ANGLI - Ryan Gravenberch do të vazhdojë të jetë pjesë e Liverpoolit edhe për shumë vite të tjera. Mesfushori holandez ka firmosur një kontratë të re gjashtë vjeçare me klubin anglez, duke e zgjatur qëndrimin e tij deri në fund të sezonit 2031-32.
Gravenberch kishte kontratë të vlefshme deri në vitin 2028, por drejtuesit e Liverpoolit vendosën ta shpërblejnë për zhvillimin dhe paraqitjet e tij të mira me një marrëveshje të re afatgjatë. 23-vjeçari iu bashkua klubit nga Bayern Munich në verën e vitit 2023 për rreth 40 milionë euro. Që nga transferimi në 'Anfield', ai ka zhvilluar 123 ndeshje me fanellën e Liverpoolit.
Pas firmosjes së kontratës së re, mesfushori holandez shprehu kënaqësinë e tij për vazhdimin e aventurës në Angli.
“Jam shumë krenar që e zgjata kontratën me një klub kaq të madh. Jam shumë i lumtur që do të qëndroj këtu edhe për shumë vite të tjera”, deklaroi ai.
Ai shtoi se vendimi ishte i lehtë për shkak të besimit që ka marrë nga klubi dhe trajneri.
"Ndjeva menjëherë besimin nga klubi dhe trajneri. Vendimi për mua ishte shumë i lehtë. Edhe familja ime është e lumtur këtu. Tashmë kemi pothuajse tre vjet që jetojmë këtu dhe ndihem shumë mirë që jam pjesë e këtij klubi", vijoi mesfushori.
Gjatë këtij sezoni, Ryan Gravenberch ka zhvilluar 36 ndeshje në të gjitha garat, duke realizuar 4 gola dhe 6 asistime, duke u kthyer në një nga elementët e rëndësishëm të mesfushës së Liverpoolit.
Komente






