Zonja Tefta në një rrëfim të
sinqertë: Pjata që do haja çdo ditë

Zonja Tefta në një rrëfim të<br />sinqertë: Pjata që do haja çdo ditë
Jemi mësuar ta shohim mëngjeseve në ekranet tona, duke gatuar receta nga më të ndryshmet, herë në studio dhe herë të tjera në kuzhinën e shumë restoranteve të njohura. Tashmë që kanë kaluar shumë vite që prej momentit të parë që u shfaq në televizion, zonja Tefta tregon për “Shije.al” sesi nisi ky rrugëtim për të.

“Nuk e kisha menduar ndonjëherë ekranin. Unë kam qenë arsimtare dhe e kam dashur shumë atë profesion, por gatimi ka qenë një tjetër pasion i imi. Kjo, edhe sepse në familjen tonë historikisht, pothuajse të gjithë gatuanin shumë dhe larmishëm,” - rrëfen ajo. Më tej, Tefta Pajenga e Report Tv flet edhe për familjen dhe mbështetjen që i kanë dhënë në këto vite.

Zonja Tefta, jemi mësuar t’ju shohim mëngjeseve në ekranet tona duke gatuar receta nga më të ndryshmet. Na tregoni pak si ka nisur ky rrugëtim televiziv për ju... 
Nuk e kisha menduar ndonjëherë ekranin. Unë kam qenë arsimtare dhe e kam dashur shumë atë profesion, por gatimi ka qenë një tjetër pasion i imi. Kjo, edhe sepse në familjen tonë historikisht, pothuajse të gjithë gatuanin shumë dhe larmishëm. Si e nisa? Isha në pension, kur mora vesh se një televizion, “Telenorba”, do të fillonte një emision gatimi, i cili kishte synim promovimin e gatimeve tradicionale për amvisat e reja, pra jo për profesionistë. Dhe u mendua që të gjendej një amvisë për ta drejtuar. Ma propozuan si punë dhe pranova. Ishte emisioni i parë i gatimit dhe rezultoi shumë i suksesshëm.
Me çfarë projektesh jeni duke u marrë momentalisht?
Para rreth një viti, u mendua nga drejtuesit e “Report TV” që të bëjmë diçka ndryshe, duke u shkëputur nga studio dhe duke u afruar në terren. U bë kohë që organizojmë emisione në restorante të ndryshëm, në të gjithë vendin, për të promovuar specialitetet e tyre. Është një eksperiencë e mrekullueshme, të bëjmë të njohur punën e shumë shefave të zotë.
U bënë shumë vite që ju shohim në programe të ndryshme televizive duke gatuar, por cila është filozofia që ju ndiqni në kuzhinë?
Për mua e rëndësishme në kuzhinë është higjiena, freskia dhe cilësia e përbërësve. Por në fund, gatimi duhet të finalizohet me shijen. “Ushqim i shëndetshëm dhe me shije”, kjo është filozofia ime.
Si është të gatuash për një publik të madh, i cili pret me kureshtje gatimin tuaj hap pas hapi?
Është përgjegjësi shumë e madhe. Mundohem të jem e qartë në shpjegim, që shikuesit mos të humbasin asnjë detaj dhe këtë e arrij përmes një pune paraprake, e cila është e padukshme për teleshikuesin.
Po kur gatuani së bashku me personazhet e njohur?
Kënaqësi e jashtëzakonshme, kur sheh sa shumë rëndësi i kushtohet gatimit dhe sa shumë janë njerëzit që, krahas punës së tyre për të cilën janë të njohur, kanë pasion dhe gatimin. Unë përpiqem që ata të ndihen në studio, si në kuzhinën e tyre dhe të punojnë me lirshmëri.
Cilët janë përbërësit tuaj të preferuar në kuzhinë?
Vaji i ullirit është mbreti i tryezës. Por natyrisht, erëzat të cilat janë përcaktuese të shijes.
Gatimi juaj i preferuar?
Gatuaj me shumë dëshirë çdo gjë tradicionale. Mund të veçoj byrekët e ndryshëm, sidomos atë me lakra të egra, të trashëguar nga nëna ime, si dhe tavën e kosit të Elbasanit.
Pjata që do të mund të hanit çdo ditë?
Një supë do e doja çdo ditë.
Sipas jush, çfarë është më e rëndësishme në një gatim?
Cilësia e përbërësve, freskia e tyre, por edhe se gatimi do kohën e vet. Nëse nxiton, patjetër që cilësia bie dhe shija nuk është ajo që presim.
Të ndalemi pak tek Zonja Tefta jashtë ekranit, nga një arsimtare dhe më pas në kuzhinë. Si e gjetët veten në një fushë krejtësisht ndryshe nga ajo që ju kishit bërë vite me radhë?
E përmenda pak më lart. Nisa shumë rastësisht këtë punë, e cila sot më identifikon dhe e kam kaq të vështirë ta lë.
Ju desh shumë kohë të mësoheshit me idenë e të qenit një personazh publik dhe i dashur i ekranit?
Në të vërtetë më ka ndihmuar shumë fakti i të dhënit mësim për vite të tëra, por më duhet ta them që kjo ka ardhur gradualisht. Tashmë, prej 13 vitesh përshëndetem me shikuesit e mi çdo mëngjes dhe kjo më jep një kënaqësi të veçantë.
Çfarë ka ndryshuar në jetën tuaj që kur nisët të punonit në televizion?
Përditshmëria ime ka ndryshuar. Kaloj shumë kohë duke lexuar dhe eksploruar të rejat mbi ushqimin. Jetojmë në një botë dixhitale, ku informacioni është i pafund. Kaloj shumë kohë duke bashkëbiseduar me miq dhe në rrjete sociale, ku shkëmbejmë ide dhe receta.
Sa ju ka mbështetur familja juaj në rrugëtim?
Kam pasur mbështetjen e fëmijëve dhe të të gjithë të afërmve e miqve. Kemi interes të përbashkët ushqimin dhe bisedojmë rregullisht për receta të ndryshme dhe shkëmbejmë mendime.
Dhe për ta mbyllur, çfarë ju frymëzon në punën që bëni?
Dëshira për të jetuar dhe për të qenë sa më gjatë aktive!

Redaksia Online
(Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Ervin Salianji dënohet me 1 vit burg për kallëzim të rremë, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Apeli konfirmoi 1 vit burg për Salianjin, hidhet shorti, vendimin do e ekzekutojë prokurorja Elona Alvora

Apeli konfirmoi 1 vit burg për Salianjin, hidhet shorti, vendimin do e ekzekutojë prokurorja Elona Alvora