Brenda paketës fiskale për vitin 2026 do të jetë edhe rishikimi i ligjit për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, me fokus korrigjimi i skemës së rimbursimit në bujqësi. Ministria e Financave ka parashikuar që fermeri të kompensohet me një normë prej 10% për tatimin mbi vlerën e shtuar, nga 0% që është aktualisht kjo normë tatimore.

Kompensimi prej 10% sipas Ministrisë së Financave do të jepet direkt në llogarinë e fermerit, dhe kostoja në një vit parashikohet të arrijë në 1.5 miliardë lekë ose gati 15 milionë euro.

Këto ndryshime ligjore të cilat ende nuk janë detajuar përmes një projektligji synojnë të ulë kostot për fermerët dhe ti bëjë produktet e tyre edhe më konkurruese në treg dhe të mos u mbeten stok.

Me ndryshimet ligjore të ligjit të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar në 2018-2019 u vendos që TVSH-ja për bujqësinë të jetë 0%. Në këtë rast grumbulluesit, tregtarët apo kompanitë nuk kanë asnjë interes për të blerë prodhimin vendas, duke lëshuar faturë me TVSh pasi nuk e rimbursojnë dot më atë. Në variantin më të mirë, nëse e blejnë janë të detyruar që 20 përqindëshin ta ngarkojnë mbi çmim, e për pasojë, produkti final për konsumatorët del më i shtrenjtë.

Të dhënat e Institutit të Statistikave tregojnë se prodhimi i qumështit dhe i nënprodukteve të tjera pësoi rënie vjet, situatë që vijon edhe përgjatë këtij viti

Shifrat zyrtare tregojnë se në vitet e fundit importi i produkteve të bulmetit dhe të mishit është rritur shpejt. Nga viti 2020 deri në fund të 2024-ës sipas përllogaritjeve janë blerë nga jashtë 300 milionë euro bulmet dhe 383 milionë euro produkte mishi dhe të brendshmet e tij.

Mbetet për të parë se sa efektive do të jetë skema e propozuar, duke qenë se dhe  varianti i aplikuar më parë prej 6 përqind TVSh, nuk solli rezultate.