Berat, sherri ku u plagos efektivi i policisë, flet nëna e njërit prej të përfshirëve: Ishin të pirë

15 Prill 2021, 13:58

#reportTV #lajmeshqip #lajme Tre vëllezërit në Berat, që u përfshinë në një sherr mbrëmjen e djeshme ku mbeti i plagosur edhe një efektiv policie, janë arrestuar ndërsa është shpallur në kërkim edhe vëllai tjetër. Janë prangosur Gerald Marini 38 vjeç, Marjus Marini 42 vjeç dhe Arjan Marini 40 vjeç, ndërsa është shpallur në kërkim Armando Marini 46 vjec. Shkëndi Memaj, e ëma e Albert Memaj që u përfshi në sherrin me katër vëllezër mbrëmjen e djeshme në Berat, ka treguar se katër vëllezërit i kanë ndihmuar sa herë kishin nevojë dhe se nuk kanë patur konflikte të mëparshme, por dje kishin shkuar të dehur në dyqanin e tyre. Sipas saj, vëllezërit u konfliktuan me Albert Memaj për motive banale, duke i thënë se pse mbani njerëz në dyqan dhe pse shikonin nga banesa e tyre. Ndërkohë, para policisë, tre vëllezërit e arrestuar kanë thënë se kanë qenë të pirë dhe se nuk mbanin mend se çfarë kishin bërë një natë më parë. Konflikti u regjistrua mbrëmjen e djeshme, ku u përfshinë katër vëllezërit (përdorues të lëndëve narkotike) me komshinjtë e tyre Albert Memaj dhe bashkëshorten e tij Olta, ku këta 2 të fundit kanë mbetur të lënduar me gurë. I plagosur mbeti edhe efektiv i policisë Julian Xhelilaj, 20 vjeç, i cili ndërhyri për të qetësuar situatën, por katër vëllezërit tentuan t'i merrnin armën dhe gjatë konfrontimit, arma iu shkrep në brez, duke bërë që polici të marrë një plumb në këmbë. Ai u transportua për në Spitalin e Traumës Tiranë, për ndihmë mjekësore më të specializuar.