'Zonjat që bëjnë Shqipërinë', Brunilda Paskali: Pasioni për të punuar në arsim dhe në administratën e lartë, dy shtyllat për një shtet të fortë

NGA Flora Nikolla 

Dhurata Hamzai

Brunilda Paskali sot është këshilltare e Presidentit të Republikës. Ajo nuk gjendet rastësisht në këtë post të lartë. E pasionuar, energjike dhe entuziaste në çdo gjë që bën, kur e kthen kokën pas, zanafillën e suksesit e sheh tek edukimi dhe shembulli të lartë që i kanë dhënë prindërit e saj.

Roli si nëpunëse e lartë e shtetit dhe hyrja në politikë ka qenë një sprovë e re për Brunilda Paskalin.

Brunilda Paskali gjendet përherë e rrethuar nga dy dashuri profesionale; arsimi dhe puna aktive në administratën shtetërore.

Çdo punë, Brunilda Paskali, e bënë me përkushtim të plotë e prioritet për zhvillime të reja, ndaj ajo kërkon ndryshimin në arsim dhe në administratën shtetërore.  Ajo ndihet e motivuar edhe për pjesëmarrjen në politikë, duke besuar se arsimimi i mirë dhe cilësia e lartë e administratës shtetërore janë dy shtyllat “nëse do të bësh një shtet të fortë”. Në intervistën për emisionin “Zonjat që bëjnë Shqipërinë”, Brunilda Paskali, Këshilltarja e Presidentit të Republikës, Ilir Meta, shprehet për administratën shtetërore: “Kërkoj një cilësi më të lartë, dhe zgjidhje të problemeve të qytetarëve, sepse shpeshherë administrata bëhet mekanike dhe burokratike.”

Edhe pse punon në administratë, si rrallëkush Brunilda Paskali shprehet se jo vetëm që s’e braktis kurrë arsimimin e të rinjve, por priret për të zgjidhur edhe problemet e mëdha të procesit të mësimdhënies në shkolla. Aktive në arsim, në fushën e administratës shtetërore, por edhe në familje, Brunilda Paskali pretendon të sjellë gjithmonë ndryshime. 

Ne 5 vitet e fundit gjatë punës në pushtetin vendor, në pushtetin qendror dhe tashmë në Presidencën e Republikës, Brunilda Paskali ka qenë shumë e fokusuar në mbështetjen e grave dhe të vajzave. Ajo priret të zhvillojë aktivitete frytdhënëse për të mbështetur gratë dhe vajzat në fuqizimin e tyre ekonomik, politik e social, por për artistët. Brunilda Paskali, zonjë që bënë Shqipërinë, në jetën e përditshme karakterizohet nga zhdërvjelltësia, karizma dhe imazhi plot klas.

INTERVISTA E PLOTË: 

Cila është historia juaj profesionale?

Faktikisht historia ime dhe nëse duhet t’i them dikujt faleminderit për këtu ku jam sot, janë prindërit e mi, familja. Natyrisht për secilin prej nesh familja është thelbësore në atë çka ne bëhemi si të rritur. Pra, kemi edukimin nga prindërit, natyrisht shoqëria është e rëndësishme, por unë them që prindërit janë thelbësorë në formimin tonë. Dhe unë këtu u them të dy prindërve të mi, si babait tim edhe mamasë sime, shumë faleminderit, nëse unë jam kjo që jam sot. Në sajë të tyre dhe pastaj të punës sime, që jam Bruna e sotme. Faktikisht rrugën time në profesionin tim, unë jam pedagoge, kam studiuar gjuhët e huaja, kam studiuar pastaj më vonë marrëdhëniet ndërkombëtare, diplomaci, por formimi bazë është ai i mësimdhënies. Dhe kjo përsëri ndoshta është marrë nga mamaja ime që ka qenë mësuese gjithë jetën e saj, por edhe studimi i gjuhëve të huaja ka qenë një nga dëshirat e babait tim. Çuditërisht, si oficer i vjetër marine që ishte, thoshte gjithmonë që anglishtja është gjuhë ndërkombëtare dhe që unë duhej të studioja anglishten. Dhe ka qenë një nga ato gjërat që unë i kam dëgjuar që në fëmijëri, që do të shkoja dhe të studioja gjuhë të huaja. Dhe kjo ka qenë zanafilla e kësaj rruge, e studimeve të mia universitare. Nëse do më thoshit se çfarë kujtoj nga rinia, do të thosha shoqërinë tonë shumë të këndshme. Kanë qenë vite të vështira natyrisht, por edhe miqësitë tona, nga ana tjetër, kanë qenë shumë të mira. Kujtoj shumë edhe ato vajtje-ardhjet me tren. Prindërit e mi jetojnë në Durrës, pra atëherë unë jetoja në Durrës. Kështu që isha e detyruar ose na pëlqente ne durrsakëve, siç na quanin tiranasit, të bënim abone, të shkonim dhe të vinim. Ato mëngjeset e hershme të zgjimit tonë për të kapur trenin apo edhe ato mbrëmjet e ftohta kur ktheheshim në darkë vonë, janë nga kujtimet e mia të atyre viteve. Ashtu siç janë edhe kujtimet në tren. Të gjithë durrsakët bashkë zinim vagonin e trenit dhe fillonim të tregonim historitë e ditës që na kishin ndodhur, ose në mëngjes herët fillonim të kujtonim se çfarë orësh mësimi kishim. Këto janë çka unë do të kujtoja për atë periudhë të këndshme të jetës sime. Kështu që drejtimi im u mor që kur unë isha 14 vjeçe sepse në atë kohë gjuhët e huaja fillonin të studioheshin në shkollë të mesme, pra në shkollën e mesme të gjuhëve të huaja “Asim Vokshi”, në Tiranë, për të vazhduar pastaj Fakultetin e Gjuhëve të Huaja pranë universitetit të Tiranës. Kjo më futi në rrugën e arsimit. Ju thashë që dashuria ime për arsimin ka qenë e lidhur shumë ngushtë me mamanë time, por edhe me familjen time që ka pasur shumë mësues brenda. Në këtë kuadër, momenti i parë pas ndryshimit të sistemit, ka qenë ideja për të krijuar diçka në fushën e arsimit. Dhe kështu filloi edhe ajo pjesë e parë e jetës sime, që ka qenë krijimi i një institucioni arsimor privat, “Wisdom”. Për më shumë se 20 vite unë kam punuar për të. Aty kam dhënë pasionin tim për mësimdhënien, për edukimin dhe natyrisht, që kam parë edhe rezultate, sepse sot unë jam shumë krenare dhe shumë e lumtur kur shpesh, të rinj më ndalojnë dhe më thonë që kanë bërë mësim me mua ose kur gjej studentë që kanë mbaruar Kolegjin Universitar “Wisdom” dhe që janë zot në administratën shtetërore apo edhe në sektorin privat. Dhe kjo është një nga ato arritjet që njeriu i mban në jetë dhe e ndjen që ka bërë diçka, ka lënë një gjurmë në jetën e shumë njerëzve. Kjo më ka dhënë kënaqësi të mëdha. Ndërkohë që ju më prezantuar si nëpunëse të lartë të shtetit dhe ky është roli im prej më shumë se pesë vitesh tashmë dhe ka qenë një moment në jetën time që unë iu dedikova politikës. Pra, krahas punës sime kisha mendimin dhe dëshirën për të kontribuar në politikë. Shpesh pyetet përse dëshiron të hysh në politikë. Ne si popull apo si njerëz kërkojmë që të bëjmë ndryshime. Pra, njeriu në vetvete është një qenie që kërkon ndryshim, kërkon përmirësim, kërkon të ecë përpara. Por ne shqiptarët shpeshherë e kërkojmë më shumë sesa të tjerët, ndoshta për shkak të historisë sonë të vështirë 50-vjeçare të komunizmit, dhe vazhdojmë të kërkojmë që të përmirësojmë jetën tonë. Dhe politika është një nga rrugët që ne të përmirësojmë jetën tonë. Pra, nëse do të bësh një ndryshim, duhet që të jesh brenda politikës, që të mund të ndikosh në jetën tënde dhe në jetën e njerëzve të tjerë. Kështu që unë kam më shumë se 10-12 vite që merrem me politikë, por në 5 vitet e fundit jam angazhuar edhe drejtpërdrejt pra, në pozicione, në funksione shtetërore të rëndësishme dhe duhet të them që edhe përfshirja në politikë më ka pasuruar si njeri sepse shikon një anë tjetër, pra njeh një drejtim tjetër. Shpesh, kur merresh vetëm me një drejtim, me profesionin tënd, je i fokusuar dhe punon në atë profesion. Ndërkohë që pjesëmarrja në politikë të hap një rreth shumë të gjerë, pra ti njeh jo vetëm strukturat shtetërore, drejtimin e shtetit, por njeh edhe shumë grupe shoqërore, njeh shumë organizata të ndryshme qeveritare ose joqeveritare, dhe ky bashkëveprim të jep mundësinë për të dhënë kontributin tënd të vazhdueshëm në jetën e vendit. Dhe këtu kemi arritur në pikën e përfshirjes sime në politikë.

Kemi parasysh dy dashuri profesionale tuajat. Si i shikoni ju këto?

Natyrisht që për mua janë të lidhura. Unë do të thosha që janë shumë të lidhura për faktin sepse nëpërmjet arsimit t’i përgatit njerëzit për administratën shtetërore. Pra, ka një kanal komunikues që kalon ata që ne nxjerrim, që universitetet, qofshin shtetërore apo private, përgatisin gjatë viteve të studimit. Një pjesë të tyre i përgatisim për administratën tonë shtetërore. Pra, ka një lidhje natyrale midis tyre dhe për mua, ka një lidhje natyrale midis të dyja gjërave. Jo pa qëllim unë ju thashë më parë që kur unë shikoj në administratën shtetërore studentë që kanë mbaruar Kolegjin Universitar “Wisdom”, jam e lumtur sepse them që kemi përgatitur një të ri apo një të re, që sot po jep kontributin për administratën shtetërore. Ka nevojë për shumë punë sepse arsimi ka problematikat e veta dhe ka nevojë që gjithmonë të investohet në arsim. Unë personalisht kam mendimin dhe e kam thënë gjithmonë në debate e diskutime të ndryshme që, në qoftë se do të rregullosh një shtet, rregullo arsimin, në qoftë se do ta shkatërrosh një shtet, shkatërro arsimin sepse një kuadër që ti e nxjerr, i jep një diplomë dhe e nxjerr në tregun e punës, e ke në tregun e punës minimalisht për 35-40 vite sepse ai do të punojë. Pra, nëse e nxjerr një kuadër të dobët, do të thotë që në 45 vite ai do të ketë rezultate të dobëta, me gjithë dëshirën që mund të ketë dikush për t’u përmirësuar. Në qoftë se ti ke nxjerrë një kuadër të mirë, rezultatet në këto vite që ai do të japë kontributin në jetën e përditshme, do të jenë shumë të mira. Pra, në këtë mënyrë, unë i konsideroj të lidhura shumë ngushtë. Dhe veçanërisht administrata shtetërore ka nevojë për kuadro të mirë dhe të përgatitur sepse ka të bëjë më shumë me njerëzit, ka të bëjë me qytetarin. Unë kam një eksperiencë, tashmë të kaluar, nga pushteti qendror në pushtetin vendor dhe tashmë në Presidencë. Por mund të them me bindje që, atë impakt që ka administrata shtetërore mbi qytetarët, nuk e ka askush tjetër, veçanërisht pushteti vendor, sepse aty qytetarin e ke përballë dhe kërkohet që ky punonjës i administratës shtetërore, përveç mirësjelljes, kulturës që duhet të shprehë ndaj çdo qytetari që mbërrin në dyert e administratës, duhet të jetë edhe i përgatitur për t’i dhënë zgjidhje problematikave, çështjeve, problemeve që kanë njerëzit në jetën e tyre të përditshme.

Çfarë do të donit të ndryshonit në arsim dhe në administratën shtetërore?

Në arsim unë do të doja përmirësimin e cilësisë, përmirësimin e vazhdueshëm të cilësisë së arsimit.

Si arrihet kjo?

Kjo arrihet natyrisht nëpërmjet investimeve, si shtetërore ashtu edhe private. Sot privati ka investime më të mira. Do të doja rritjen e cilësisë së mësimdhënies. Pra, aty është i gjithë thelbi, e gjithë çështja apo problemi është te rritja e cilësisë së mësimdhënies. Në qoftë se ne do të kemi mësues, pedagogë që do të keni cilësi të lartë në mësimdhënie, atëherë është bërë puna. Pra, kemi nxjerrë kuadro të mirë.

Si është zhvilluar cilësia e mësimdhënies vitet e fundit në Shqipëri? Ku është bazuar metoda e mësimdhënies?

Them që në këtë fushë ka punë për t’u bërë sepse janë bërë ndoshta disa prova apo përpjekje për të ndryshuar sistemin që kemi pasur ne, të të mësuarit përmendësh. Por natyrisht, që të futesh e të marrësh një metodë tjetër të mësimdhënies, kërkon kohën e vet dhe punën e vet. Dhe këtu faktikisht është domosdoshme edhe përgatitja e mësuesit dhe e pedagogut, sepse një mësues që ka dhënë një mësimdhënie të caktuar për shumë vite, natyrisht që ka nevojë të përgatitet vetë nga ana profesionale për të pasur mundësi pastaj për ta kaluar këtë te studentët. Është një proces i cili vazhdon, por që ka nevojë për përmirësime.

Si e shikoni interesin e të rinjve të sotëm, në lidhje me mësimdhënien?

Këtu unë kam rezervat e mia sepse ka të rinj shumë të përkushtuar, të cilët studiojnë dhe e kanë pasion, ashtu siç ka edhe një pjesë të rinisë së sotme që janë më të tërhequr nga jeta e lehtë, ajo e të qëndruarit në një bar apo kafene dhe e muhabetit me shokët. Kjo është gjëja që duhet rregulluar. Pra, unë vërtet jam shumë mbështetëse e të rinjve, d.m.th. nëse ka një gjë që unë ndihem mirë, është kur unë jam midis të rinjve. Kjo, ndoshta është edhe për faktin e profesionit tim dhe njeriu ndihet më i ri kur është midis të rinjve. Gjëja që unë u këshilloj të rinjve, kur kam mundësi, është ajo që të mësojnë sepse kur të dalin nga bangat e shkollës ose të universitetit, do të përballen me jetën, ashtu siç jemi përballur të gjithë. Natyrisht nuk mund të pretendojmë që këta të rinj t’i dinë të gjitha. Eksperienca e jetës është shumë e madhe dhe është ajo që pastaj të përmirëson. Por, nëse nuk ke një bazë, një bazament të shëndoshë që merret në bangat e shkollës dhe në universitet, nuk mund të bëhesh i shquar në fushën tënde, nëse nuk i ke bazat e mira. Kështu që, nëse ka një gjë që u them të rinjve është ajo që duhet të studiojnë, sa kanë mundësinë dhe kohën sepse ajo është edhe puna e tyre në ato vite të jetës, të studiojnë.

Po në fushën e administratës shtetërore, çfarë do të donit të ndryshonit?

Në fushën e administratës shtetërore, nga eksperiencat e mia, kërkoj një cilësi më të lartë, dhe zgjidhje të problemeve të qytetarëve sepse shpeshherë administrata bëhet mekanike dhe burokratike. Bëhet më shumë se ç’duhet. Dhe një qytetar nuk ka kohën, ose mundësinë që të presë të gjitha procedurat e një dokumenti që nganjëherë zvarritet. Nuk është problemi koha ligjore që duhet për përgjigjen e një problemi. Ajo natyrisht që është kohë ligjore, por jo përtej asaj kohe. Pra sot, ne jemi një vend që kemi nevojë që të kemi një administratë shtetërore të zhdërvjelltë, dhe që t’i japë përgjigje dhe zgjidhje problematikave në kohën më të shkurtër të mundshme.

Çfarë mendoni se do t’i ndryshojë këto zvarritje burokratike apo këto mënyra mekanike? Ndonjë reformë, apo do të jetë kalimi i kohës që do t’i çojë gjërat në vendin e duhur?

P.sh. reforma e administratës shtetërore është një nga kërkesat e Bashkimit Evropian për Shqipërinë. Kështu që ato janë procese dhe reforma që po vazhdojnë të bëhen dhe duhet të bëhen sepse në radhë të parë nuk janë për Evropën, jo për Bashkimin Evropian, por në radhë të parë janë për ne si qytetarë. Pra, nëse ne do të kemi një administratë më të zhdërvjelltë dhe më të mirë, natyrisht që është në të mirë të vendit sepse kjo ndihmon jo vetëm qytetarin shqiptar, por ndihmon edhe qytetarë të huaj, investitorë të huaj që mund të duan të vijnë në vendin tonë dhe që vijnë në vendin tonë. Ata nuk kanë nevojë dhe ne nuk duhet që t’i vëmë përballë një muri burokratik dhe t’i pengojmë në punën e tyre. Pra, zhdërvjelltësia na sjell gjithmonë benefite.

Cila është nisma juaj konkrete personale?

Unë, në të gjitha këto vitet e fundit të punës sime në pushtetin vendor, në pushtetin qendror dhe tashmë në Presidencën e Republikës, kam qenë shumë e fokusuar në mbështetjen e grave dhe të vajzave. Ajo ka qenë një nga sfidat dhe dëshirat e mia më të mëdha, pra për të mbështetur gratë dhe vajzat në fuqizimin e tyre si ekonomik, si politik, si social. Unë do të thosha që një iniciativë për të vazhduar për të mbështetur vajzat dhe gratë, do të ishte shumë frytdhënëse për të gjitha ne si gratë apo si zonjat që bëjmë Shqipërinë.

Unë do të dëshiroja që në vitin e ardhshëm, si zonjë e zgjedhur midis zonjave që bëjnë Shqipërinë, të organizoja disa takime pranë Kolegjit Universitar Jopublik “Wisdom”, duke bashkuar ato që unë fola, dy dashuritë e mia, pra, arsimin dhe punën në administratën shtetërore, për të informuar dhe për të diskutuar me të rinjtë apo me grupe të ndryshme interesi, për funksionimin e administratës shtetërore, për mundësitë që kanë grupet e interesit për të gjetur mbështetje në administratën shtetërore apo për të gjetur mbështetje për problematikat e tyre. Besoj se këto takime do të jenë interesante dhe do t’u japin një hapësirë dhe një pikëpamje, gjithashtu edhe një njohuri më të madhe të gjithë të interesuarve.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja