PRISHTINË, 12 Mars/ATSH/.- Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, priti sot në takim Pierre Kohler, kryetar i Delemontit i Kantonit Jura të Zvicrës.
Sipas KosovaPress, gjatë takimit kryeministri Mustafa e njoftoi kryetarin Kohler për progresin në Kosovë si dhe mbi prioritetet e Programit të qeverisë së Kosovës.
Kryeministri theksoi angazhimin e fuqishëm të Qeverisë së Kosovës në zhvillimin ekonomik të vendit, hapjen e vendeve të punës, rritjen e investimeve nga jashtë, uljen e varfërisë, forcimin e shtetit ligjor, proceset integruese evropiane si dhe reformat të cilat do të ndërmerren në arsim e shëndetësi.
Kryeministri Mustafa shprehu mirënjohjen e Qeverisë dhe popullit të Kosovës për mbështetjen e madhe që Zvicra dhe të gjitha kantonet dhe qytetarët e saj kanë dhënë për Kosovën në të gjitha fazat. Ai po ashtu theksoi përkushtimin e Kosovës për bashkëpunim me Zvicrën në të gjitha nivelet.
Kryetari i Delemontit, Pierre Kohler, vlerësoi arritjet në Kosovë si dhe shprehu gatishmërinë për të avancuar bashkëpunimin dhe për të përkrahur Qeverinë e Kosovës në zhvillimin ekonomik të vendit./m.m/