Po mbahet në Tiranë protesta e 5-të kundër ndërtimit të resortit në Zvërnec. Edhe në këtë ditë të 5-të të protestës në kryeqytet, ata kërkojnë anulimin e planit për ndërtimin e një resorti luksoz në Zvërnec, që sipas qeverisë parashikohet të kapë vlerën e 4 miliardë dollarëve.

Ashtu si në 4 ditët e kaluara, qytetarët u grumbulluan filllimisht te Sheshi Skënderbej, nga ku marshuan drejt Kryeministrisë. Para godinës kryeqeveritare, protestuesit mbajtën edhe 1 minutë heshtje për efektivin e Policisë së Shtetit, Enea Mekolli, i cili sot humbi jetën gjatë operacionit në Maliq për kapjen e një të shumëkërkuari.

Protestuesit kërkojnë anulimin e planit për ndërtimin e resortit luksoz në Zvërnec, duke ngritur gjithashtu një sërë kërkesash të tjera ndaj qeverisë. Ata kërkojnë shfuqizimin e statusit dhe kuadrit ligjor për investimet strategjike, shfuqizimin e Paketës së Maleve, anulimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura, anulimin e ndryshimeve në ligjin për trashëgiminë kulturore shqiptare, por edhe dorëheqjen e qeverisë.

Gjatë protestës, organizatorët u bënë thirrje qytetarëve dhe bizneseve që t’i bashkohen kundërshtimit të projektit.

“Kanë hequr gardhin dhe po ju thonë të shkoni të protestoni atje, që më pas t’ju shantazhojnë ose të krijojnë incidente. Mos bini pre e këtyre kurtheve, sepse janë kurthe. Qeveria është këtu në Tiranë”, u shprehën protestuesit gjatë tubimit.

Nga ana tjetër, Edi Rama është përgjigjur me një video nga ‘Porto Montenegro’, që sipas kryeministrit është një histori suksesi për këtë shtet.

"Live nga perla që e sollën këtu dikush që e përzunë nga Shqipëria. O çuna goca na e kaluan njëherë këta vëllezërit e vegjël topin për shalësh, për fajin e honxhobonxhove tanë që e lanë topin ta marrë deti. Po tani s’bëhet llaf më, ta harrojnë të gjithë ata që thonë s’duan apo s’na duan, se na kalon prap huq topi i historisë së Shqipërisë së Re Europiane”, ka shkruar Rama në Facebook, krahas videos së shpërndarë.

Report Tv sjell pamje të filmuara me dron të pjesëmarrjes në tubim.

lajm në përditësim...

 

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:04
Tiranë/ Protestuesi i drejton 5 kërkesa Ramës: Nga dorëheqja te shfuqizimi i Paketës së Maleve

Nga protesta e qytetarëve që po mbahet në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, u prezantuan pesë kërkesa drejtuar kryeministrit Edi Rama, të cilat sipas organizatorëve janë të panegociueshme dhe janë hartuar nga lëvizja qytetare.

“Pas pesë ditësh protestash të pandërprera në Tiranë dhe duke parë vendosmërinë e sovranit për të përmbushur kërkesat tona, ju njoftojmë se kjo nismë mbështetet nga një grup me integritet. Gra dhe burra dinjitozë, të vendosur për t’i çuar deri në fund kërkesat e sovranit, do të dimë të marrim në kohën e duhur vendimet e duhura.

Kjo nismë lindi si përgjigje ndaj një rreziku të madh në të cilin ndodhet vendi ynë. Deklaroj se protesta është organizuar dhe udhëhiqet nga qytetarë të lirë, të bashkuar rreth një kauze të drejtë kombëtare për të ardhmen e Shqipërisë.

Paraqesim kërkesat që burojnë nga vullneti i lirë i mijëra qytetarëve që janë bashkuar në mbrojtje të lirisë dhe interesit kombëtar:

Dorëheqjen e qeverisë.

Shfuqizimin e statusit dhe kuadrit ligjor që lidhet me investitorët strategjikë.

Shfuqizimin e Paketës së Maleve.

Anulimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura.

Anulimin e ndryshimeve në ligjin për trashëgiminë kulturore shqiptare”, tha protestuesi.

Ora 19:51
Protestuesja: Kur pashë atë djalin e tërhequr zvarrë në Zvërnec, mu kujtuan përplasjet me grushta me policinë në Rrjoll

Në protestën që po mbahet në Tiranë kundër projektit në Zvërnec, një banore nga Rrjolli u shpreh se kur pa atë panoramë kur një qytetar u tërhoq zvarrë në Zvërnec, iu kujtuan përplasjet me policinë në Rrjoll.

“Kur pashë atë djalin e tërhequr zvarrë në Zvërnec, mu kujtuan përplasjet me grushta me policinë në Rrjoll, por nuk na kanë penguar të mbrojmë të drejtën tonë.

Ju jeni më shumë se Rrjolli, se Zvërneci dhe interesat personale, jemi për të mbrojtur atdheun. Na pyesin kush e organizon?? Ju jeni organizatorët, në shesh deri në kthimin e dinjitetit të këtij vendit. Eksponentët politik që kanë qëllim të prishin këtë bukuri, të distancohen. Nuk do e marrë asnjë parti politike meritën e të gjithë juve që jeni në shesh”, tha banorja nga Rrjolli.

Ora 19:33
Me flamuj dhe pankarta, në duar qytetarët e Durrësit sërish protestë për projektin në Zvërnec

Qytetarët e Durrësit u mblodhën sërish në sheshin qendror të qytetit për t’iu bashkuar protestës kundra zhvillimit të projektit në Zvërnec.

Pas himnit të flamurit qytetarët mbajten një minute heshtje për humbjen e jetës së efektivit në qytetin e Korçës dhe disa prej tyre vendosën lule në mënyrë simbolike pranë bashkisë.

Protesta vazhdon me fjalën e qytetarëve ku iu bashkuan dhe banorët e prekur nga zhvillimi i projektit të TID-it të cilën ngritën dhe shqetësimin e tyre.

Nuk munguan në shesh as mbështetës nga partitë e vogla opozitare si Partia Mundësia, Lëvizja Bashkë dhe mbeshtetës të Partisë Demokratike. 

Ata treguan për mikrofonin e Report Tv se dalja në protestë nuk vjen vetëm prej zhvillimit të projektit por edhe për mënyrat arbitrare të trajtimit të protestueseve në Zvërnec dhe gjithashtu çështje të tjera kombëtare.

Protesta pati prani nga qytetarë të thjeshtë dhe nuk pati figura politike të pranishme.

K.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • emigranti: 04/06/2026 19:43

    Mos e kanalizoni kuptimin e kesaj proteste aty ku doni ju. Njerezit jane ngopur me kete qeverisje arrogante. Nuk jane kunder investimeve, po jane kunder atyre qe duan te investojne duke prishur vendin dhe duke marre zvarre njerezit. Keshtu qe te hapin krahun edhe Saliu edhe Edi se e kane bere vendin si sarajin e tyre.

    Përgjigju
  • Analiza: 04/06/2026 19:29

    Kjo proteste sa po rritet , mesa duket iku politika e vjeter

    Përgjigju
    • Populli: 04/06/2026 20:16

      Me ca shihet e ngjohet po

  • Sondazhi i ditës: 1 Qershor, 11:02

    Jeni me Edi Ramën për zhvillimin e Zvërnecit?