Sali Berisha ka përshëndetur faktin që prokurori Adriatik Llalla ka fituar statusin azilant politik ndërsa kërkon nga autoritetet italiane që të nisin hetim për rastin e tij.
“Së fundmi dua të përshëndes autoritetet italiane, të cilat i dhanë azil politik, Adriatik Llallës, Prokurorit të Përgjithshëm. Unë nuk them se Llalla ishte një prokuror i fortë apo pa të meta, por shqiptarët duhet ta dinë se Adriatik Llalla u sanksionua sepse guxoi të denoncojë kompanitë e Sorosit dhe Rex Tillersonit. Kjo është e vërteta. Kjo është me dokumente. Kompani të cilat nuk respektonin ligjet e vendit.
Dhe, sapo njoftoi Kongresin e SHBA për këto veprime, ai në mënyrë hakmarrëse, u shpall non-grata. Kjo është e vërteta.Beteja e Donald Lusë, publike ndaj prokurorit, unë nuk them se ishte pa të meta, por te prokurorët dhe gjykatësit, shteti duhet të ketë një sens se ata për shkak të detyrës, dënojnë njerëzit më të rrezikshëm të shoqërisë. Në këtë sens, nuk hidhen në rrugë, siç i hedh Edi Rama ata që nuk zbatojnë urdhrat. Pse u dënua Llalla? I vunë nja dhjetë padi dhe përfunduan te rritja e vlerës së pronës.
Ndaj dhe në këtë kontekst, u bëj thirrje autoriteteve italiane të ndërmarrin një hetim për rastin e Llallës. Të ndërmarrin një hetim të plotë se nuk është punë diskriminimi siç shkruan vendimi, janë më të thella. Mund të shërbejë si kazus për të nxjerrë mësime shumë të vyera për Shqipërinë, për Italinë, për Europën dhe SHBA”, tha Berisha.