Zëvendësministrja e Mjedisit, Olijana Ifti, mori pjese ne Konferencën Botërore për Mbetjet e Ngurta në Sao Paolo, Brazil.
Gjatë konferencës, ajo beri  një përshkrim të detajuar mbi menaxhimin e mbetjeve në Shqipëri. "Mbetjet urbane dhe administrimi i tyre, në standardet e pranuara mjedisore, jane një prej emergjencave më akute për ndërhyrje, ndaj Ministria e Mjedisit vazhdon ta konsiderojë si një ndër prioritetet  kryesore të politikave mjedisore."

Ifti theksoi se menaxhimi i suksesshëm i mbetjeve në Shqipëri do të mund të arrihet së pari, duke vendosur rregulla të qarta ligjore rreth menaxhimit të tyre, që do të mundësonin edhe ndryshimin e kulturës sonë në trajtimin e mbetjeve. Ajo e vuri theksin në përgatitjen e plotë të legjislacionit për administrimin e mbetjeve në vendin tonë.

"Objektivat strategjike tashmë të përcaktuara nga Ministria e Mjedisit për administrimin e mbetjeve, janë përcaktuar në mënyrë të tillë që administrimi i tyre të kryhet me një efiçencë sa më të lartë dhe  një kosto sa më të ulët", është shprehur zëvendësministrja e mjedisit.

Gjatë konferencës,  Ifti drejtoi sesionin "International Partnership of Local Authorities" ku u diskutua për rolin e pushtetit vendor në menaxhimin e mbetjeve dhe bashkëpunimin me sektorin privat. Konferenca Vjetore Botërore për Mbetjet e Ngurta në Sao Paolo mbahet çdo vit, përkatësisht në datat 4-11 shtator.  Konferenca  përbëhet nga 39 anëtarë të 39 shteteve të ndryshme të botës si, Kina, Belgjika, Austria, Brazili, Kanadaja etj. /ATSH/