Protesta e 18-të përpara kryeministrisë duket se ‘u shtua’ në numra, të paktën simbolikisht. Sot, ‘pjesëmarrës’ ishin edhe flamingot simbolike, të cilat u rikthyen mes protestuesve në një paradë.
Vetëm pak minuta më vonë, me to ‘u solidarizuan’ edhe një tufë dhish nga malësia e Kelmendit, të rrethuara nga një gardh. Protestuesit i udhëhoqën përpara godinës qeveritare ku dhe po i ushqenin, ndërsa jashtë gardhit shiheshin pankarta që bënin thirrje për mbrojtjen e mjedisit.
Këtë herë, zëdhënësit e kauzës për rrëzimin e qeverisë dhe dorëheqjen e kryeministrit Rama ishin pensionistët që u ankuan për trajtimin e tyre.
“Pensionistët s’marrin më shumë se 10 mijë lekë në muaj, po vuajnë për bukën e gojës.”
“Askush nuk do ta ndryshojë Shqipërinë për ne, duhet ta bëjmë ne”, ishin disa prej thirrjeve.
Por ndërsa Sali Berisha një ditë më parë u përpoq të shmangte thirrjet për burgosjen e tij, pikërisht pensionistët nuk harruan ta përmendnin.
“Sali Berisha ka bërë krime! Çfarë nuk ka bërë!”
Ndërsa më herët, aktivisti Arben Kola ironizoi demokratët që presin reformimin e partisë nga lideri i saj pensionist.
“Demokratët që kërkojnë reformim nga dikush që duhet të ishte në pension duke shijuar pensionin, Zoti pastë mëshirë dhe ju kthjelloftë!”, tha Kola.
Familja Berisha ishte edhe në vëmendjen e pankartave, ku një prej tyre i dedikohej Shkëlzen Berishës. ‘Tak-tak! Hape derën se jam SPAK’, thuhej në pankartën ku referohej lidhja e djalit të kreut të PD me Ilir Shtufin, biznesmenin e akuzuar për pastrim parash, në vilën e të cilit vetë Shkëlzen Berisha e ka pranuar se jeton me qira.
Protestuesit kanë përfunduar marshimin e tyre në rrugët e Tiranës dhe janë kthyer në Sheshin Skënderbej, ku edhe kanë mbyllur tubimin me këngë e valle.
Me flamuj e simbole kombëtare dhe thirrje kundër klasës politike, ata i kanë dhënë fund tubimit të 18-të, të zhvilluar kundër investimit në Zvërnec të Vlorës.
Para se t'i drejtoheshin Sheshit Skënderbej pas një marshimi të gjatë nëpër rrugët e Tiranës. protestuesit u ulën për disa minuta në rrugën përballë Bankës së Shqipërisë, akt ky i bërë dhe më herët për të përcjellë mesazhin e qëndrueshmërisë së tyre.

Ndërsa marshimi në kryeqytet vijon ende, qytetarët kanë dalë në dritare për t’u solidarizuar me protestuesit.

Aktivisti Arben Kola, i vetëshpallur edhe si një nga nismëtarët e protestës, ironizoi ata që presin reformimin e PD nga Sali Berisha. Pak ditë më parë, Kola tha se vjen nga familje demokratësh, por tani rendit si arritje ‘shërimin’ e të vëllait nga berishizmi, ndërsa u uroi të njëjtën gjë të pranishmëve.
“Demokratët që kërkojnë reformim nga dikush që duhet të ishte në pension duke shijuar pensionin, Zoti pastë mëshirë dhe ju kthjelloftë! Ajo që kam arritur me këtë tubim, vëllai i i madh ka qenë me sëmundjen e berishizmit dhe është shëruar, kështu që uroj edhe demokratët e tjerë të çlirohen nga sindroma e Stokholmit! A e kuptoni që kulti i individit është sëmundje? Është sëmundje që ka kapluar popullin shqiptar!”, tha aktivisti.
“Tak-tak! Hape derën se jam SPAK” thuhet në një prej pankartave të protestës ku kërkohet hetim për deputetin socialist Arben Pëllumbi. Në pankartë, referohet edhe lidhja mes Shkëlzen Berishës dhe Ilir Shtufit, në vilën e të cilit vetë Shkëlzen Berisha e ka pranuar se jeton me qira.
Ai akuzohet për pastrim parash dhe ndërtues i disa kullave në Tiranë, mes tyre edhe gradaçelës që do të quhet “Mali i Tiranës”, e cila pritet të jetë 65 kate, 58 kate lart e 7 kate nën tokë e 185 m e lartë.

Pankarta, flamingo dhe dhi. Në ditën e 18-të, pankartat nuk u mbajtën vetëm nga protestuesit, por edhe nga ‘vizitorët’ e pazakontë: dhitë.
Të rrethuara nga një gardh, ato u futën mes protestuesve duke mbajtur pankartat e tyre. Kryesisht ‘thirrjet’ ishin për mbrojtjen e mjedisit.

Fjalimet e protestuesve para kryeministrisë kanë përfunduar dhe tani ka nisur marshimi. Edhe për këtë mbrëmje, udhëzimi është që të ndiqen studentët.
Itinerari i parashikuar për të nisur nga kryeministria drejt qendrës, më pas te Stacioni i Trenit, Zogu i Zi, “21 Dhjetori”, rruga “Vasil Shanto” dhe më pas sërish në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ndryshoi pasi u vendos që t’i drejtohen Unazës.

Një pedagoge e gjuhës shqipe, e cila u ngjit në podium me vajzën e saj, e përqendroi thirrjen te braktisja e auditorëve nga studentët. Më tej, tha se thirrja “Rama në burg, Berisha në burg”, duhet të jetë “të gjithë në burg” nëse qeveria s’do të mirën e popullit.
“Arsimi po degradohet çdo ditë e më tepër. Auditori është bosh! Ndiej keqardhje sa herë që futem dhe çdo vit shoh auditorë me 10 studentë nga 120 në 2010. Sot duhet t’i japim zë dhe liri kësaj proteste. Nuk jam dakord me Rama në burg, Berisha në burg, të gjithë në burg kush nuk do të mirën e vendit të vet! Një popull, një qeveri që nuk do të mirën e popullit të vet kurrë s’ka për të pasur hajër!”, tha pedagogia.
Pas ‘flamingove’ prej kartoni, protestës para kryeministrisë i janë bashkuar edhe një tufë dhish. Duke mbajtur në duar një gardh rrethues, lëvizin bashkë me dhitë.
Jashtë gardhit varen edhe posterë me shprehjet “Erdhëm të mbrojmë malet para se të na i marrë qeveria”, “Ndaloni ekocidin”, “Jemi protestuese strategjike”, “Nuk aspirojmë për politikë, duam vetëm ujë në lumë”, “Dhitë bashkohen me flamingot”, etj.
Dhitë janë sjellë nga Kelmendi. Protestuesit janë duke i ushqyer.
Thirrjet për arrestimin e Sali Berishës nuk munguan as në ditën e 18-të të protestës. Një i moshuar tha se kryetari i PD ka bërë krime, ndërsa u kërkoi bashkëmoshatarëve t’i bashkohen rinisë.
“Sali Berisha ka bërë krime! Çfarë nuk ka bërë! Rama, Berisha, Meta! Të gjithë të arrestohen! Nuk ka lënë njeri pa poshtëruar! Të moshuarit të bashkohen me rininë, ta mbështesin që të zgjidhin problemin që kemi prej kohësh!”, tha protestuesi.
Të udhëhequra nga një flamingo e madhe, të tjera më të vogla, të radhitura në një formacion, kanë parakaluar përpara kryeministrisë.
Protestuesit kanë arritur të realizojnë një paradë me flamingot që janë shndërruar në simbolin e këtij tubimi.
Aktori i njohur Mehdi Malkaj pati vetëm disa fjalë inkurajuese për protestuesit para kryeministrisë.
“Gjyshërit janë kujtesa emocionale dhe historike e një populli. Për dashurinë jap jetën, për atdheun jap dashurinë!”, tha Malkaj.
Protestuesja e Rrjollit dhe një nga organizatoret e protestës për Zvërnecin, Luçiana Kokaj, ua kushtoi fjalën e saj pensionistëve. Kokaj tha se sot protesta është edhe në emër të tyre.
“Në familjen e gjithsecilit prej nesh s’ka një gjysh që mund të jetojë me dinjitet vetëm me pensionin e tij, është i varur nga fëmijët e tij në mërgim. Sot ka qenë një thirrje shumë e bukur nga të rinjtë: merr gjyshin në protestë. Nëse gjyshi nuk vjen dot, protesto për gjyshin!”, tha Kokaj.

Edhe pse me pjesëmarrje më të ulët krahasuar me ditët e para, qytetarët korçarë kanë vijuar protestën edhe këtë të mërkurë. Një turiste ka marrë edhe mikrofonin për të mbështetur pjesëmarrësit. Protesta në Korçë është në ditën e dhjetë të saj.
Komente









Që kjo lëvizje është anti Trump është pa diskutueshme por për Shqipërinë është e turpshme... Ky është veprimi më armiqësor që i bëhet Shqipërisë dhe shqiptarëve të ndershëm sepse ata që janë ngritur janë të shitur.
PërgjigjuPo u futen pensionistet bie Qeveria ! Pa pension minimal 300€ nuk ecen dot shoqeria sociale
PërgjigjuTufa e dhive ju bashkohet kecave te pa bindur qe jane shkeputur nga tufa e gomereve berishist .
PërgjigjuNë se flamingot do të haeshin të jeni të sigurt që nuk do të mbetej asnjë gjallë,këta kanë vrarë pelikan,në pyje nuk kanë lënë gjë të gjallë përveç ujqërve që po bëjnë kërdinë në stane...po vrasin ariun dhe po shitet mishi në lokale,a e dini që ska ë lënë shqiponja të gjalla. Kjo është protestë e pastër anti familjes Trump organizuar nga marksist ballist e komunist.
PërgjigjuPasi kanë prerë pyjet dhe skanë lënë gjë të gjallë përveç ujqërve dhe dhelprave tani kanë hallin e flamingove. Kjo është një protestë e pastër anti Amerikë....
PërgjigjuKëta janë kundër Amerikës,janë komunisto marksist....
Përgjigju