Në ditën e 17-ë të protestës për kundërshtimin e investimit në Zvërnec të Vlorës, qytetarët marshuan nga sheshi 'Skënderbej' dhe u vendosën para kryeministrisë. Bëhet me dije se nga e mërkura, grumbullimi do të nisë në orën 19:00 dhe jo më në 18:00 për shkak të temperaturave.

Mikrofoni sot do t'u lihet të rinjve dhe studentëve për fjalimet e tyre.

Me pankarta në duar dhe me thirrje kundër klasës aktuale politike, qytetarët kërkojnë largimin e qeverisë së kryeministrit Edi Rama.

Në protestë është parë një prani edhe e turistëve të huaj, nga Australia, Zvicra dhe Mbretëria e Bashkuar, të cilët mbajnë me vete simbole kombëtare shqiptare dhe simbole të flamingove.

Arben Kola, i cili një ditë më parë u deklarua si një nga nismëtarët e protestës, s’e mohoi lidhjen me Partinë Demokratike.

“Unë jam familje demokratësh, por vetë jam i pavarur”, u tha ai qytetarëve në sheshin ‘Skënderbej.

Lajm në përditësim...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:41
Artistja e re: Kam mbaruar studimet me ekselencë në Torino, një vit e gjysmë që diploma s’është njehsuar

Anjeza, një artiste e re, tha para protestuesve se edhe pse ka përfunduar studimet me rezultate të shkëlqyera në Torino, mbetet peng i një diplome që ende s’është njehsuar. Ajo foli për përfshirjen e personave me aftësi të kufizuara dhe për rritjen e emigracionit, duke kërkuar dorëheqjen e Ramës.

“Kam mbaruar studimet me ekselencë në Torino dhe erdha në Shqipëri me mendimin se do të njehsoja diplomën dhe do të gjeja punë menjëherë. Ka kaluar një vit e gjysmë dhe diploma nuk është njehsuar. Jemi këtu edhe për personat me aftësi të kufizuara. Duam një Shqipëri me vlera, jam edhe për motrën e vëllain që emigruan shumë herët. Organizatorë jemi të gjithë ne. Kryeministër, nëse gjërat janë kaq mirë në Shqipëri, pse po largohen njerëzit dita-ditës? Shfuqizo ligjin e investimit strategjik! Jep dorëheqjen!”, tha artistja.

Ora 19:22
Profesori krah studentëve: Janë më të masakruarit në 35 vjet, koha të reagojmë për brezin e ri!

Një profesor që mori fjalën në podiumin e protestës para kryeministrisë tha se studentët janë më të masakruarit në 35 vjet. Ai u bëri thirrje protestuesve të reagojnë për brezin e ri dhe mos të përsëritet skenari i vitit 1992.

“Sot më shumë se kurrë, Shqipëria ka nevojë për qytetarë të përgjegjshëm. Studentët janë pjesa më delikate dhe e masakruar në 35 vjet! S’ka vend në botë që i ka masakruar shkollat dhe universitetet si Shqipëria! Ju flet një njeri që fëmijën e tij e ka arsimuar në Shqipëri dhe e ndien çdo ditë dhimbjen se do të ikë jashtë. Është koha të reagojmë për brezin e ri dhe mos të mashtrohemi më si më 1992!”, tha profesori.

Ora 18:51
Protestë në njërën anë, Botërori në tjetrën, sheshi ‘Skënderbej’ ndahet në dy 'kampe'

 

Sheshi “Skënderbej” duket se është ndarë në dy anë. Ndërsa protestuesit kanë nisur të grumbullohen, pas statujës së Heroit Kombëtar, të tjerë janë ulur për të ndjekur ndeshjen e radhës së Botërorit.

Ndeshja do të jetë midis Francës dhe Senegalit, në orën 21:00.