'Zonjat që bëjnë Shqipërinë', Nevila Nika: Karriera mes dy epokave në Arkivin e Shtetit, ku 'flenë' thesaret e historisë së pashkruar

Nga Flora Nikolla

Dhurata Hamzai

Nevila Nika studiuese dhe arkiviste e njohur, më 8 shtator të vitit 1976, nisi punën në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shtetit Shqiptar, në një kohë kur: nëse hyje në këtë institucion, ishte si të kaloje pragun e Cerberit. Ajo ishte shumë e re kur nisi punën në Arkivin Qendror të Shtetit dhe plot ëndrra për të studiuar. Si studiuese e pasionuar, Nevila Nika e kuptoi se lumturisht po punonte mes thesaresh historike që s’e kishin parë ende “dritën e diellit”. Rritja profesionale për të erdhi shpejt, kur i besuan përgjegjësinë që të drejtonte një sektor të rëndësishëm të Arkivit Qendror. Arkiva Qendrore e Shtetit për Nevila Nikën është bërë si shtëpia e saj e dytë; herë specialiste e herë drejtuese e sektorëve të saj, ajo ka qenë drejtoreshë e përgjithshme e Arkivit Qendror të Shtetit nga vitet 2005-2013.

Arkiviste dhe studiuese, autore e dhjetëra librave ka ndjekur gjithmonë me pasion kërkimin e fakteve historike. Nevila Nikën, shpesh, do ta ndiqte brenga dhe shqetësimet shpirtërore që publiku jashtë nuk e dinte se ç’kishin arkivat.

Arkivi i shtetit shqiptar një mollë e ndaluar në periudhën e diktaturës komuniste, i ka çelur fletët ende të pastudiuara të historisë vetëm pas vitit 1991, ku Nevila Nika ka dhënë një kontribut të madh.

Ka punuar një jetë në arkiva dhe ajo është gjithmonë një intelektuale e shqetësuar, duke ngritur shpesh zërin për vijueshmërinë dhe ruajtjen e standardeve në thesarin e Arkivit Qendror të Shtetit shqiptar. Kanë kaluar vetëm pak vite që Nevila Nika është larguar nga puna në Arkivën Qendrore e Shtetit. Aktualisht është rektore në Universitetin Europian të Tiranës. Në intervistën për emisionin “Zonjat që bëjnë Shqipërinë”, Nevila Nika rrëfen një rrugëtim të gjatë në karrierën e saj në Arkivën Qendrore të Shtetit, duke na rrëfyer në fund të kësaj interviste vlerën e pacmuar të thesareve arkivore.

INTERVISTA E PLOTË:

Cila është historia juaj profesionale?

Lidhja ime me profesionin është një lidhje krejtësisht e veçantë, për shkak se në momentin kur unë kam marrë emërimin për të punuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shtetit asokohe, nuk është se e dija shumë mirë se çfarë ishte institucioni. Impakti i parë ka qenë dramatik, për shkak se u paraqita përpara një porte të madhe hekuri dhe u hap një deriçkë e vogël. Përpara meje doli një ushtar me automatik dhe me një qen kufiri me maskë pranë vetes. Mbeta se nuk më shkonte mendja që në Tiranë kishte një institucion me qen dhe me ushtar, nuk e dija këtë. Hyra në oborr dhe pashë që dikush po më shikonte nga dritarja. Dikush tjetër kalonte dhe kthente kokën. Drejtor në atë kohë ishte i ndjeri dhe i nderuari Spiro Rusho. Nëndrejtor ishte një personazh shumë i njohur, veteran i luftës, ish-ambasador, të cilin e njihja, Skënder Hajro. Një nga përgjegjësit më priti dhe më shpjegoi punën që do të bëja. Më sqaroi se aty nuk do të bëja ndonjë punë shkencore sepse kishte shumë punë të tjera për të bërë. Unë nuk u përgjigja por m’u mblodh një lëmsh në fyt. Pata fuqinë që t’i ktheja përgjigje dhe t’i thosha se nuk po kërkoja ndonjë gjë apo po ankohesha. Ai ma bëri mjaft të qartë që aty nuk do të bëja punë shkencore. U ktheva në shtëpi dhe me të thënë të vërtetën nuk është se u ndjeva shumë mirë, por nuk mund të ankohesha. Në sektorin ku më caktuan punonin disa gra, të cilat ishin më të mëdha në moshë sesa unë. Më pyetën për emrin. I thashë që më quanin Nevila dhe që në shtëpi më thërrisnin Nevi. Ato nuk folën, por disa muaj më vonë më thanë që mënyra ime e prezantimit u ishte dukur si mendjemadhësi. U isha dukur një vajzë e llastuar. Ndërsa qëllimi im ishte që të isha sa më e afërt me to.

E kujtoj me shumë nostalgji sepse ka qenë një përvojë e jashtëzakonshme. Gati për dy vitet e para të punës kam bërë nga puna më e thjeshtë që ishte ngjitja e etiketave me zamkë në disa regjistra të mëdhenj, të cilët mbaheshin në një depo afër me kolibet e qenve. Përgjegjësi im, i cili jeton ende dhe është gati një personazh legjendë në arkiv për shkak të pasionit që kishte për punën. Ishte shumë punëtor dhe shpesh debatonim me të, gjithnjë për shkak të punës. Pas dy vitesh punë në arkiv, ai më cakton si ndihmëse të punonjëseve të tjera që ishin më me përvojë. Natyrisht që ishte një stad tjetër pune, nga ngjitja e etiketave në përkthime apo në përmbledhje të përmbajtjes së dokumenteve. Ndoshta shumë veta që më dëgjojnë, nuk e kuptojnë këtë që po them. Po marr një shembull nga puna në bibliotekë. Një bibliotekar i mirë merr një libër, kupton se çfarë gjinie i përket ai libër, gjuhën, autorin, botimin, të gjithë elementët. Ndërsa kur bëhet fjalë për një dokument, atë duhet ta lexosh dhe të jesh në gjendje që në pak rreshta të riprodhosh të gjithë përmbajtjen e tij. Ndërsa libri ta tregon që në titull se çfarë është. D.m.th. ne bënim titujt e dokumenteve. Shefi im, Mihallaq Pela, na pyeti se kush dinte italisht. I thashë me gjysmë zëri që unë dija. Ai më çoi në depo dhe më dorëzoi një numër të madh dokumentesh, të cilat ishin fondi personal i një personazhi i cili ishte pjesë e historisë së Shqipërisë, por që fatkeqësisht as unë që kisha studiuar në Fakultetin e Historisë dhe as të tjerë nuk e dinin. Ishte një arbëresh i quajtur Terenc Toçi. Puna me dokumentet e tij më dha edhe më shumë njohuri se çfarë është arkivi i fondeve personale. Pas këtij fondi kam punuar me fondin e Idhomen Kosturit, edhe ky një personazh i historisë së Shqipërisë, por që fatet e tyre kishin qenë tragjike. Tragjedia e jetës së tyre ishte që si njëri ashtu edhe tjetri janë ekzekutuar. Idhomen Kosturi është vrarë në një atentat, në qytetin e Durrësit ndërsa Terenc Toçi nga gjyqet speciale pas luftës. Një arbëresh i cili të gjithë jetën e tij ia kushtuar Shqipërisë, kishte bërë një rikthim në atdheun e të parëve të tij.

Pas kësaj periudhe kam pasur ngritje në anën time profesionale. Kam pasur fatin të bëj stazhin ndërkombëtar të arkivave në Francë. Fill pas kësaj, drejtoria dhe drejtori i asokohe prof. Thoma Murzaku, gjykuan që unë duhej të drejtoja një sektor të rëndësishëm të Arkivit Qendror. Dua të saktësoj këtu që Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Shtetit e asaj kohe kishte në gjirin e saj Arkivin Qendror Shtetëror dhe dy-tre arkiva nëpër rrethe, jo shumë, nuk ishte i përhapur shumë. Sot, natyrisht, është përhapur në të gjithë Shqipërinë. Në këtë sektor, që ishte ai i dokumenteve të viteve 1912-1944, për mua ka qenë një përvojë e jashtëzakonshme edhe pse në dy javët e para më vinte të qaja gati çdo ditë sepse nuk e njihja shumë mirë atë periudhë dhe dokumentacionin e saj. Njihja shumë mirë si dokumentacion periudhën e mesjetës dhe të rilindjes dhe nuk njihja shumë mirë këtë pjesën tjetër. Megjithatë përvoja ishte shumë e bukur. U bënë punë të mrekullueshme, katalogë të Luftës Antifashiste d.m.th. të Luftës së Dytë Botërore, u bënë ekspozita, konferenca. Jeta ime profesionale nuk ishte më vetëm punë me dokumente dhe të bëja atë punën jo të rëndomtë por të mrekullueshme të arkivistit. Tashmë unë kisha shansin që të merresha edhe me punë shkencore. Pas kësaj, kam drejtuar Arkivin Qendror Shtetëror, si një bërthamë brenda Drejtorisë së Përgjithshme dhe më vonë sektorin e kontrollit të cilësisë së punës së arkivistëve në mbarë republikën, jo vetëm në Drejtorinë e Arkivave. Së fundi, para fatin të drejtoja dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Republikës së Shqipërisë, me një arkiv qendror të madh, të konsoliduar tashmë si institucion dhe me 12 arkiva qarqesh të mirëorganizuara.

I gjithë ky rrugëtim, për mua ka qenë një gjë e papërsëritshme, si në drejtim të profesionit, si në drejtim të formimit tim. E them këtë sepse vij nga dy familja që janë pjesë e historisë së Shqipërisë. Duke punuar në arkiv kisha mundësi të vërtetoja ose të hidhja poshtë atë që unë kisha dëgjuar gjatë gjithë jetës sime që nga fëmijëria e deri në mbarimin e universitetit. Të them të vërtetën, kam ndjerë dëshpërim sepse 4 vite në fakultet nuk kisha mësuar pothuajse asgjë. Them pothuajse sepse nuk është se nuk kisha mësuar diçka për historinë e vendit tim dhe të popullit tim. Por jo në detaje, jo ta kisha kuptuar në të gjithë dimensionin e vet çfarë na ka ndodhur, tragjiken dhe të bukurën e atdheut tim dhe tonit, të përbashkët. Ky rrugëtim profesional, më pëlqen ta them por ndoshta nuk jam e vetmja sepse janë arsimtarët ata që ma kalojnë sepse e nisin dhe e përfundojnë punën në arsim, por si zyrtare besoj se jam nga të paktat që e kam filluar punën në atë institucion dhe nuk dola më prej andej. Fjalët e para që më kanë thënë ishin: “Nuse, ku kalle këmbët, të rënçin dhëmbët”, do të thotë që “mos dil kurrë nga Arkivi”. Dhe kjo është përvojë botërore. Në të gjithë botën, arkivistët rekrutohen në një moshë të caktuar, nën 35 vjeç, pas moshës 35 vjeç nuk bëhesh dot arkivist, nuk e dashuron dot profesionin, ndoshta nuk ke durim. Të rinjtë që vinin, nëse nuk e pëlqenin kanë bërë mirë që janë larguar. Është një profesion, i cili nëse nuk e do në të gjithë kuptimin e fjalës sepse ka lodhje fizike dhe mendore shumë të madhe, d.m.th. nuk është edhe aq “i lehtë”, siç mund ta mendojë dikush që është jashtë mureve të Arkivit. Para viteve 1990 kishte edhe një lodhje tjetër, një mundim tjetër shpirtëror. Ne lexonim shumë, dinim shumë, dhe nuk flisnim dot. Përfytyroni një fëmijë kur përpiqet për të folur, sesa mundim ka. Edhe ne duhej të mbanim gojën kyçur jashtë mureve të Arkivit. E shikonim që kishte gjëra që njerëzit i dinin gabim, kur them njerëzit flas për shokët e shoqet e shkollës, miqtë pra shokët e shoqet që ke jashtë, farefisi, qoftë edhe familja jote. Ti e lexoje, sepse ishte e shkruar e zeza mbi të bardhë, dhe nuk ishte ajo që lexoje në gazetë, ajo që dëgjoje në radio, në televizor apo në librat që botoheshin asokohe. E gjithë kjo për neve ka qenë një peshë, personalisht për mua, por edhe për kolegët e mi. Ishte një gur që të rëndonte në shpirt. Populli yt, bashkatdhetarët e tu ishin të pa ditur, nuk dinin të vërtetën se çfarë ka ndodhur. Dhe nisur edhe nga ajo, si profesion, arkivisti e ka për detyrë që të informojë, ta shpërndajë informacionin gjithnjë sipas ligjit dhe rregullit, dhe jo sipas qejfit për të bërë skup, jo. Ne, pas vitit 1991, kemi bërë të pamundurën për të informuar opinionin publik, gjithmonë bazuar në ligje dhe rregulla, të vendosura nga parlamenti shqiptar, por edhe nga institucionet e tjera. Impakti i parë me publikun shqiptar në vitet 1991-1992 sepse para këtyre viteve nuk është se vinte njeri në arkiv, arkivi ishte gati-gati një mollë e ndaluar, edhe pse ligjërisht, gjithkush mund të vinte ta shikonte arkivin dhe të studionte dokumentet. Njerëzit nuk vinin për dy arsye shumë të thjeshta: për censurë sepse po të vinin do të kontrolloheshin dhe për autocensurë sepse thoshin që s’u duhej që të shikonin veprën e X apo Y personi. Kështu ishin edhe tekstet e shkollave. Pas vitit 1991 qytetari shqiptar kuptoi që ka një institucion ku ruhet kujtesa kombëtare, që do të thotë se është thesari i kombit. Jo thesari i shtetit sepse në thesarin e shtetit ruhen paratë. Arkivat janë thesari i kombit. Njerëzit u drejtuan te ne për tri arsye: e para ishte arsyeja e pronave, për të marrë dokumente, edhe pse arkivi shqiptar nuk është se ka dokumente pronësie siç mund të ketë hipoteka apo kadastra. Është një arkiv që ka dokumente financiare për efekt të pagimit të taksave ose të proceseve gjyqësore. U drejtuan veteranët e luftës. Aty kam kuptuar që veteranët e luftës, në pjesën dërrmuese të tyre, rreth 80% e veteranëve të luftës, pjesëmarrës ose me armë ose në ilegalitet në qytete, nuk e kishin marrë statusin e veteranit. Iu drejtuan Arkivit për të marrë dokumente që vërtetonin qenien e tyre në mal apo në qytet, në ndihmë të Luftës Antifashiste për çlirimin e vendit. Të tretët ishin të përndjekurit politikë, të cilët kërkonin edhe ata dokumente. Këto tre grupime të mëdha të qytetarëve ne u munduam që t’i ndihmojmë. Por vetëm një grupim arritëm që ta ndihmojmë në kohë rekord dhe të mbyllej si proces. Procesi i statusit të veteranit të luftës. Dikush mund të pyesë se si e arritëm këtë në kohë rekord. E arritëm në kohë rekord sepse në vitet ’80 ne kishim hartuar një katalog në formë skedari ku kishim nxjerrë të gjithë emrat e pjesëmarrësve në vitet e Luftës së Dytë Botërore. Ky tregues, me mijëra e mijëra emra të nxjerrë, të cilët ne nuk i kishim bërë publikë për arsye politike po themi, nga frika sepse nuk është se i njihnim të gjithë. Mund të njihnim disa, por nuk është se i njihnim të gjithë. Pastaj pjesa dërrmuese e drejtuesve të luftës partizane kishin pësuar goditje të njëpasnjëshme. Drejtoria e Arkivave kishte gjykuar që këtë skedar, këtë tregues emëror ta mbanim të fshehtë. Kishim mbajtur të fshehtë sekrete, rezervate, emrat që ishin rëndom në ato vite. Edhe Biblioteka Kombëtare kishte pa fund libra rezervat.

Në vitet 1992-1995, pra për 3 vite, ne e mbyllëm këtë proces. Do të thotë që u bëmë një shërbim të jashtëzakonshëm atyre që kishin kontribuar për çlirimin e vendit sepse edhe vitet do të bënin të vetën dhe ata do të mbeteshin pa e marrë këtë status, statusin e veteranit, ku në të gjitha vendet e Evropës, pjesëmarrësit e luftës janë nderuar pafundësisht për kontributin që kanë dhënë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Fatkeqësisht, për pjesën tjetër e ish-pronarëve, të cilëve u ishte konfiskuar dhe shtetëzuar prona dhe për pjesën e të përndjekurve, ishte një proces që nuk varet vetëm nga Arkivi, por edhe nga shumë institucione të tjera, të cilat e kanë për detyrë që ta përmbyllin këtë proces.

Unë, në përvojën time në atë institucion, shpeshherë mendoja që ditën e pushimit do të rrija në shtëpi, më ka mbetur edhe një gjë pa e parë, pa e lexuar. Më pyesnin se si ka mundësi? Ja që ka mundësi, sepse është si një roman, të cilin kur e merr dëshiron ta mbarosh shpejt. Para viteve ’90 kishim libra të ndaluar që i lexonim brenda natës. Në Arkiv çdo ditë është ndryshe, që do të thotë se ditët nuk janë rutinë, që si është sot do të jetë edhe nesër dhe njeriu mërzitet. Ka një variacion në marrjen e informacionit të jashtëzakonshëm dhe jashtëzakonisht të bukur. Ndjehesh i vogël. Unë kam menduar dhe ndoshta edhe sot e mendoj që nuk e kam mbaruar ende shkollën. Por, krahas kësaj që ishte pjesë e jona, kënaqësia më e madhe ka qenë për mua, shërbimi ndaj qytetarëve. Qytetarët, të cilët fillimisht kanë qenë të frikësuar, nuk hynin te dera e Arkivit. Unë në ato vite, 1992-1997, pothuajse nuk rrija fare në zyrë, çdo gjë e bëja në këmbë, gjatë gjithë ditës. I prisja qytetarët kudo ku duhej te dera, në korridor, te shkallët. Përpiqesha që ta bëja sa më afër këtë institucion, i cili për “fatkeqësinë”, për fatmirësinë e vet kishte qenë gjithnjë afër institucionit shumë të shëmtuar, që asnjëri prej nesh nuk e do, afër burgut. Burgu i Sigurisë së Lartë është pothuajse ngjitur me Arkivin. Ne si punonjës të vjetër kemi qenë gjithnjë nën trysninë e frikës së ligjit, d.m.th. zbatimi i ligjit për ne ka qenë gati si një perëndi sepse pas kishim edhe burgun. Gjithnjë kisha atë idenë se po gabova, i kam pas. Por, mbi të gjitha ishte i mbrojtur si institucion. Një qytetar nga Kavaja u paraqit në Arkiv, kërkoi diçka. Ne i shërbyem dhe pas disa muajsh, ai erdhi përsëri. Mua më thanë që më kërkonte zoti Ibrahim, poshtë. Quhej Ibrahim Koni. Nuk dija se çfarë do t’i thosha, sepse nuk i kishim gjetur gjë tjetër. Megjithatë e takova. U përshëndetëm dhe më tha që në Tiranë kishte ardhur për një punë tjetër, dhe në Arkiv kishte ardhur vetëm për të parë se si isha sepse, sipas tij, nuk do ta harronte kurrë pritjen tonë. Sinqerisht që jam mallëngjyer. Nuk kisha bërë ndonjë gjë të madhe për të, thjesht e kisha mirëpritur. Ndoshta ai kurrë në jetën e tij nuk ishte paraqitur në një zyrë shteti ose ndoshta dikush e kishte pritur jo mirë. E kujtoj gjithnjë atë njeri dhe mendoj që kam bërë gjënë më të madhe që i kam pritur mirë qytetarët dhe kur s’i kam mbaruar punë se jo çdo gjë ishte në dorën time.

Personazhi i dytë, që tentoi të më puthte dorën dhe për mua ka qenë një situatë shumë e sikletshme, ka qenë Imzot Frano Ilia, asokohe ishte argjipeshkv i Shkodrës. Ai erdhi për të kërkuar dokumentet e tij që ia kishin marrë oficerët kur e kishin arrestuar, në vitin 1967. Ne i kishim parë fotografitë e tij me nënën, me nipin. Dokumentet e tij kishin ardhur në Arkiv dhe ne i kishim bërë edhe përpunimin arkivor, inventarin etj. Sa herë i shikonim këto dokumente e foto, pyesnim me njëra-tjetrën, nëse ishte ende gjallë apo jo sepse rroba e klerikut e tregonte më të moshuar. Kur u paraqit te dera e Arkivit, unë për një moment u shtanga. M’u duk sikur pashë një hije sepse gjithnjë kisha menduar se ai nuk jetonte më. E prita. Pata përplasjen e parë me sekretarin e tij, të cilin sot e kam shumë mik sepse reagimi i tyre ishte sikur ua kishim marrë ne dokumentet. Unë ua shpjegova që dokumentet i kishte marrë tjetërkush dhe i solli në Arkiv. I thashë që ishte me fat që ai dikushi ka menduar se ato dokumente nuk vlejnë dhe ia kishte sjellë në Arkiv. E lashë në zyrën time dhe zbrita në fototekën e Arkivit. I tregova një fotografi të tijën dhe i thashë që kurrë nuk e kisha menduar se do ta shihja të gjallë. E mori fotografinë ku kishte dalë me nënën dhe nipin dhe iu mbushën sytë me lot. U ngrit të më puthte dorën. Natyrisht që unë nuk pranova dhe i thashë që ishte kontributi i të gjithë arkivistëve, të cilët i kishin ruajtur të gjitha dokumentet edhe pse ai ishte konsideruar si armik i popullit. Me këtë dua të them që Arkivi ishte me shumë fat që ka pasur drejtues njerëz, të cilët në radhë të parë, pavarësisht ideologjisë dhe periudhës së keqe historike në të gjitha aspektet, kanë menduar si atdhetarë. Dhe duke menduar si atdhetarë, në momentet kur kishat dhe xhamitë digjeshin, arkivistët i grumbulluan të gjitha dokumentet. Si mirënjohje, Imzot Frano Ilia më ftoi për një drekë në Shkodër, “me hangër nji lugë çorbë me mue plakun”. I thashë që do të shkoja me kënaqësi qoftë edhe vetëm për të biseduar me të. Kështu që takime të tilla kam pasur pafundësisht. Kam takuar njerëz, edhe ish-drejtues të shtetit komunist, të cilëve u kemi shërbyer si çdo qytetari tjetër, vetëm se duhej të prisnin pak ditë sepse ata jetonin në Tiranë dhe përparësi u jepnim atyre që vinin nga rrethe të largëta. Ishte e vetmja lehtësi për ata njerëz, që ne t’u shërbenim brenda ditës. Pastaj, për sa i takon punës arkivore, unë kam qenë me fat. E kam kërkuar paksa edhe fatin sepse nuk kam thënë kurrë jo për të punuar, që nga momenti kur i ndjeri drejtor Skënder Hajro më tha që do të shkoja në një mbledhje. Isha më e reja atje, 22 vjeçe. Aty u diskutua për të botuar revistën e Arkivit. Të gjithë flisnin dhe unë vetëm dëgjoja. Gjatë gjithë viteve më pas, kur më ngarkonin punën që duhej të bëja unë bëja gjithnjë diçka më tepër, që të më vlente edhe për veten time. Përfshirja ime në të gjitha elementët e punës së asaj ndërtese, bëri që ajo të ishte shtëpia ime e dytë. Shpeshherë në shtëpinë time akuzohesha se më shumë mendoja për punën se sa për familjen, sidomos kur erdhën edhe fëmijët në jetë.

Kemi bërë punë të jashtëzakonshme. Lehtësimi i punës sonë si arkivistë, lehtësonte edhe qytetarët dhe studiuesit kur vinin. Skedarët e Arkivit kanë miliona skeda, të grupuara sipas skemave të klasifikimit, të cilat i kemi bërë në bashkëpunim me Institutet shkencore të Historisë, të Gjuhësisë, të Fakulteteve, në një këshillim të vazhdueshëm me profesorë me emër, me njerëz të dijes sepse në fund të fundit, jo gjithçka mund ta dish vetë. Unë kam marrë pjesë në hartimin e katalogëve të Rilindjes sonë Kombëtare, nga shek. VI deri në vitin 1912, të skedarit të luftës, janë 50-60 mijë skeda, nxjerrjes së treguesve. Dhe më në fund, pastaj, të hartimit të një database të jashtëzakonshëm për dokumentet e pronësisë dhe të përndjekurve politikë. Mbi 2 milionë rekorde është database i emrave të pronarëve, të cilëve u del emri për motive nga më të ndryshmet në dokumentet arkivore. Përfytyroni që ka qenë një punë, që fillimisht kur e nisëm, thjesht i nxirrnim me dorë, pra lexonim dhe shkruanim në formularë. Dhe punonjësit që i duhej të nxirrte një dokument për një person, i duheshin ditë të tëra që të lexonte të gjithë ata tregues të shkruar me dorë. Hartuam një database në Arkiv me informaticienen dr. Ardiana Topin dhe lehtësuam punën tonë si fillim. Arkivisti çdo gjë që bën e bën për veten e tij, që kush përplaset në derën e Arkivit, në pak kohë dhe sa më me cilësi, t’i bëhet një shërbim. Mbi 2 milionë është një database që ende edhe sot është funksional. Në bashkëpunim me partnerë si Zvicra dhe Italia, kemi bërë projekte të mrekullueshme, botime, dokumentarë, ekspozita. Do të thotë që ka qenë një intensitet pune, për të cilin nuk mjaftonte orari prej 8 orësh. Por, me një disiplinë pune, që unë gjithmonë e quaj disiplinë gjermane. Me thënë të vërtetën nuk ke mundësi që të punosh më shumë se 8 orë. Arkivi hapet në mëngjes nga dikush, i cili mban çelësat dhe mbyllet po nga ai person. Disiplinë pune do të thotë në mbrojtje dhe në ruajtje të pasurisë që të është besuar ta administrosh dhe në mbrojtje të shëndetit të punonjësve. Unë e gjykoja që punonjësit duheshin trajtuar me elementët bazë të lehtësimit të punës, si p.sh. karriget dhe tavolinat e përshtatshme për punë që të mos u dëmtohej shëndeti, ndriçimi i duhur që të mos dëmtohen sytë, lehtësimi nga peshat e kutive dhe të materialeve që të lëviznin me karroca dhe të mos mbaheshin në duar dhe shumë lehtësi të tjera siç i kanë kolegët tanë në botë. Të gjitha këto ruajnë shëndetin dhe e bëjnë edhe më të këndshme punën. Të gjitha këto unë i mendova si gjënë e parë, nuk mendova për zyrën time. Zyra ime ishte e fundit për sa i përket komoditetit. Për mua ishte gjë normale që punonjësve t’u thuhej “të lutem”, “faleminderit”, “të lumshin duart”. E quaja krejt normale që vartësit e mi të dilnin në radio e në televizion, të jepnin leksione, të merrnin pjesë në konferenca kombëtare, të kishin trajnime. Të gjitha këto aq sa ishte e mundur, kuptohet. Mendoj se kam bërë maksimalisht në këtë drejtim, me qëllimin që punonjësit të vinin me kënaqësi në punë. Atij që nuk e do punën pastaj nuk ke çfarë t’i bësh. Kam mbajtur një marrëdhënie jashtëzakonisht të mirë, gjithmonë në kufijtë e ligjit, pa e shkelur atë, me medien. Media është një pushtet shumë i madh. Media ka nevojë të informohet, ka nevojë t’i shërbehet. Studiuesit gjithashtu, sidomos studentët. Studentët i kam inkurajuar pafundësisht duke u dhënë ide për tema të ndryshme se çfarë mund të trajtonin. Ka ende shumë për të bërë për kërkimin shkencor të bazuar në dokumentacionin që ka Arkivi shqiptar.

Cili është opinioni juaj sot për Arkivin? Çfarë do të donit të ndryshonit?

Oborri i Arkivit është prishur, nuk ka ndriçim, elementët e sigurisë janë zeruar. Unë kam shqetësimin se ne jemi në prag të katastrofës, të humbjes së thesarit kombëtar. Jam lemerisur kur më kanë thënë që makinat me materiale arkivore kanë qëndruar tërë natën në oborret e arkivave në Elbasan, në Mirditë etj., sepse ndërtesën e arkivit e kanë gjetur të mbyllur dhe shoferët kanë fjetur jashtë, në makinë. Kjo është e paimagjinueshme. Unë kam biseduar me Drejtorin e tanishëm të Arkivit. Qytete si Gjirokastra dhe Berati, të cilat janë në mbrojtje edhe nga UNESCO nuk kanë më arkiva. Është absurde. Ai i ka grumbulluar në një mënyrë artificiale dhe masakruese. Një ndërtesë e rretheve ishte parashikuar për 50 vite, për qarkun e vet, që të grumbullonte dokumentacionin e vet. Për 50 vite i dilte si hapësirë. Tani drejtori ka sjellë në Elbasan qarkun e Korçës që mbledh ish-Kolonjën, Devollin, Pogradecin; ka sjellë Beratin që ka dhe Skraparin, Kuçovën etj., dhe vetë Elbasanin që ka Librazhdin, Gramshin, Peqinin. E kuptoni se çfarë mullari është në Elbasan? Po pëlcet. Në Lushnjë ka sjellë Gjirokastrën me Përmetin, Tepelenën etj., ka sjellë Vlorën, me Sarandën, Himarën, Orikumin; ka sjellë Fierin, të gjitha këto në ndërtesën ekzistuese të Lushnjës. Në Mirditë, ku ishte një depo e zbrazur, e ka mbushur me Kukësin, Dibrën, Shkodrën. Qytete mijëravjeçare kanë mbetur pa arkivat e tyre. Vërtet që kanë dokumente nga viti 1945 deri në ditët tona, sepse dokumentet e viteve para 1945-ës janë në Arkivin Qendror, por nuk ka sens kjo që bën. E k

Arkivit dilja unë dhe i sqaroja njerëzit, dilte punonjësja e sallës. Ne i sqaronim njerëzit. Një punonjëse e postës nuk i di periudhat. Këto janë çështje specifike arkivore. Në Durrës ka çuar të gjitha materialet, sipas mendjes së atij që ka caktuar drejtori i arkivave vendore se nuk i ka mbyllur si struktura. Ka shkuar dezinfektimi në ndërtesat boshe. I ka zbrazur nga dokumentet dhe çon dezinfektimin. Kështu tallet se s’mund të çosh dezinfektimin kur nuk ka asgjë. Gjirokastra reagoi shumë si qytet. U bë një pështjellim për universitetin, partitë. Për të thënë që nuk e kishte mbyllur, mori një fond të Ministrisë së Tregtisë së Jashtme, i papunuar ende dhe nga Durrësi e çoi në Gjirokastër. Ndërkaq Gjirokastra u mbyll sepse punonjësit ikën. Dhe ai e mban atje. Të gjitha materialet e papunuara, të cilat duhen punuar sepse nuk ruhen përgjithmonë, asgjësohen.

Çfarë do të doje të ndryshoje?

Ka shumë, gjithmonë. Duke qenë se unë nga natyra jam person që nuk kënaqem, të rri në qetësi se e mbylla. Ndoshta kjo është një e metë e imja. Jo gjithmonë kënaqem me atë që bëj. Por në atë institucion, për hir të së vërtetës, gjëja e parë që më shkoi mendja kur e mora detyrën, ishte që të lija të paprekur gjithçka që unë e gjykoja të mirë, që kishte bërë paraardhësi im, prof. Shaban Sinani. Absolutisht e ndjeva këtë sidomos në momentin kur mua m’u drejtuan disa persona apo projekte që ai kishte nisur, me frikën që unë do t’i ndërprisja. Gjëja e parë që i kam thënë ishte që do të vazhdoja atje ku ai e kishte lënë sepse më duket gjëja më normale dhe më duket shumë e pahijshme nëse dikush do të nëpërkëmbte punën e paraardhësit. Ishte një mur i ngritur dhe unë duhej të bëja maksimumin që ta ngrija më lart. Kështu e kam gjykuar. Kështu që të gjitha ato që ishin nisur nga paraardhësit e mi, nga shumë drejtues që unë i kisha pasur titullarët e mi, unë i vazhdova aty ku kishin mbetur. Për shkakun se ishin projekte të mira dhe unë kisha qenë pjesë e tyre dhe kuptohet që e njihja në brendësi se si funksiononte. Projekti i madh ishte një projekt me ndihmën e qeverisë zvicerane, nisur herët, që në vitin 1994-1995. Një kolege e jona nga Zvicra erdhi për të identifikuar problematikat e arkivave shqiptare. Evelin Sever, një mikeshë e jashtëzakonshme që edhe sot jemi në relata me të, erdhi këtu. Çfarë e shtyu të vinte? Në vitin 1993, mjetet e komunikimit me jashtë ishin një tmerr, nuk gjendej një faks, nuk funksiononin mirë telefonat. Më 31 maj, neve na erdhi një njoftim që mund t’i bënim një kërkesë Këshillit Ndërkombëtar të Arkivave, i cili është organizmi më i lartë i arkivave botërore. Meqë në atë kohë kishin rënë regjimet komuniste në Evropën Lindore, me sa duket atë njoftim ua kishin dërguar të gjitha këtyre vendeve. Kërkonin të identifikonin. Na vjen një formular, që ishte pak i vështirë për t’u plotësuar. Unë i kërkova ndihmë bashkëshortit tim, i cili dinte më shumë sesa unë në këtë drejtim. Arritëm ta plotësonim, por aty kërkoheshin edhe detaje, si p.sh. sa personel kishim, sa ishin arkivistë, çfarë shkolle kishin kryer, çfarë gjuhësh të huaja dinin, d.m.th. gjëra shumë të imta. Ne e plotësuam dhe me një sakrificë të jashtëzakonshme, nga telefoni-faks që kisha në shtëpi, e nisëm. Nuk është se kishim shumë shpresë se do të na vinte ndonjë përgjigje. Por përgjigjja nuk vonoi nga Këshilli Ndërkombëtar i Arkivave, Arkivat Federale Zvicerane kishin marrë përsipër që të ndihmonin Shqipërinë. Dhe në këtë rast dërguan një nga punonjëset e tyre më të mira, ndihmësen e drejtorit. Zonja Sever erdhi, identifikoi problematikat tona, përgatiti një material të mrekullueshëm në formë libri, të cilin ia paraqiti Këshillit Ndërkombëtar të Arkivave. Dhe kështu nisi bashkëpunimit me arkivat zvicerane. Ata sollën një inxhinier informaticien dhe pak arkivist, i cili do të na ndihmonte për informatizimin, për prurjen e teknologjisë së re në një institucion që e kishte, por jo aty ku duhej. Për hir të së vërtetës, duhet të them, që nga viti 1983 në Arkiv kishin ardhur kumpjuterët e parë, punohej për të bërë disa programe të thjeshta, por jo në mënyrë masive. Pas vitit 1997 dhe trazirave të tij, gjithsesi u riaktivizua ky projekt. U nënshkrua një marrëveshje ndërqeveritare nga zonja Ermelinda Meksi për palën shqiptare dhe nga kolegu i saj zviceran. Në kuadrin e kësaj marrëveshjeje të madhe ishte edhe pjesa që i takonte Arkivit. Ishte fillimi i viteve 2000 kur nisi procesi i dixhitalizimit të të gjitha inventarëve, fondeve arkivore, të bëra që nga fillimi i viteve ’60. Personalisht, kisha qenë gjithnjë në kontakt sepse ishte pjesë e një grupi që prof. Shabani na kishte caktuar për t’u marrë me këtë projekt, që nuk ishim shumë të bindur për të nisur me dixhitalizimin e fondeve të sistemuara para vitit 1990. Megjithatë, prof. Shabani e gjykoi që duhej ta nisnim. Problematikat ishin të shumta. Megjithëse se ne ishim kundër, u përfshimë për të ndihmuar sa më shumë që të ishte e mundur. Kështu që në momentin e ndërrimit të stafetave, ndoshta edhe ai e ka menduar, ndoshta edhe të tjerët e kanë menduar që unë do ta ndërprisja dhe do të filloja një gjë të re. Unë e quajta kohë të humbur ndërprerjen dhe fillimin e një gjëje të re. Unë e vazhdova aty ku e la ai, me idenë e mirë dhe me ndihmën e të gjithë kolegëve sepse unë, edhe pse isha drejtuese, isha me ata. Rrija shumë pak në zyrën time dhe isha gjithmonë në bashkëpunim me ata, për ta përmirësuar pavarësisht se mund të mos kisha qenë dakord në fillim për këtë punë. Por ia arritëm ta bënim. Paralelisht me dixhitalizimin e inventarëve të Arkivit Qendror, filluam dixhitalizimin apo bërjen e database-it të madh të eviencës qendrore të Arkivit, një ëndërr e kahershme e jona që nuk kishim mundur ta bënim. E vumë në parametra modernë apo bashkëkohorë, për shkak se tashmë Këshilli Ndërkombëtar i Arkivave ku ne bënim pjesë që nga viti 1974, ishte krah nesh, ndihmën na e kishte dhënë. Kështu që ishim të gjithë si celula që punonim për ta çuar përpara këtë projekt të madh. Ia dolëm mbanë. Do të thosha që evidencën qendrore nuk është se arritëm ta përfundonim. Filluam që të bënim procesin e dixhitalizimit të video-kasetave të ish-Arkivit të Partisë së Punës së Shqipërisë dhe të shiritave magnetikë, një ndërmarrje kolosale për shkak të mungesës së logjistikës, d.m.th. të aparaturave. Aparaturat e këtij ish-arkivi nuk i kishim më në dispozicion, por kishim vetëm video-kasetat dhe shiritat magnetikë. Të gjithë duhet ta dimë që janë materiale shumë më të dobëta sesa letra dhe në këto kushte rrezikonin edhe humbjen e tyre. Me shpenzime minimale, kjo falë informaticienes që përmenda më parë, arritëm me disa module gjëra shumë të vogla, duke mos kërkuar asgjë nga buxheti i shtetit, ne arritëm që ta bënim. Arritëm ta bënim që jo vetëm të funksiononte mirë ky proces i dixhitalizimit të inventarëve, por edhe krijimin e database-it të pronarëve, të përndjekurve. Ajo që na mbeti dhe që mua më ka mbetur peng, ishte që ne nuk arritëm të përfundonim procesin e një netëork-u, lidhjes së depove me sallën, d.m.th. komunikimin online të porosive depo-sallë. Por e nisëm shumë mirë për arsye se në të gjitha vitet që kishte funksionuar institucioni, kishte disa fonde arkivore që kërkoheshin më shumë, shfrytëzoheshin më shumë. Dhe gjatë një shfrytëzimi mekanik dokumenti edhe prishet, kështu që duhej restauruar, d.m.th. identifikimi i problematikave që kishte dokumenti në letër. Nuk arritëm që të bënim dixhitale të gjitha video-kasetat dhe shiritat magnetike. Kur them nuk arritëm, e them sepse nuk arritëm deri në momentin që unë e drejtova Arkivin. Pasardhësi im i pezulloi të gjitha proceset e nisura, duke dëmtuar rëndë punën sepse normalisht, ajo nuk do të ketë një pllakë përkujtimore “Këtu ishte Nevila”, por ishte një gjë që i mbetej Arkivit. Faktikisht, ende edhe sot, punohet me çka është prodhuar vite më parë, pa paguar asnjë për të bërë programe sepse programet i bënte informaticienia, të cilën e falënderonim përditë për ndihmesën që na jepte, që ne të mos lodheshim me atë rutinën e përditshme por të ecnim edhe më përpara. Nisur nga kjo, jam e keqardhur që nuk arrita ta përmbush këtë mision. Skanimi i fotove u bë, dixhitalizimi i fotove sepse është edhe më i thjeshtë për t’u bërë. Për skanimin e dokumenteve u identifikuan dokumentet më problematike siç ishin aktet noteriale, të dëmtuara rëndë nga ata që i kishin mbajtur. Ato u skanuan për faktin se janë edhe dokumente shumë të ndjeshme sepse kanë elementa shumë personale. Kështu që mbetën mjaft projekte që ne kishim ndërmend t’i bënim. Do të më kishte pëlqyer shumë dhe do të kisha qenë shumë e lumtur nëse do të kishin vazhduar, ashtu siç ne, të gjithë titullarët që kemi qenë sepse nuk kam qenë vetëm unë që kam vazhduar atë që kishte lënë paraardhësi im, por edhe ai që ishte para meje bëri të njëjtën gjë. Ka qenë një stafetë e lënë në mënyrën më qytetare të mundshme midis titullarëve të një institucioni kaq të rëndësishëm sa ç’është Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Republikës së Shqipërisë, që për fat të keq ende sot shikoj qoftë në shtyp, qoftë në dokumente zyrtare identifikohet thjesht si Arkivi i Shtetit ose Drejtoria e Arkivit të Shtetit. Është padije, është keqdashje? Nuk arrij dot ta kuptoj se çfarë është. Një institucion që e ka me ligj të shkruar Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Republikës së Shqipërisë, meriton të emërtohet i tillë dhe jo Arkivi i Shtetit. Arkivi i Shtetit ka qenë në vitin 1949. Por me sa duket, ne jemi mësuar me lekë të reja e me lekë të vjetra, kështu flasim edhe për Arkivin. Këto më kanë mbetur peng që nuk arritëm t’i realizonim sepse do të ishte një mrekulli në momentin që ne do të kishim pasur mundësi t’i bënim. Nuk e di më se si është gjendja e këtyre materialeve audio-vizuale. Arkivi, përveç fotove, shiritave, audio dhe video-kasetave ka edhe një sasi të konsiderueshme pllakash gramafoni qoftë me muzikë, qoftë me zë, një dhuratë kjo e ardhur vite më përpara. Pengje ka gjithmonë, por nëse do të kishin vazhduar unë nuk do të kisha këtë keqardhje. Nuk kanë vazhduar dhe kjo është në dëm të pasurisë arkivore, por natyrisht edhe në dëm të studiuesve apo edhe të qytetarëve të thjeshtë. Arkivi nuk është vetëm për studiuesit.

Në vitin 2019 do të vijojmë me “Zonjat që bëjnë Shqiptarinë” dhe ju sigurisht që do të jeni pjesë e bordit. Keni ju ndonjë iniciativë tuajën që mund ta realizojmë së bashku?

Shqipëria ka shumë për të ndryshuar, por ne do të bëjmë atë ndryshimin tonë të vogël. Unë vij nga radhët e nëpunësve. Nëpunësi, për definicion, është shërbëtor dhe të qenit shërbëtor, unë e kam thënë edhe publikisht, duhet ta kesh për nder. Në fund të fundit je duke i shërbyer vendit tënd, bashkatdhetarëve të tu. Nuk je duke bërë ndonjë turp, nuk është përulje. Unë nuk e kam quajtur kurrë se kam qenë e përbuzur apo të më përbuzin të tjerët sepse unë shërbeja.

Shërbimi, kudo që je, nëse ti shërben, kjo është idealja. Në rastin e nëpunësisë është paksa më e veçantë sepse ndoshta në mentalitetin shqiptar, që nuk e di se nga vjen, të qenit nëpunës konsiderohet privilegj, je sipër të tjerëve, je dikushi që mund ta përbuzësh atë tjetrin që të vjen në derë. Kështu që po kthehem te shembulli që thashë më lart. Ai zotëria u kujtua për mua dhe e quajti një gjë të jashtëzakonshme që unë i kisha folur mirë. Asgjë nuk kisha bërë, kisha shërbyer, kisha bërë detyrën time. Çfarë mund të merrja unë përsipër dhe çfarë mund të ishte nisma që mund të kisha unë? Edukimi. Sot jam në sistemin e edukimit. Edukimi i të rinjve që, nëse do të pranosh të jesh nëpunës, në çfarëdo niveli, arkivisti është një nga nëpunësit që përbuzet më shumë, dhe këtë nuk arrijt dot ta kuptoj pse. Sepse arkivisti duhet të jetë njeriu më i besuar, njeriu më i afërt, më shumë i vlerësuar sepse në fund të fundit, ruan dokumentin. Dhe dokumenti është pushtet. Por ka hyrë kjo që nënvlerësohet. Në edukim do të ishte një gjë ideale që të rinjtë që dalin të mos mendojnë se do të jenë nëpunës dhe të mendojnë vetëm sesa është rroga, çfarë privilegji kanë dhe se do të rrinë gjithë ditën këmbë përmbi këmbi duke luajtur në telefon apo në kompjuter. Jo. Të qenit nëpunës është një përgjegjësi e jashtëzakonshme, që Shqipëria vërtet ka nevojë për nëpunës të devotshëm. Të rrish jashtë orarit të punës nuk do të thotë që je më i mirë dhe të paguesh më shumë. Jo. Orët që janë të dedikuara për të punuar dhe të jesh në shërbim, qoftë të institucionit ku je, qoftë të qytetarit, duhet të jenë maksimalisht të dedikuara atyre.

Çfarë mund të bëhet konkretisht?

Mund të merren disa nisma. Unë e di që ka një shkollë të administratës publike. Ndiqen disa mësime dhe jepen disa provime. Nuk e di shumë mirë kurrikulën e tyre, por gjykoj që ata kanë marrë një shembull nga Franca që ka një shkollë të administratës publike. Por fakti është që dalin nga kjo shkollë dhe nuk e kanë këtë në thua, të “shërbëtorit”, se gjithmonë është në thonjëza fjala shërbëtor. Nismat duhen menduar mirë, të propozohen, të shtohen edhe disiplina të tilla dhe të kërkohet më fort kjo pjesa e disiplinës së të qenit në shërbim sesa të disiplinës erdhe në orë 8 pa 1 minutë apo në orën 8 e 1 minutë dhe të quhet shkelje e rëndë e disiplinës në punë. Gjykoj që kemi shumë. Misioni i nëpunësit është mision i shenjtë. Nuk është një mision siç thashë edhe më parë, rrogë, vishemi dhe jemi në një zyrë dhe quhemi se jemi më lart se të tjerët. Jo. Është me gjithë mend një ulje koke e përditshme, por është një shërbim i jashtëzakonshëm që i bëhet vendit. Dikush kishte shkruar në një libër për arkivistët. E pyesnin vajzën e arkivistit se çfarë pune bënte babai i saj. Dhe vajza e vogël ishte përgjigjur që babai i saj ishte arkivist. Shokët e shoqet e klasës e pyetën se çfarë ishte kjo gjëja, ishte ndonjë gjë që hahej? D.m.th. nuk është se e dinin. Por kur flas për arkivistin, flas për të gjithë nëpunësit. Duhet më shumë ngulm në këtë drejtim. Edukim për të qenë në shërbim, jo jam atje dhe mund të shkel me këmbë këdo. Jo, nuk bëhet.

Ka edhe gjëra të tjera që mund të jap edhe në fushën e botimeve, dokumentarë për të informuar publikun. Rasti i asaj që ka marrë zonja Ahtifete Jahjaga, ish-presidentja e Kosovës, për gratë e dhunuara gjatë luftës në Kosovë. Edhe këtu është një kontribut i madh sepse është një histori e përsëritur e grave dhe vajzave të asaj treve martire, të asaj krahine martire që është Kosova. Ka ndodhur edhe shumë dekada më përpara.

Ideja jonë kur e nisëm Në Nju Jork në qershor të këtij viti këtë peticion, për gratë e dhunuara në Kosovë, është që të bëjmë një rekord firmëzimesh, që të nisë në natën e 7 dhjetorit në Tiranë sikundër ka nisur në Nju Jork në qershor, dhe në 20-vjetorin e luftës në Kosovë ne të arrijmë të çojmë një rezolutë në OKB që të quhet krim lufte. A do të jetë Nevila pjesë e kësaj?

Pa diskutim, edhe për shkak të prejardhjes sime nga Kosova. Kështu që e kam detyrim shpirtëror. Unë jam duke përgatitur botimin me dokumente të Komitetit Mbrojtja Kombëtare e Kosovës, ku gjyshi im i ndjerë ka qenë themelues dhe president derisa ai komitet ekzistoi, nga viti 1918 deri në vitin 1924. Janë pa fund dokumentet e atyre viteve edhe për këto raste, që atëherë. Kështu që është një histori e përsëritur, është një gjenocid, një spastrim etnik, një dhunë permanente që ata kanë ushtruar për të zbrazur krahina të tëra, pjesë të tëra të Kosovës nga shqiptarët.

Po ndonjë sesion?

Mund të bëhet me rastin e 100-vjetorit të Komitetit të Kosovës. Unë fola me zotin Ramush Haradinaj dhe mund të organizohet në nëntor.

A mund të organizojmë ne një sesion shkencor?

Patjetër. Dhuna e përsëritur në Kosovë. Filmi i mbrëmshëm p.sh. kishte një sekuencë “Shqiptarët në Vranjë”. Nuk ishin robër lufte se ishin duke luftuar, por ishin qytetarë të Vranjës që kapën dhe u çuan drejt masakrimit, u vranë. Dokumenti tregon që burrat u kapën dhe u vranë.

Mund të themi se Nevila merr përsipër gjë konkrete?

Po, e bëjmë, patjetër. Është një impenjim i madh, por mbështetja është, lehtësitë janë dhe bëhet.

Cila është një nga nismat personale që Nevila Nika propozon te “Zonjat që bëjnë Shqipërinë”?

Meqenëse jam e fushës së dokumenteve e të botimeve, një nismë e imja mund të ishte vënia në dispozicion e materialit arkivor dokumentar për organizimin e një tryeze të rrumbullakët, ku të parashtrohen të gjitha problematikat që kanë të bëjnë me pjesën e gruas, që do të thotë dhunimi i gruas në territoret e pushtuara, konkretisht në Kosovë dhe pak më gjerë, gjatë disa periudhave historike, d.m.th. gjatë luftërave ballkanike, gjatë Luftës I Botërore e pas saj, gjatë luftës së fundit në Kosovë, fenomene të përsëritura që kanë të bëjnë jo vetëm me gruan si individ, por është marrë gruaja si target për të bërë gjenocid dhe spastrim etnik. Një fenomen i shëmtuar që kur e dëgjojmë se ndodh në vende shumë të prapambetura themi që nuk janë shumë, por në zemër të Evropës, gjithsesi Shqipëria është Evropë. Dhe ky fenomen që ka ndodhur, këto ngjarje të hidhura, për të mos u përsëritur më, duhen trajtuar ballëhapur sepse në fund të fundit jemi ne që e kemi vuajtur, janë gratë dhe vajzat shqiptare dhe, për pasojë, e gjithë shoqëria shqiptare.

//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja