ANGLI - Anis Mehmeti ka vendosur të vijojë sërish karrierën në Championship, por me fanellën e Ipswch Town. 25-vjeçari ishte pjesë e Bristol City prej janarit 2023 dhe pas tre vitesh ka vendosur të ndërrojë ambient, duke kaluar te rivalët që mbajnë vendin e tretë në renditje dhe janë më pranë objektivit për t'u ngjitur në Premier League.

Sulmuesi i cili ka luajtur edhe tre ndeshje me Kombëtaren kuqezi dhe pret sërish një ftesë nga Sylvinho, ka nënshkruar për tre sezone e gjysmë me Ipswich Town. Shuma e transferimit nuk bëhet me dije nga Bristol City, por mediet në Angli flasin për 3.4 milionë euro.

25-vjeçari nënshkroi për Bristol Cityn në janar të vitit 2023 dhe ka bërë 136 paraqitje, duke shënuar 26 gola, përfshirë nëntë këtë sezon. Tanimë Mehmeti do kërkojë elitën e Anglisë dhe Ipswich Town shpreson shumë te golat e tij. Mehmeti do mbajë fanellën me numrin 33 mbi shpinë.

Pas firmës në kontratë, Mehmeti tha se objektivi i tij përputhet me atë të klubit dhe prandaj rrugët e tyre u kryqëzuan.

"Jam shumë i emocionuar që kam nënshkruar për klubin. Çdo gjë që klubi po përpiqet të arrijë përputhet me ambiciet e mia dhe kjo flet vetë. Tifozët janë të mrekullueshëm dhe mezi pres të luaj para tyre.

Jam një lojtar i uritur me dëshirë për të fituar dhe dua të shënoj gola, të asistoj dhe të bëj gjithçka që mundem për të ndihmuar ekipin. Të gjithë e dinë që ambicia është të ngjitemi në Premier League dhe unë jam këtu për të ndihmuar ta arrijmë këtë”, tha Mehmeti në fjalët e para pas firmës në kontratë.