/ATSH-AFP/ - Atmosfera bëhet çdo herë e më shumë elektrizuese sot në Lozanë ku negociatorët e fuqive të mëdha dhe Iranit vazhdojnë negociatat për arritjen e një kompromisi historik para mesnatës.
"Intensive, intensive", theksoi negociatori rus, Serguei Ryabkov, dalë për pushim në parkun e pallatit Beau Rivage, ku zhvillohen që prej një jave negociatat për arritjen e një marrëveshjeje.
Ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve të G5+1 dhe homologu iranian, Mohammad Javad Zarif u takuan sot pas një natë të shkurtër gjatë të cilës ekspertët vazhduan negociatat në përpjekje të gjetjes së gjuhës të përbashkët për programin bërthamor iranian.
"Nuk është zgjidhur", theksoi një burim diplomatik duke shtuar se diskutimet do të vazhdojnë gjatë gjithë ditës së sotme dhe se një marrëveshje mbetet e mundshme.
"Shpresoj se do të kemi diçka sot", deklaroi një burim tjetër i afërt me negociatat.
Grupi 5+1 (SHBA, Britani e Madhe, Rusi, Kinë, Francë dhe Gjermani ) dhe Irani pritet të arrijnë sot para mesnatës kompromisin e parë themelor për një çështje të pazgjidhshme, që ka përkeqësuar marrëdhëniet ndërkombëtare që prej 12 viteve.
Objektivi është të sigurohemi që Irani nuk do të kërkojë të pajiset me bombë bërthamore, në këmbim të heqjes së sanksioneve ndërkombëtare që kanë shkatërruar ekonominë.
Nëse 31 marsi nuk është data e mundësisë së fundit, ajo është një etapë themelore për vazhdimin e bisedimeve dhe arritjen e një marrëveshjeje historike të plotë , me të gjitha detajet teknike të finalizuara, deri më 30 qershor.
"Këto janë orët e fundit", theksoi një burim diplomatik duke rritur dyshimet që negociatat mund të zgjaten në formatin aktual.
Ministrat që ndodhen atje që prej disa ditësh, kanë ndryshuar axhendat e tyre për të qendruar dhe të gjithë kanë detyrime.
"Ka ardhur vërtet koha për të marrë vendime për të arritur në një kompromis", theksoi dje në mbrëmje zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit, Marie Harf, ndërkohë që një diplomat perëndimor është shprehur: "tashmë është koha për të thënë po ose jo".
"Një dështim deri sot në mesnatë nuk do të nënkuptojë automatikisht shkëputjes dhe përfundimit të të gjitha negociatave", nënvizojnë protagonistët.
Por të gjithë bien dakord mbi faktin se situata është shumë e komplikuar dhe e vështirë për shkak të frikës së brendshme në SHBA dhe në Iran.