillestare, pra në të njëjtat kushte që banorët e kanë marrë apartamentin me çelësa në dorë në momentin e dorëzimit”, thuhet në reagim.
Kompania thotë se nuk ka asnjë detyrim ligjor pasi ka zbatuar të gjitha standardet e sigurisë dhe se objekti dhe punimet e kryera, janë certifikuar nga autoritetet përkatëse.
Të martën, në QSUT u paraqitën 11 banorë që kishin pësuar djegie të lehta e asfiksi, ndërsa vetëm një grua ishte lënduar më rëndë. Zjarrfikësja përdori 3 autoshkallë për të evakuuar banorët, ndërsa në ndihmë erdhën edhe nga Vora e Kamza, si dhe dy helikopterë Cougar.
Lajm në përditësim...
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë

Kompania ‘Arlis Ndërtim’, ka reaguar zyrtarisht duke marrë përsipër rindërtimin e godinës së prekur nga zjarri si dhe të apartamenteve të dëmtuara, për t’ia rikthyer banorëve në gjendjen fillestare, siç u janë dorëzuar në fillim. Në reagimin e firmosur nga administratori i kompanisë Xhejsi Lilo, thuhet se ndërtimi i objektit është bërë brenda standardeve dhe se i gjithë ndërtimi është certifikuar nga autoritetet përkatëse.
Sakaq, policia ka shpallur sot në kërkim pronarin e kompanisë Armando Lilo.
Reagimi i kompanisë ‘Arlis Ndërtim’ sh.p.k.,
Shoqëria "Arlis Ndërtim" shpk shpreh solidaritetin e saj të plotë dhe mbështetjen e sinqertë për të gjithë banorët e dëmtuar nga ngjarja e fundit që ka prekur objektin në zonën e "Farmacia 10".
Në këto momente të vështira, jemi pranë çdo familjeje të prekur dhe ndajmë shqetësimin për pasojat e shkaktuara.
Në funksion të transparencës me opinionin publik, dëshirojmë të sqarojmë se objekti është ndërtuar në përputhje të plotë me lejen e ndërtimit të miratuar nga autoritetet përkatëse, pa asnjë shtesë katesh apo devijim nga projekti i aprovuar, pervec sistemimeve anësore siç janë verandat, të cilat gjithashtu janë miratuar nga organet kompetente. Të gjitha punimet janë realizuar duke respektuar standardet më të larta të ndërtimit dhe sigurisë, në përputhje me legjislacionin në fuqi. Për më tepër, këto punime janë kontrolluar dhe certifikuar nga organet kompetente, duke garantuar përmbushjen e të gjitha kërkesave teknike dhe ligjore.
Dëshirojmë të theksojmë gjithashtu, që për të gjitha punimet e fasadës për objektin në fjalë, shoqëria ka lidhur marrëveshjet respektive me shoqëri tregëtare, të regjistruara pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit, të cilët janë zotuar dhe kanë marë përsipër të kryejnë me përgjegjesi të plotë ligjore shërbimet e ofruara dhe të kontraktuara.
Në çdo rast shoqëria "Arlis Ndërtim" shpk ka kërkuar para nënshkrimit të kontratës dhe posedon të gjitha çertifikimet e materialeve sipas standarteve europiane dhe legjislacionit në fuqi, të cilat na janë vënë në dispozicion nga kontraktorët që kanë kryer këto punime.
Për objektin në fjalë është bërë kolaudimi, çertifikimi si dhe të gjitha procedurat ligjore që prej vitit 2021, duke e dorëzuar me përpikmëri dhe në mënyrë të rregullt tek banorë, në përputhje të plotë me procedurat dhe aktet ligjore në fuqi, çka konfirmon se shoqëria "Arlis Ndërtim" shpk ka përmbushur të gjitha detyrimet e saj kontraktuale dhe ligjore.
Megjithatë, shoqëria "Arlis Ndërtim" shpk pavarësisht se nuk mbart asnjë përgjegjësi ligjore, por në kuadër të përgjegjësisë sociale si kompani, si dhe angazhimit të saj për të qenë pranë njerëzve që e kanë besuar dhe banorëve të prekur, merr përsipër me shpenzimet e saj, rindërtimin e plotë të fasadës së pallatit të dëmtuar nga zjarri si dhe rindertimin e të gjithë apartamenteve të dëmtuara duke i kthyer në gjendjen fillestare, pra në të njëjtat kushte që banorët e kanë marrë apartamentin me çelësa në dorë në momentin e dorëzimit. Ky angazhim synon të kontribuojë në rikthimin sa më të shpejtë të kushteve normale të jetesës dhe në minimizimin e pasojave të kësaj ngjarjeje.
Shoqëria "Arlis Ndërtim" shpk mbetet e hapur për bashkëpunim me institucionet përkatëse dhe grupet e ekspertëve për të sqaruar çdo rrethanë të ngjarjes dhe për të garantuar transparencë të plotë ndaj të prekurve, institucioneve ligjzbatuese si dhe publikut. Njëkohësisht, ritheksojmë angazhimin tonë të vazhdueshëm për të ndërtuar me cilësi, siguri dhe përgjegjësi.
Në përfundim, duke shprehur edhe njëherë të gjithë solidaritetin tonë, sigurojmë banorët dhe opinionin publik se Shoqëria "Arlis Ndërtim" shpk do të vijojë të ndjekë me prioritet maksimal çdo hap të nevojshëm për përballimin e kësaj situate dhe për rikthimin sa më të shpejtë e të plotë të funksionalitetit të objektit.

Ndërtuesi i "Arlis", Armand Lilo është vënë në hetim për zjarrin në kompleksin te "Farmacia 10". Policia ka arrestuar administratorin e pallatit, menaxheren e marketit në afërsi të të cilit dyshohet se ndodhi zjarri, inxhinierin drejtues të punimeve për ndërtimin e këtij kompleksi dhe administratori i subjektit që ka bërë punimet për fasadën e kompleksit.
Policia bën me dije se është vënë në hetim edhe i kontraktuari për ndërtimin e kompleksit, si edhe 2 punonjëse të marketit.
"Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4, në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera në drejtimin e Prokurorisë, për përcaktimin e shkaqeve të rënies dhe të përhapjes së zjarrit, dje, në një kompleks banimi te Rruga e Dibrës, arrestuan shtetasit:
-A. C., 54 vjeç, administratori i kompleksit të pallateve, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”;
-R. S., 54 vjeçe, menaxherja e marketit në katin e parë të kompleksit, për veprat penale “Shkatërrimi i pronës nga pakujdesia” dhe “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”;
-E. A., 66 vjeç, inxhinier drejtues i punimeve për ndërtimin e këtij kompleksi, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”;
-A. F., 46 vjeç, administratori i subjektit që ka bërë punimet për fasadën e kompleksit, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.
Gjithashtu, nisi hetimi penal për shtetaset S. A. dhe E. M., punonjëse në market, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës nga pakujdesia”, si dhe për shtetasit A. L., 48 vjeç, pronari i kompleksit të pallateve, dhe Sh. B., 41 vjeç, i kontraktuari për ndërtimin e kompleksit.
Nga veprimet e para hetimore dyshohet se në ambientin e pasmë të marketit që menaxhonte shtetasja R. S., në rrethana të paqarta ka rënë zjarr në një vend ku ishin grumbulluar mbeturina, ku kjo shtetase nuk kishte marrë masa për heqjen e tyre.
Gjithashtu, shtetasi A. C., administrator i kompleksit të banimit, dyshohet se nuk ka kryer veprimet e nevojshme për kontrollin e funksionalitetit të masave mbrojtëse për zjarrin dhe shpëtimin.
Nga flakët u dëmtuan 11 shtetas (punonjës të DPMZSh-së dhe banore të pallatit), të cilët vijojnë të marrin mjekim në spital dhe janë jashtë rrezikut për jetën.
Grupi i posaçëm hetimor po vijon punën në vendngjarje, për të përcaktuar dëmin material total të shkaktuar nga zjarri.
Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të përgjegjësisë penale të secilit prej shtetasve përgjegjës për këtë rast.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme hetimore", njofton Policia.
I mbetur nën qiell të hapur, një banor i pallatit tashmë të djegur ‘Arlis’ te Farmacia 10, thotë se shtëpia që e ka blerë 150 mijë euro, është bërë shkrumb e hi. Ai shpreh edhe acarimin që nuk po e lejojnë të shkojë të shohë cilat janë dëmet.
“Më është djegur shtëpia. Kat i katërt, shtëpia 150 mijë euro, e kam blerë para 2 vjetësh. Është bërë shkrumb e nuk më lë njeri të shoh shtëpinë time. Kam fjetur jashtë. Jam nga Dibra, s’kam shtëpi këtu”, thotë banori.

Një grup pune do të kryejë një inspektim të menjëhershëm të subjekteve private në pallatin ‘Arlis’ te Farmacia 10 në Tiranë për të verifikuar shkaqet e zjarrit që shkrumboi ndërtesën.
Sot, një grup pune nga Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial dhe Inspektorati Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit do të mbikëqyrin dhe raportojnë konstatimet e tyre.
Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas zjarrit masiv që përfshiu dje pallatin me 12 kate në kompleksin ‘Arlis’ në zonën e njohur si ‘Farmacia 10’ në kryeqytet. Rama shkruan se godina e shkrumbuar do të rindërtohet nga vetë ndërtuesi. Ai u bën thirrje qytetarëve që të sigurojnë shtëpitë e tyre. Rama thotë se nga të dhënat paraprake zjarri nuk ka ardhur si pasojë e ndërtimit apo punimeve të godinës.
“Ndërtesa që u dogj dje në Tiranë do të rindërtohet 100% nga vetë ndërtuesi, pavarësisht faktit se të dhënat paraprake tregojnë se shkaku i zjarrit nuk ka asnjë lidhje me vetë ndërtimin! Sepse nuk mund t'i lëmë vetëm njerëzit e dëmtuar në pronën e tyre, dhe nga ana tjetër, taksapaguesit nuk mund të paguajnë për një humbje që duhet të mbulohet nga sigurimi - një rast i qartë për të gjithë që të kuptojnë se sigurimi i shtëpive kundër fatkeqësive është absolutisht thelbësor. Sidoqoftë, u them të gjitha familjeve të prekura të ndihen rehat në këtë front, dhe u uroj atyre vetëm shëndet të mirë, ndërsa falënderoj nga zemra zjarrfikësit dhe forcat e zbatimit të ligjit për punën e tyre heroike në shpëtimin e të gjitha jetëve në rrezik”, shkruan Rama në postimin e tij.

Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu vizitoi mëngjesin e sotëm në QSUNT personat e lënduar nga zjarri i pasdites së djeshme, për t’u njohur nga afër me gjendjen e tyre shëndetësore dhe ecurinë e trajtimit.
Sipas mjekëve, zjarrfikësit e lënduar paraqiten në gjendje të mirë dhe pritet të dalin nga spitali gjatë ditës së sotme.
Gjatë vizitës, zëvendëskryeministrja Koçiu shprehu vlerësim dhe mirënjohje për ndërhyrjen e tyre të guximshme dhe profesionale, e cila mundësoi shpëtimin e jetëve dhe shmangien e pasojave të rënda për banorët e pallatit të përfshirë nga flakët.
Një zjarr i përmasave të mëdha përfshiu dje një pallat të kompleksit ‘Arlis’, duke shkaktuar dëme mjaft të mëdha.
Një nga banorët e prekur thotë se në periudhën kur pallati ka qenë duke u ndërtuar është përfshirë njëherë nga flakët.
“Unë isha nga çupa. Nuk ndenjëm fare, ikëm. Zjarri gjithmonë frikë është, por shyqyr s’pati dëme në njerëz, kjo ka rëndësi. Ç’të bësh? Ky material ikën si pishë, po të vazhdonte nja një orë, ishte djegur e tëra. Ky pallat, kur ishte duke u ndërtuar dhe punonin ata me saldatriçe, mori njëherë flakë. Material i dobët, kjo është”, tha një banor.
Një tjetër banore shprehet se panë tmerr me sy gjatë këtij incidenti.
"Momenti ishte shumë tragjik, jam habitur. Thashë ç’është kjo, po qaja në shtëpinë time. Ajo ishte si një karton, inertet që digjeshin, një tmerr i paparë", thotë ajo.
Ndërkohë një banor që i është djegur shtëpia thotë se kishte tre vite që e kishte blerë apartamentin.
“3 vjet, 1 mijë euro metri. Nuk na kanë lënë të ngjitemi”, thotë ai.
Trishtim dhe dëshpërim për banorët që kanë humbur shtëpitë nga zjarri i frikshëm që përpiu pallatin në kompleksin ‘Arlis’ përballë spitalit “Nënë Tereza” në Tiranë.
Një grua, e cila me gjasë mund të jetë banore, sheh drejt pallatit me lot në sy. Këtë mëngjes, ka pasur kureshtarë të shumtë që kanë shkuar në vendngjarje për të parë çfarë kanë lënë pas flakët.
Komente









Pse nuk arrestohet pronari i bisnesit ku ra zjarri. Administratori Ska lidhje me ate pune. The ato te administrated se bashkise qe Kane koladuar apartamentin. Popull ikni se do ju fusin ne burg kot. Pse ke Kalu after pallatit hyr ne burg. Qeveria eshte per burg
PërgjigjuSa tronditese hipokrizia e Rames: ankohet per arrestimet paraprake dhe prape policia e Rames arreston njerez ne tym. Mizerje
PërgjigjuCa faji ka administratori I pallatit qe paguhet nga banoret per pastrimin e e shkalleve dhe per lyerjen se kuptoj un
PërgjigjuPronarin e arrestojne kot, sepse ai cdo pune e ka bere me kompani nenkontraktore qe kane mare leket dhe kane firmosur si dhe jane kolauduar me firma nga gjithe institucionet qe duhet te garantonin sigurine. ndaj ne burg duhet te shkojne te gjithe ata qe punojne ne shtet dhe kane firmosur per kete pallat.
PërgjigjuZgjohuni o njerez! Mos harroni kullen greenfell qe u dogj ne angli me 80 e ca viktima vetem prej materialeve kineze te pasigurta dhe te paçertifikuara!
PërgjigjuTE SHKOJNE TE GJITHE NE BURG
PërgjigjuKush e ka firmosur kollaudimin e pallatit duhet te shkoj ne burg..
Përgjigju