Zv.ministrja e Brendshme Rovena Voda zhvilloi këtë të enjte një takim zyrtar me Drejtorin e Përgjithshëm i Zyrës së të Huajve në Belgjikë, Freddy Roosemont. Në fokus të diskutimit mes tyre ka qenë çështja e migracionit të paligjshëm, rritja e forcës së bashkëpunimit për të parandaluar e frenuar fenomenin e azilkërkimit të shtetasve shqiptarë në Belgjikë.
Ndërkohë gjatë këtij takimi u vlerësua bashkëpunimi i frytshëm mes dy vendeve gjatë vitit 2018 ndërsa palët kanë shprehur vullnetin e angazhimit për rritjen e frymës bashkëpunuese edhe në viete në vijim. Ajo u shpreh se gjatë vitit 2018, numri i kërkesave për azil të shtetasve shqiptarë në Belgjikë, ka rënë me rreth 20 %. Ndërsa numri i shtetasve të riatdhesuar është rreth 540 shtetas përgjatë 2018, përmes fluturimeve të posaçme.
"Gjatë vitit 2018, kemi një rënie që është një shenjë shumë e mirë, të kërkesave për azil të shtetasve shqiptarë drejt Belgjikës, por sigurisht mbete ende për të bërë dhe për të ndërgjegjësuar edhe njëherë shtetasit shqiptarë, të cilët nuk duhet të shohin rrugën e azilkërkimit si rrugë migrimi të sigurt drejt shtetit belg. Ata mund shkojnë ta vizitojnë Belgjikën sigurisht, mund të shkojnë të punojnë atje, por duhet të zgjedhin rrugët e ligjshme, rrugën e migrimit të sigurtë", u shpreh zv. ministrja Voda.
Nga ana e tij, Drejtori i Përgjithshëm i zyrës së Belgjikës Roosemont, foli rreth fenomenit të migracionit të paligjshëm duke thënë se pavarësisht uljes së numrit për vitin 2018, numri i azilkërkuesve shqiptarë në Belgjikë është ende i lartë dhe mbetet ende shumë për të bërë në këtë drejtim.
Deklarata e zv.ministres Voda:
Sot pata një takim shumë të rëndësishëm me Drejtorin e Përgjithshëm të Zyrës së të Huajve të Belgjikës, z.Freddy Roosemont. Fokusi kryesor i takimit ishte pikërisht çështja e migracionit, çështjet e migracionit të paligjshëm të shtetasve shqiptarë drejt vendeve të BE, po kryesisht, sigurisht shtetit belg.
Patëm një takim shumë të frytshëm në fakt pasi u pranua nga të dyja palët që bashkëpunimi midis Shqipërisë dhe Belgjikës ka qenë i shkëlqyer gjatë vitit 2018 përsa i përket çështjeve të menaxhimit të migracionit. Gjatë vitit 2018, kemi një rënie që është një shenjë shumë e mirë, të kërkesave për azil të shtetasve shqiptarë drejt Belgjikës, por sigurisht mbete ende për të bërë dhe për të ndërgjegjësuar edhe njëherë shtetasit shqiptarë, të cilët nuk duhet të shohin rrugën e azilkërkimit si rrugë migrimi të sigurt drejt shtetit belg. Ata mund shkojnë ta vizitojnë Belgjikën sigurisht, mund të shkojnë të punojnë atje, por duhet të zgjedhin rrugët e ligjshme, rrugën e migrimit të sigurtë.
Mbetet sigurisht ende punë e madhe për t’u bërë edhe në drejtim të intensifikimit të bashkëpunimit midis dy policive kufitare. Po ashtu kemi pasur një bashkëpunim shumë të mirë përsa i përket rritjes së numrit të operacioneve të riatdhesimit dhe gjithashtu z. Roosemont tha që do të kemi dhe mbështetjen tonë për sa i përket vazhdimit të një fushate intensive komunikimi në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë me shtetasit shqiptarë për t’i informuar ata për pasojat e migracionit të paligjshëm.I njëjti bashkëpunim i mirë si gjatë vitit 2018 do të vazhdojë edhe në vitin 2019 dhe ajo çfarë ne u bëjmë thirrje besoj të gjithë shtetasve shqiptarë edhe njëherë është: Mos migroni në mënyrë të parregullt pasi shanset për të kërkuar azil në Belgjikë janë zero! Ju lutem përdorni rrugët e ligjshme, rrugët e migrimit të sigurt!
Deklarata e Drejtorit Roosemont:
Kam ardhur këtu për të falënderuar autoritetet shqiptare për bashkëpunimin shumë të mirë. Kemi punuar shumë mirë së bashku vitin e kaluar dhe jam tepër i sigurt që ky bashkëpunim shumë i mirë do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Gjithsesi mbeten 2 çështje që na shqetësojnë, pavarësisht uljeve, numri i azilkërkuesve shqiptarë në Belgjikë mbetet i rritur. Shqipëria është një vend i sigurt, një vend demokratik, një vend që nuk ka probleme. Për këto arsye u rekomandoj shtetasve shqiptarë që vijnë në Belgjikë, të vijnë si udhëtarë normalë për çështje biznesi, turistike, për të takuar familjarët e tyre në Belgjikë, por jo për të paraqitur kërkesë për azil.
Kërkesat e tyre do të trajtohen në mënyrë shumë të shpejtë dhe përgjigjja është e garantuar që do të jetë negative dhe do të rikthehen në Shqipëri, qoftë vullnetarisht, qoftë në mënyrë të detyruar. Dhe kthimi i detyruar do të thotë jo vetëm një ndalim administrativ, por edhe shoqërim dhe riatdhesim në Shqipëri, me policë belgë. Dhe dëshiroj t’u rekomandoj shtetasve shqiptarë që kanë këtë ide të gabuar në kokë që kohën, energjitë dhe paratë e tyre t’i harxhojnë për gjëra më të rëndësishme dhe më të frytshme. Theksoj gjithashtu se një shtetas shqiptar që paraqet një kërkesë azili në Belgjikë dëmton imazhin e Shqipërisë dhe është i dëmshëm edhe për vetë individin.
Ka mënyra të tjera për të punuar atje, pasi Shqipëria është një vend që s’ka më nevojë për viza, por ka gjithashtu informacione në dispozicion për publikun. Për të udhëtuar në zonën Shengen, pra edhe në Belgjikë, duhet të respektohen kushtet sipas ligjeve evropiane, në mënyrë që të shmangen problemet në kufi. Çdo shtetas shqiptar duhet të këtë një qëllim të qartë për vizitën që do të kryejë në Belgjikë. Të ketë mjete të mjaftueshme financiare për kohën e qëndrimit në Belgjikë dhe të shpjegohet pranë autoriteteve belge të kufirit se pas një qëndrimi 90 ditor ose 3-mujor në Belgjikë, do të rikthehet në Shqipëri. Në rast se nuk përmbushen këto kritere, atëherë refuzimi i hyrjes në Belgjikë që në pikën kufitare është i garantuar dhe personi që kryen këtë është i pari i dëmtuar, sepse ka humbur kohë të çmuar dhe para.
Gjithsesi dëshiroj të falënderoj thellësisht zonjën zv.ministre për vullnetin e saj të madh për të vazhduar bashkëpunimin edhe në të ardhmen. Dëshiroj të theksoj që gjatë vitit 2018 edhe shifrat e refuzimit në kufi, edhe shifrat e riatdhesimit të shtetasve shqiptarë janë ulur ndjeshëm dhe jam i sigurt që në rast se shtetasit shqiptarë do të reflektojnë ndaj kësaj dukurie, atëherë refuzimet në kufi dhe kërkesat e azilit në Belgjikë do të ulen gjithnjë e më shumë. Faleminderit shumë!